“Ishte fitorja më e madhe në pikëpamjen sportive. Ajo kundër Portugalisë ishte realisht më mbresëlënësja”. Fjalë e Lorik Canës! Kapiteni megjithatë tregohet i kujdesshëm që opinioni të mos e ekzagjerojë dhe skuadra të mos vihet nën një presion që mund të ndikojë negativisht. “Mund të luajmë edhe më mirë se ç’luajtëm në Portugali, por duhet ta ngulitim mirë në kokë se jemi në një grup tejet të vështirë dhe krejtësisht të paparashikueshëm. Duhet kujdes me dozat e euforisë”, thotë qendërmbrojtësi kuqezi për “Panorama Sport”.
Lorik, çfarë ju bëri më shumë përshtypje nga kjo fitore?
Rezultati vetë ishte befasues… Tri pikë në Portugali janë një arritje e madhe. Kjo ishte vërtet një fitore speciale.
Pse ishte speciale?
Për disa arsye. Së pari, sepse morëm një fitore që në start dhe në transfertë. Së dyti, sepse mundëm Portugalinë. Kjo skuadër kishte shumë vite që nuk humbte brenda dhe që nuk humbte një ndeshje startuese në kualifikimet e një kompeticioni. Së treti, sepse tani Shqipëria po merr formë gjithnjë e më shumë.
Në ç’kuptim?
Në sensin që Shqipëria u bë disa vite që i ka mësuar tifozët dhe opinionin edhe me fitore. Kemi marrë rezultate të mira duke mundur edhe skuadra me nivel. Edicionin e shkuar mundëm Norvegjinë dhe u duk më shumë si një rastësi. Më pas i morëm sërish pikë kësaj skuadre dhe sërish kishte pak skepticizëm. Tani mundim Portugalinë jashtë. Pra, janë sinjale se skuadra po përmirësohet.
Po, por Shqipëria ka një problem që pëson rënie thuajse sistematikisht në çdo edicion dhe mbylljet kanë qenë zhgënjyese…
E vërtetë. Por ky është edhe problemi i një skuadre të vogël, e kufizuar edhe nga cilësitë apo alternativat që ka pasur. Megjithatë, unë besoj se jemi në rrugën e duhur. Ka shumë vullnet, ka shumë dëshirë dhe mbi të gjitha ka përulësi. Ne e dimë mirë tashmë se po nuk luajtëm si një grup i vetëm dhe i bashkuar, nuk ia dalim dot. Vazhdojmë të jemi një skuadër me kualitet të kufizuar. Forca më e madhe e jona është grupi dhe kompaktësia.
Lorik, a është kjo fitorja më e madhe në kohën që ju luani me Kombëtaren?
Po, në planin sportiv po. Mundëm një skuadër të madhe në fushën e saj, kur askush nuk e mendonte dhe sot jemi me tri pikë. Ishte një fitore e madhe, por në planin teknik jo ndonjë lojë mbresëlënëse.
A do të pranonit që të kualifikohej Shqipëria edhe duke luajtur “katenaço” në të gjitha ndeshjet?
Ok, kjo temë ha diskutim. Unë i mirëkuptoj njerëzit kur kërkojnë futboll të bukur dhe argëtim, pasi kjo është edhe e logjikshme. Por nëse do të tregohemi racionalë, atëherë duhet të pranojmë se sukses në futbollin e sotëm është të marrësh maksimumin e atij grupi që ke në dispozicion. Mendoj se stafi dhe trajneri në veçanti kanë përzgjedhur lojtarët më të mirë sot që luajnë jashtë dhe brenda vendit dhe po përpiqen që në këto rrethana, pra duke parë cilësitë e kundërshtarëve dhe duke parë edhe mundësitë tona, të marrin maksimumin. Më duket e drejtë. E logjikshme. Pa dyshim që Shqipëria ka potencial të shfaqë një lojë edhe më të mirë se ajo në Portugali, pra më argëtuese, por mendoj se ende nuk jemi gati që edhe të dhurojmë futboll të bukur edhe të fitojmë njëkohësisht. Do të duhet edhe pak kohë.
E keni nisur karrierën në Kombëtare duke pasur përkrah Hasin, Aliajn apo Beqirin, më pas keni luajtur me Currin, Telin dhe Dallkun, ndërsa tani keni Mavrajn, Agollin Hysajn dhe Lilën… A është më e sigurt prapavija kuqezi tani, apo në të kaluarën?
Mendoj se mbrojtja është një repart që ofron garanci. E përsëris: një skuadër në mbrojtje dhe në sulm duhet të funksionojë si një e tërë, por meqë pyetja u referohej individëve, mendoj se kemi një repart me cilësi.
Ku duhet të përmirësoheni?
Në goditjet standarde. E vuajtëm këtë problem në edicionin e kaluar dhe mendoj se shfaqëm disa mangësi edhe në ndeshjen kundër Portugalisë. Duhet të punojmë më shumë në këtë aspekt.
Ju jeni në Itali tashmë, por a ndiet jehonën e kësaj fitoreje?
Po, pa dyshim që po dhe më besoni se kurrë më parë një fitore e Shqipërisë nuk ka pasur këtë jehonë. Flas të paktën për aq kohë sa unë luaj në Kombëtare. Kam marrë mesazhe të panumërta nga Franca, nga Anglia, nga Turqia… U ndjeva mirë, por edhe u befasova. Ishin shumë.
Sa është rritur presioni tani që mundët Portugalinë?
Shumë, por duhet të jemi të kujdesshëm. Ne jemi ballkanas dhe pas një fitoreje të madhe, djemtë e Kombëtares janë më të mirët dhe më të fortët. Mjafton një humbje për të na etiketuar si më të dobëtit… Kjo nuk shkon. E vuajtëm këtë pjesë edhe edicionin e kaluar. Në pjesën e parë ishim heronj. Më pas pësuam disa humbje, ku ndoshta nuk e meritonim të dilnim pa pikë për atë që dhamë në fushë dhe menjëherë u kryqëzua skuadra dhe ambienti u ftoh. Duhet pak më shumë mbështetje dhe pak më shumë durim. Ndaj, edhe tani, do të doja që të mos e ekzagjerojmë me euforinë, sepse mund të dëmtohemi. Entuziazmi bën mirë, por duhet edhe pak vetëkontroll. Nuk duhet të harrojmë çfarë kundërshtarësh kemi dhe çfarë historie kemi.
Mos po tregoheni i përmbajtur më tepër sesa duhet?
Aspak. Nuk po them se nuk kemi shpresa dhe se nuk ëndërrojmë. Përkundrazi, unë vetë i pari ëndërroj që të bëjmë diçka të madhe dhe diçka më mirë se edicionet e tjera. Por duhet kujdes dhe pjekuri. Tani nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse t’u premtojmë tifozëve tanë që do të japim gjithçka mundemi. Është ëndrra e të gjithëve të bëjmë hapin e madh. Edhe ne lojtarët jemi tifozë… Unë i pari!
E kishit menduar ndonjëherë që Shqipëria, pas disa “artistëve” në mesfushë si Skela, Murati, Hyka, Meha, Rama apo Dragusha, tani përfundon thuajse e gjitha një skuadër me muskuj dhe pa fantazi?
Lojtarë me cilësi të shkëlqyera që të gjithë, por e theksoj se ne duhet të përshtatemi sipas mundësive që kemi tani dhe sipas rivalëve që kemi.
Ç’do të thotë për ju të shihni 7 shqiptarë nga trojet e Kosovës në formacionin titullar?
Kënaqësi e madhe. Dhe jo vetëm sepse janë kaq shumë, por sepse janë djem që e ndiejnë peshën e fanellës dhe janë të përulur. Japin gjithçka nga vetja në fushë. Por dua të ndalem pak këtu: do të isha po kaq i lumtur sikur Kombëtarja të fitonte me 22 vlonjatë në listën e të grumbulluarve ose me 22 shkodranë. Nuk ka dallime dhe nuk duhet të ketë as në të ardhmen. Madje po ju them se jam shumë krenar që kjo skuadër është një simbol i unitetit dhe i harmonisë mes të gjitha trojeve shqiptare. Ne jemi këtu për një qëllim të përbashkët dhe çdo të riu që vjen në Kombëtare i bëhet një gjë e qartë: fanella kuqezi është më e rëndësishme se gjithçka. Mendoj se ka funksionuar, sepse të gjithë e kanë të qartë këtë gjë.
Sa e vështirë është të ruash harmoninë edhe në dhomat e zhveshjes me këtë grup?
Shikoni, unë kam qenë kapiten i Marsejës që në moshë shumë të re dhe tashmë jam mësuar me presionin, por edhe me situata nga më të ndryshme. Megjithatë, po ju them se nuk më është dashur asnjëherë vitet e fundit të ngre zërin për diçka apo për dikë. Janë një grup lojtarësh të disiplinuar, profesionistë dhe e duan shumë këtë fanellë.
Po më parë, a ka qenë kështu?
Të jem i sinqertë nuk ka qenë edhe aq e lehtë. Ka pasur futbollistë ndoshta më cilësorë dhe me më shumë personalitet, por ndonjëherë luanin më shumë për egon e tyre sesa për grupin. Ka qenë pak më i vështirë ekuilibri brenda dhomave të zhveshjes, sepse edhe “kokat e nxehta” kanë qenë më shumë… (qesh).
Cila është gjëja që ju nervozon më shumë në një ndeshje të Kombëtares?
Nuk duroj dot kur dikush bën një gabim dhe një tjetër i kthehet me tone të ashpra apo përdor edhe fjalë të papërshtatshme. Më acaron tej mase kjo gjë dhe duhet të them se ndodh gjithnjë e më rrallë gjatë një ndeshjeje të Kombëtares. Sinqerisht, nuk e kapërdij dot që dikush t’i hakërrehet tjetrit.
Po ajo që ju gëzon më shumë?
Kur një lojtar i shkon në ndihmë shokut dhe i jep zemër atij edhe pas ndonjë gabimi. E vlerësoj shumë këtë gjë, sepse e di se si mund të ndihet një futbollist pasi ka bërë një gabim në ndeshje me presion kaq të lartë.
Ndër lojtarët që tashmë janë larguar nga përfaqësuesja, cili është ai që i mungon sot më tepër skuadrës?
(mendohet) Janë shumë. Do t’ju lutesha që të mos citoj asnjë emër, sepse realisht janë shumë.
A keni ndonjë dedikim për fitoren e së dielës?
Po, kam një dedikim për ata tifozë që ishin në Portugali. Nuk ishin shumë, por ishin të mrekullueshëm. Mendoj se tifozët e Shqipërisë janë një nga gjërat më të mrekullueshme të kësaj Kombëtareje. Pak skuadra përfaqësuese kanë tifozë si tanët dhe duhet të ndihemi krenarë për këtë.