Gjatë qëndrimit në Berlin, ku ndodhet për të marrë pjesë në Konferencën e Aspenit për vendet e Evropës Juglindore, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi disa takime me fokus forcimin e bashkëpunimit dypalësh mes Shqipërisë dhe Gjermanisë.
Bushati u prit nga ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane, Michael Roth, ku kreu i diplomacisë shqiptare vlerësoi raportin e progresit të BE-së për Shqipërinë dhe vuri në dukje përgatitjet që pala shqiptare po bën për përmbushjen e reformave dhe kritereve që do të mundësojnë avancimin e Shqipërisë drejt BE-së.
Ministri Roth përgëzoi angazhimin që Shqipëria ka dëshmuar në procesin e reformave shtetndërtuese, duke vlerësuar dinamizmin e Shqipërisë dhe angazhimin e saj evropian.
Të dy Ministrat diskutuan në vijim edhe mbi zhvillimet e fundit në Ballkan, si dhe mbi rolin stabilizues dhe aktiv të Shqipërisë në rajon.
Ministri Bushati zhvilloi gjithashtu takime me Zëvendëspresidentin e Bundestagut Johannes Singhammer, dhe me Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Çështjet e BE-së Günther Krichbaum.
Ministri Bushati vlerësoi rolin e Gjermanisë si promotore e proceseve integruese në Ballkan dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat.
“Procesi i nisur në Berlin, nën drejtimin e Kancelares Merkel, është një mundësi e mirë për të thelluar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit por dhe për të ofruar një perspektivë më të qartë të BE-së në rajon”, tha Bushati.
Zëvendëspresidenti i Bundestagut Singhamer shprehu kënaqësinë që pas Konferencës së Berlinit marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë njohur një intensitet të shtuar politiko-diplomatik.
Në takim u vlerësua ecuria pozitive e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, kryesisht në sundimin e së drejtës në ekonomi. /gj.k/