Ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto tha gjatë seancës parlamentare se duhet të kemi një ndryshim themelor në konceptimin dhe realizimin e projekteve, të cilat i mbështesim me buxhetin tonë.
“Duhet ndryshuar mënyra si i planifikojmë. Pa diskutim që infrastruktura fizike është e rëndësishme. Ajo duhet planifikuar, shtrirë në kohë në buxhet në mënyrë optimale dhe jo në mënyrë të jashtëzakonshme, me qëllim që efikasiteti i realizimit të vepres të jetë i madh me impaktin ekonomik, por para të gjithash të jetë edhe me impaktin social”, u shpreh Haxhinasto.
Kuvendi diskutoi mbi Buxheti Faktik të vitit 2013. Sipas p/ligjit, shkeljet administrative dhe moszbatimi rigoroz i ligjit të buxhetit gjatë vitit të kaluar kanë shkaktuar një dëm ekonomik prej 230 milionë dollarë.
Ministri i Transportit tha se duhet të plotësojmë kuadrin tonë rregulltor dhe planifikues, si dhe dokumentat e standardeve, pasi vijoi ai, sot akoma jemi duke përgatitur dokumentat e standardeve të rrugëve, ujesjellës- kanalizimeve, gjë që ka sjellë që realizimi faktik i veprave të mos jetë në një standard dhe kompatibiliteti i tyre dhe futja në lidhje në rrjet kanë patur probleme serioze.
Planifikimi, vijoi Haxhinasto, duhet të jetë domosdoshmërisht në dimensionin e vet rajonal.
“Në planifikimin tonë patjetër që duhet të koordinohemi me fqinjët tanë, me qëllim që veprat që planifikojmë në territorin tonë të kenë frymëmarrje rajonale”, deklaroi ministri.
Në të ardhmen, theksoi ministri, do të reflektohet në mënyrën si shikohen sektorë të ndryshëm të transportit, pasi duhen parë në harmoninë e tyre.
“Ndryshim themelor do të ketë në shërbimet që ofrohen nga infrastruktura fizike. Një reformë e thellë, tha ai më tej, po ndërmerret, ndërsa do të mbështetet edhe nga ana buxhetore”, vijoi ai.
Sipas tij, siguria rrugore e lënë totalisht mënjanë, është kthyer në vëmendjen e qeverisë.
“Me masat e marra, arritëm që për një periudhë të shkurtër kohore të ulim numrin e aksidenteve në rrugët tona me 20 %”, theksoi Haxhinasto.
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, e vuri theksin tek buxhetimi më i lartë krahasuar me vitet e kaluara.
“Ky ishte viti i parë për shtresat në nevojë, si, pensionistë rreth 700 mijë vetë, ish-të pëndjekur rreth 12.000 vetë, njerëz me aftësi të kufizuar rreth 165 mijë vetë, njerëz me ndihmë ekonomike rreth 108 mijë familje. Për herë të parë në 8 vite ata nuk patën asnjë ditë vonesë për pagesën”, u shpreh Veliaj.
Ai shtoi se “e përkthyem rritjen e të ardhurave në më shumë pagesa për ata që ishin në nevojë, që të siguroheshin që ligji ynë i parë i qeverisjes, të ishte dhe viti i parë që ne nuk kishim vonesë-ankesa”.
Veliaj nënvizoi se trefishimi i buxhetit për fondin e punësimin krahasuar me vitet e fundit, ishte i drejtë, pasi me 2.7 milion dollarë u punësuan 3300 vetë. Gjithashtu, ai vleresoi rezultatet, duke shtuar se vitin tjetër do të dyfishohet fondi i nxitjes së punësimit.
Duke marrë fjalën në seancë, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, tha se “ne arritëm të furnizojmë me vlerë 1.2 milion dollarë më shumë me barna dhe materiale minimale mjeksore, pajisje të rëndësishme bio-mjekësore, të vëna në shërbim në spitalin e traumës Tiranë, spitalin Rajonal të Durrësit, Spitalin Rajonal të Korçës, për të vendosur bazat e një funksionimi normal”.
Beqaj foli per gjëndjen financiare të lënë nga qeveria e kaluar, duke përmenduar edhe programet buxhetore, të cilat, sipas tij, duhet të përmbushnin nevojat minimale jetike të qytetarëve shqiptarë.
“Situata në shëndetësi ishte problematike. Spitalet në muajin shtator 2013 ishin të pafurnizuara me barna, një pjesë e mirë e pajisjeve ekzaminuese nuk funksiononin. Ndërkaq, ishte akumuluar prej vitesh një borxh detyrimesh të pashlyera për furnizime me barna, materiale mjekësore apo sherbime të tjera bazike për shërbimin shëndetësor parësor”, tha ministri Beqaj.
Gjithashtu, ai përmedi faktin se në fund të muajit gusht 2013, drejtuesit e qeverisë së kaluar, nëpërmjet veprimeve administrative të realizuara nga ana e tyre, penguan funksionimin normal te shërbimit shëndetësor.
Beqaj shtoi se “praktikisht, në muajin gusht nuk është respektuar kontrata e mirëmbajtjes së pajisjeve të rëndësishme ekzaminuese në QSUT. Ndaj ishte e domosdoshme të krijonim një stabilitet minimal, një funksionim normal të spitaleve tona”.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, deklaroi në Parlament se keqmanaxhimi i financave publike rriti defiçitin, borxhin publik dhe detyrimet e pashlyera.
“Buxheti i vitit 2013 është rast klasik i shpenzimeve publike për efekt elektoral”, deklaroi Bushati.
Deputeti i PS-së vuri në dulje se viti 2013 u karakterizua nga mungesa e likuiditetit në treg dhe kredive bankare për biznesin.
“Bankat braktisën biznesin dhe financuan defiçitin tregtar. Shkeljet më të rënda janë konstatuar nga administrata fiskale, pra tatime e dogana. Buxheti i shtetit gjatë vitit të kaluar ndryshoi dy herë, duke korrigjuar treguesit fiskalë të programuar në fillimvit”, tha ai.
Faktikisht, buxheti do te kete vetem impakt pozitin ne xhepin tuaj zoti Minister (nuk te paragjykoj por flas nga ekseprienca). Duhen politika konkrete te cilat te ndihen realisht nga njerezit dhe te prodhojne vlera duke zbutur varferine, dhe jo thjeshte nje propagande per konsum dhe justifikim mediatik per postin qe juve mbani. Neqoftese vazhdohet keshtu, atehere me vijne ne kujtese, pllanet 5-vjecare te partise se punes te cilat e katandisen Shqiperine pa buke ne vitet 90-te!