Studentët të cilët dëshirojnë të transferojnë studimet nga një universitet në tjetrin, mund t’a realizojnë këtë pas udhëzimit të dalë nga Ministria e Arsimit.
Kjo e fundit ka bërë publike udhëzimin më të fundit i cili u jep mundësi këtyre studentëve që deri në datën 6 tetor ora 12.00 të aplikojnë për transferimin e studimeve.
Kurse për programet e studimit që parashikojnë konkurs për pranimin e tyre, aplikimet kryhen nga data 1 tetor deri në orën 12.00 të datës 3 tetor 2014.
Studenti që aplikon për transferim studimesh, paraqet dokumentacionin e kërkuar pranë sekretarive mësimore që mbulojnë programin përkatës të studimeve, ndërkohë që urdhri i MAS përjashton nga ky proces transferimesh studentët të cilëve universiteti ku kanë studiuar iu është hequr licenca.
“Transferimi i studimeve mund të bëhet në një program studimi të njëjtë ose të ngjashëm të të njëjtit cikël e tipologji. IAL-ja mund të përcaktojë kritere të tjera shtesë të cilat përcaktohen në statut ose rregullore. Universitet nuk mund të pranojnë aplikime për transferime gjatë vitit akademik” thuhet në udhëzimin e MAS.