Masimiliano Alegri është basti i fituar i Juventusit.
Në ndrejtimin e tij “Zonja e Vjetër” jo vetëm nuk ka ndryshuar fytyrë, por ka marrë pikë të plota në këtë fillim sezoni, raporton Sport News.
Drejtori i Juventusit, Bepe Marota, e pranon se ekzistonte një lloj skepticizmi mbi ish-trajnerin e Milanit:
“Alegri ka shumë merita.
Nuk ishte i panjohur për ne, pasi kishte bërë mirë te Milani.
Ai është një trajner fitues dhe i plotësonte kushtet për të marrë drejtimin e Juves.
Skepticizmi mbi Alegrin ishte deri diku i drejtë, duke patur parasysh atë që kishte arritur Konte.
Impakti mund të kishte qenë negativ pas 3 titujve radhazi, sepse trajneri është lideri i një grupi.
Gjithsesi pas një trajneri dhe një skuadre të duhet të jetë një shoqëri e fortë, e cila duhet ta mbështesë gjithmonë teknikun.”
Rivaliteti për titullin kampion duket se do të jetë një garë dyshe mes Juventusit dhe Romës.
Këtë perceptim ka edhe drejtuesi i lartë bardhezi:
“Fillimi i kampionatit na sugjeron që do të jetë një rivalitet kokë më kokë Juventus – Roma.
Fakti që të dyja skuadrat kanë grumbulluar pikë të plota në 3 ndeshjet e para, do të thotë se janë favoritet kryesore për titull.”
Më pas një koment mbi zërat rreth një interesimi të mundshëm për Balotelin:
“Baloteli nuk ka qenë kurrë objektivi ynë dhe në asnjë momemt nuk kemi hyrë në bisedime për ta sjellë në Torino.
Ndërsa Imobile e ka shpjeguar se kishte dëshirë të shkonte te Dortmundi.
Gjithsesi, jemi të kënaqur me blerjen e Moratas dhe Koman”
Championsin apo Serinë A, cilin trofe preferon më shumë Marota:
“Nëse do të kisha mundësi të zgjidhja, do të thosha Championsin.
Po të mundja, do t’i merrja të dyja.”