INTERVISTA/ Ambasadori britanik: Sistemi i Drejtësisë shqiptare është i organizuar keq

16 Shtator 2014, 10:34Politika TEMA

Ambasadori britanik në Tiranë/ Shkëlqesia e tij z. Nicholas Cannon shprehet për “JAVA” në lidhje me sistemin e drejtësisë shqiptare, qeverinë e re Rama, institucionet e pavarura, integrimin dhe një sërë çështjesh të tjera. Shqipëria ka rrugë të gjatë dhe gjithçka mbetet në duart e saj, pohon ai…

 

Ka qenë një nga javët e zakonshme të ngarkuara të shkëlqesisë së tij, z. Nicholas Cannon, por ai ka gjetur mundësinë të shprehet për auditorin e “JAVA”-s. Është i bindur se Shqipëria ka një mbështetje mbarëpopullore për anëtarësimin evropian. Por rruga është e gjatë, pohon pasi “statusi kandidat është vetëm një hap në një proces të gjatë që do të marrë të paktën dhjetë vite, e që do të kërkojë  transformime në shumë institucione të politikës dhe të drejtësisë në Shqipëri në mënyrë që të plotësojë kriteret e Bashkimit Evropian të cilat janë në ndryshim dhe zhvillim të vazhdueshëm”. ‘JAVA’ ka insistuar që të kishte një përgjigje të tij për Referendumin në Skoci, që është inincuar nga partia SNP për ndarjen më Britaninë, por ka qenë një pyetje që ai me tagrin e diplomatit, nuk mund t’i përgjigjej. Duke përfaqësuar një vend që e ka asistuar shumë Shqipërinë në fushën e Drejtësisë, ai ka folur disi më hapur për të, duke pohuar pastër se “sistemi është i organizuar keq. Kjo gjë ofron hapësirë ku mund të veprojnë të paaftë e të korruptuar”. JAVA ka insistuar, në një kohë më vonë, edhe për procesin e vizave dhe pse është kaq e vështirë për shqiptarët ta marrin atë, por sërish përgjigja ka munguar me shpjegimin klasik të zyrtarëve se kjo është procedurë. Në fund, ambasadori e sheh pozitive qeverinë Rama, por nga ana tjetër thekson se ajo duhet të ruajë forcat deri në fund…

Pas miratimit të statusit kandidat të Shqipërisë, si e shikoni predispozitën e saj, për të ecur në rrugën e integrimit?

“Është  e qartë  se ka një mbështetje të fortë  nga publiku dhe të gjitha partitë politike për  anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Marrja e statusit të vendit kandidat është një moment simbolik dhe i rëndësishëm. Është një sinjal se Bashkimi Evropian beson se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur dhe se Shtetet Anëtare të BE-së po e mendojnë seriozisht Shqipërinë, si një partner i ardhshëm në BE. Por statusi kandidat është vetëm një hap në një proces të gjatë që do të marrë të paktën dhjetë vite, e që do të kërkojë  transformime në shumë institucione të politikës dhe të drejtësisë në Shqipëri në mënyrë që të plotësojë kriteret e Bashkimit Evropian të cilat janë në ndryshim dhe zhvillim të vazhdueshëm”.

Zhvillimet e fundit në BE kanë lënë të nënkuptohet që zgjerimi i BE-së do ndalet për pak vjet. Cili është qëndrimi zyrtar i  Britanisë për zhvillimet e reja evropiane, që lidhen me Ballkanin?

“Traktatet e BE-së janë të qarta se çdo shtet evropian që respekton vlerat e Bashkimit, dhe është i angazhuar për promovimin e tyre, mund të aplikojë për anëtarësim. BE e ka bërë të qartë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor mund të bashkohen kur ata plotësojnë kriteret. Ky është një angazhim që Qeveria Britanike mbështet me forcë. Çdo vend duhet të bëjë përparim në bazë të meritave të tij. Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë me misionin e zgjerimit duke mbetur të hapur për të gjitha ato vende evropiane që ndajnë vlerat dhe interesat tona.

Por kushtet rigoroze do të mbeten thelbësore, si për të përgatitur vendet e reja anëtare për detyrimet që sjell anëtarësimi, ashtu edhe për të siguruar anëtarët ekzistues që elementet thelbësore të anëtarësimit në BE nuk janë të komprometuar. Secila fazë e procesit të pranimit duhet të jetë e bazuar në përparim konkret, të matshëm që mund të vlerësohet objektivisht. Ne nuk e shohim këtë si një zonë për gjeste të paqarta të miqësisë, ose rregullime të ndërlikuara legjislative, apo sy të verbër ndaj korrupsionit dhe krimit. Ato vende që dëshirojnë të bashkohen me BE e dinë se çfarë duhet të bëjnë, dhe nëse e bëjnë këtë, plotësisht dhe sinqerisht, ato do të gjejnë simpatinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe mbështetje në çdo fazë të procesit. Sigurisht, zgjerimi i mëtejshëm do ta ndryshojë BE-në, ashtu si ka bërë çdo raund i mëparshëm i zgjerimit. BE tashmë i ndryshuar do të ndryshojë edhe më shumë: në kohën kur të anëtarësohen gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, BE do të ketë më shumë se tridhjetë vende në të, popujt e të cilëve bëjnë dhe do të duan gjëra të ndryshme nga BE. Ne duhet ta njohim këtë ndryshim dhe të mësojmë të jetojmë me të dhe të përfitojmë prej tij. Por, procesi i zgjerimit ka evoluar pasi janë nxjerrë mësime nga çdo raund i pranimit. Në fazat e hershme të procesit të pranimit në Evropën Qendrore dhe Lindore, shumë anëtarë vendosën dëshirat politike të zgjerimit mbi nevojën për gatishmërinë teknike. Në vitet e fundit, ka pasur një theks në rritje si nga Shtetet Anëtare ashtu edhe nga Komisioni për kushtëzim të rreptë, për përmbushje të standardeve teknike dhe marrëveshje më të hollësishme tranzitore. Për të ruajtur kapacitetin e BE-së për integrimin e anëtarëve të rinj, procesi duhet të jetë i besueshëm, me kushtëzim të ashpër nga fillimi në fund”.

Vendi juaj e ka asistuar shumë Drejtësinë shqiptare. Me arrestimet e kohëve të fundit, Ju duket se në ditët e fundit, janë duke u dukur rezultatet e kësaj pune?

“Unë besoj se reformimi i sistemit të drejtësisë është sfida më e madhe që përball Shqipëria sot. Besimi i publikut në gjyqësor është i ulët. Shqipëria ka shumë gjyqtarë të përgatitur dhe të ndershëm. Por vetë sistemi është i organizuar keq. Kjo gjë ofron hapësirë ku mund të veprojnë të paaftë e të korruptuar. Pra, çfarë është e nevojshme është reforma e plotë e mënyrës në të cilën gjyqtarët janë emëruar, graduar, transferuar dhe disiplinuar. Niveli i arsimimit profesional të gjyqësorit ka nevojë të përmirësohet. Disa njerëz thonë se gjyqësori duhet të jetë plotësisht i pavarur dhe kështu çdo reformë duhet të udhëhiqet nga vetë gjyqtarët. Por, pavarësia e gjyqësorit nuk do të thotë mosndëshkim gjyqësor. Gjyqësori deri më tani nuk ka arritur të reformohet në mënyrë adekuate, dhe kështu duhet të presim presion nga qeveria, parlamenti, opinion publik dhe komunitetit  ndërkombëtar për reformën. Reforma e sistemit të drejtësisë do të ndihmojë në masë të madhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo do të inkurajojë investimet vendore dhe të huaja dhe kështu të përmirësojë kushtet ekonomike. Kjo do të përshpejtojë rrugën e Shqipërisë për anëtarësim në BE. Më e rëndësishmja ajo do të bëjë jetën e njerëzve të zakonshëm më të lehtë dhe më të drejtë”.

Në çfarë niveli janë marrëdhëniet e dy vendeve tona në fushën ekonomike?

“Kemi disa firma britanike që po punojnë me shumë sukses në Shqipëri, siç janë Vodafone dhe Glaxo Smith Kline. Por unë do të doja të shoh më shumë investime britanike në Shqipëri  sepse besoj se tregu ka mundësi rritje. Ambasada ime po punon fort për  të inkurajuar këtë”.

Ka një përplasje të vazhdueshme të Ekzekutivit shqiptar me Institucionet e pavarura, që ka qenë e njëjtë dhe në qeverinë paraardhëse. E shikoni si fenomen të vendeve që janë në hapat e para në demokraci?

“Në çdo vend marrëdhëniet midis qeverisë dhe institucioneve të pavarur janë disa herë të vështira. Ka dy parime themelore. Së pari qeveritë duhet të bëjnë kujdes që të respektojnë të drejtat kushtetuese të institucioneve të pavarur, edhe kur këto në disa raste pengojnë apo vonojnë politikat e qeverisë. Por, nga ana tjetër, ata që përfaqësojnë institucionet e pavarur duhet të përqafojnë shpirtin e pavarësisë së ndershme, edhe nëse më përpara kanë pasur lidhje me parti politike. Është gabim të sulmosh institucione të pavarur thjesht sepse janë të pavarur: është po aq gabim të keqpërdorësh një institucion të pavarur për  qëllime politike partiake”.

Si e konsideron Britania zyrtare komunitetin shqiptar në vendin e saj?

“Komuniteti Shqiptar në Britani tashmë numëron rreth 100,000 vetë, ku shumë prej tyre punojnë shumë dhe janë të integruar mirë. Ka edhe një numër në rritje të sipërmarrësve të suksesshëm dhe intelektualëve. Sigurisht si në çdo komunitet ka edhe elementë keqbërës dhe njerëz që keqpërdorin mikpritjen tonë. Qeveria Britanike është gjithmonë e më shumë e vendosur në largimin e atyre që kanë hyrë ilegalisht ose që kanë kryer sjellje jo të mira në vendin tonë”.

A do të ketë një reagim të fortë këto ditë të Britanisë dhe SHBA-së kundër ISIS dhe pse nuk është bërë më parë?

“I ashtuquajturi Shtet Islamik është një organizatë e pakëndshme, që tashmë ka kryer krime monstruoze kundër civilëve dhe që kërkon të ndërtojë një regjim të bazuar në jo-tolerancë dhe mizori. Mbretëria e Bashkuar do të punojë me aleatët në NATO dhe në Lindjen e Mesme për  të gjetur mënyra për ta luftuar këtë aktivitet”.

Si e konsideroni qeverinë e re dhe predispozitën e saj sa i përket korrupsionit?

“Qeveria e re erdhi në pushtet me një program të mençur dhe të detajuar reformash, me një skuadër të aftë ministrash dhe një mandat të fortë nga votuesit. Por nga ana tjetër vendi ka shumë vështirësi politike, ekonomike dhe sociale. Qeveria ka bërë një fillim të mbarë në përballimin e këtyre sfidave. Në vitet në vazhdim, ka nevojë të ruajë këtë ritëm dhe të përfundojë dhe zbatojë programin e reformave. Elektorati Shqiptar është politikisht i sofistikuar: ai do ta gjykojë çdo qeveri në bazë të rezultateve, dhe jo të premtimeve”.

6 komente në “INTERVISTA/ Ambasadori britanik: Sistemi i Drejtësisë shqiptare është i organizuar keq”

  1. Tironci says:

    nigjo kty ti ingleso, mos na e shaj sistemin, se jar kapteri ka than, qi sistemi sheron vetveten, dmth pas nja 1500 vitesh do jet sheru krejt. kshu qi rri urt se mezi e kena ket sistem.

  2. xhevriko says:

    Pse c’fare pret ti mor sir nga kjo mender”drejtesi”?!!!.Qeveria e re, si e vjetra,fjale,premtime dhe ne fund. zhgenjime….prandaj te dyja qeverite, si e para dhe kjo, vijne nga mener”rilindja”….

  3. jari says:

    ti japim nje duartrokitje se ka thene dicka qe asnje nuk e dinte…

  4. Kico says:

    Cfare idioti fiks si Nard Ndoka ngjaka si ne surrat si ne mendim: kur del jashte ne shi lagesh!

  5. shkodrani says:

    Po kush me e sheru mor ta marsha?
    Edvin Kristaq Rama, apo Ilir Floriri?
    Po neser kur ti vije rradha Edvinit, a nuk do ti duhen keta gjyqtare si Xhin Xhini me shoke?
    A nuk ju deshen ne dite te veshtira Ilir Floririt keta tipa?
    PO keta tipa ju deshen ene ambasadorit amerikan, i cili pranoi qe keta tipa te hedhin poshte ene analizat e FBI-se, mjafton qe me peshtu hajnat qeveritare te kesaj Shqypnie.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje