Qeveria shqiptare ka nisur pagesat e dëmshpërblimit ndaj kompanisë CEZ. Kësti i paguar para 1 jave kap shifrën e 10 milionë eurove, ndërsa mësohet se do të vijohet me shlyerjen e kësteve të tjera me vlerë nga 20 milionë euro.
Ndërkohë, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës marrëveshjen për një kredi të OSHEE. Zëvendësministri i Financave Erjon Luci theksoi se do lëshohet garanci për OSHEE me vlerë prej 83 mln euro.
Në 24 qershor, Ministria e Industrisë dhe Energjisë njoftoi se Qeveria shqiptare ka arritur një marrëveshje për mbylljen e bisedimeve mes saj dhe kompanisë CEZ, ku pala çeke heq dorë nga kërkimi i vlerës prej 103 milionë euro të paguara për blerjen e aksioneve në vitin 2009, si dhe nga çdo pretendim tjetër financiar që lidhet me vlerën e blerjes dhe investimeve fillestare.
Shoqëria tjetër e kontrolluar tashmë nga shteti do t’i paguajë palës çeke rreth 95 milionë euro deri në vitin 2018, pagesë e cila do të bëhet me këste.
Kjo pagesë nuk do të bëhet nga buxheti i shtetit, por nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes.