Komisioni i Jashtëm "Ok" kandidatëve për ambasador në Rusi dhe Arabinë Saudite

1 Tetor 2014, 15:48Politika TEMA

Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme shprehu sot mbështetjen për dy kandidaturat për ambasadorë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe në Federatën Ruse.

Komisioni i Jashtëm zhvilloi seanca dëgjimore me kandidatin Sami Shiba, i propozuar për postin e Ambasadorit në Mbretërinë e Arabisë Saudite rezident, si dhe ambasador jorezident, në Mbretërinë e Bahreinit, në Sulltanatin e Omanit dhe në Republikën e Jemenit.

Ndërsa Arben Gazioni është propozuar nga Ministria e Jashtme si kandidat për ambasador në Federatën Ruse rezident, dhe ambasador jorezident në Republikën e Bjellorusisë, të Kazakistanit, si dhe në Republikën e Uzbekistanit.

Pas prezantimit të tyre nga sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme Qirjako Qirko, dy kandidatët paraqitën prioritetet në misionet e ardhshme diplomatike në këto vende.

Kandidati për ambasador në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Sami Shiba, tha se krahas përpjekjeve për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe, puna e tij do të përqëndrohet dhe në lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës, nga ato vende të Gjirit që nuk e kanë njohur ende.

Ndërsa kandidati për ambasador në Federatën Ruse, Arben Gazioni e vuri theksin tek dinamizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat, tha ai, kanë qënë të ndërvarura nga politika. Sipas tij, çështja e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe kriza ukrainase janë probleme që reflektohen dhe në marrëdhëniet dypalëshe. 

Gazioni tha se mes dy vendeve janë nënshkruar 51 marrëveshje dypalëshe, ndërsa mungojnë shkëmbimet politike. Kandidati për ambasador në Moskë nënvizoi rëndësinë e gjallërimit të marrëdhënieve me Rusinë, si një vend anëtar i përhershëm i Këshilli të Sigurimit, por dhe për potencialin e madh ekonomik të tij. Gazioni e vuri theksin tek nxitja e bashkëpunimit me palën ruse sidomos në fushën e bujqësisë, të sektorit minerar, etj.

1 komente në “Komisioni i Jashtëm “Ok” kandidatëve për ambasador në Rusi dhe Arabinë Saudite”

  1. xhevrija says:

    U pika,shtetit shqiptar dhe sallatoreve shqiptare!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje