Shqipëria ngjit 25 vende në renditjen e re të FIFA-s

18 Shtator 2014, 12:35Sport TEMA

Shqipëria ka ngjitur plot 25 pozicione në renditjen e re të FIFA-s

Në fakt, ishte e pritshme ngjitja e konsiderueshme në renditjen mujore të FIFA-s për kuqezinjtë.

Ajo fitore historike në Averio, kundër Portugalisë, në startin e fushatës kualifikuese të “Euro 2016”, me eurogolin e Bekim Balës, jo vetëm lumturoi një komb të tërë, por shërbeu që kombëtarja e drejtuar nga De Biazi të bëjë një kapërcim të madh në FIFA.

Kështu, nëse në renditjen mujore të gushtit pozicionoheshim në vendin e 70-të, tashmë renditemi të 45-t për shtatorin.

Pra, kemi superuar njehërësh 25 vende në renditjen e FIFA-s për kombëtaret.

Nëse i referohesh listës së publikuar këtë të enjte nga qeveria e futbollit botëror, kupton se kombëtarja kuqezi ka lënë lënë pas vetes kombëtare si Bullgaria, Peruja, por edhe rivalin tonë në grup, Armeninë.

Për muajin e radhës, kuqezinjtë kanë marrë 134 pikë më shumë, duke pasur për momentin 571 të tilla.

Kujtojmë se renditja më e mirë e Shqipërisë në FIFA është ajo e korrikut 2013, kur ishim në vend të 37-të, ndërsa renditja më e keqe ishte në gusht të 1997-s, teksa zinim vendin e 124-t në botë.

Gjatë këtij viti skuadra përfaqësuese jonë ka qenë kryesisht mes vendeve 50-70-të, kjo edhe për shkak të mbylljes shumë të keqe që u bëmë kualifikimeve për Botërorin e Brazilit.

Sa i takon grupit tonë kualifikues për “Euro 2016” (Grupi I), Portugalia është më lart, në vendin e 11-të, me 1150 pikë, pa ndryshuar pozicion në krahasim me muajin e kaluar.

Më pas vjen Danimarka, kundërshtari ynë i radhës, me të cilin do të luajmë në 11 tetor në “Elbasan Arena”.

Nordikët e Morten Olsenit janë në vendin e 27-të, me 833 pikë.

Pavarësisht se fituan me përmbysje në kualifikuesen e parë me Armeninë, danezët e kanë humbur një vend në krahasim me muajin e shkuar.

Serbia vjen e treta për Grupin I, me pozicionin e 34-t në renditjen mujore të FIFA-s. Ajo ka 646 pikë dhe ka humbur 3 vende.

Përfaqësuesja ballkanike e drejtuar nga holandezi Dik Advokat luajti miqësore në ditën e parë të kualifikueseve të “Euro 2016”, kundër Francës, ku barazoi 1-1. Pas serbëve vijnë kuqezinjtë në këtë lloj renditjeje të kombëtareve.

Shqipëria është 11 vende pas kombëtares me të cilën do të ballafaqohemi më 14 tetor në Beograd, ndërsa kemi lënë pas vetes Armeninë. Kjo e fundit renditet në vendin e 52-të me 556 pikë dhe ka humbur 16 vende krahasuar me muajin pararendës.

Renditja mujore e FIFA-s vijon të kryesohet nga Gjermania, e ndjekur nga Argjentina dhe Kolumbia, ndërsa Spanja, që për një kohë të gjatë ishte e para, tani pozicionohet në vendin e 8-të.

2 komente në “Shqipëria ngjit 25 vende në renditjen e re të FIFA-s”

  1. kurse shqipnija osht mrapa liste

  2. Google Translater says:

    Here tjeter mos u lodhni kaq shume me google translater. Shqiperia ne vendin e 45 meqe ra fjala, Portugalia 11, Danimarka 27, Serbia 34, Armenia 52.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje