Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën e Presidentit Bujar Nishani për pezullimin e ligjit të miratuar nga Parlamenti për Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Përfaqësuesit juridik të institucionit të Presidencës në këtë proces, kanë ribërë edhe njëherë kërkesën për pezullimin e ligjit, duke u fokusuar vetëm në një nen të tij, zgjedhjen e zv.Kryetarit të KLD-së.
Ledina Mandia, juriste e Presidentit, tha se parlamenti nuk mund të heqë me ligj kompetencat që Kushtetuta i jep kreut të shtetit.
“Kërkuam pezullimin e ligjit pasi pati veprime konkrete, si shkarkimi i Elvis Çefës, njëherësh nënkryetar i KLD, dhe Lulzim Lelçaj. Ribëjmë sërish kërkesë për pezullim pasi zgjedhja e dy anëtarëve të rij do të përcaktojë zëvendëskryetarin e ri”, tha Mandia.
Sipas Presidencës, zgjedhja e dy anëtarëve të rinj në KLD, konkretisht Albana Shtyllës dhe Vangjel Kostës në vendin e Çefës e Lelçajt, u bë pa shumicë të cilësuar në parlament.
“Gjykata Kushtetuese t’i drejtohet Komisionit të Venecias për këtë konflikt juridik për ligjin e KLD”, tha juristja Mandia.
Në vijim ajo shtoi se “Nënkryetari i KLD-së është funksion kushtetues, dhe mund të jetë edhe gjyqtar, por duke pezulluar mandatin e gjyqtarit”.
Ndërsa juristi i Këshillit të Ministrave Artur Metani kërkoi rrëzimin e kërkesës së Presidentit, duke shtuar se në qoftë se nënkryetari i KLD-së do të jetë një gjyqtar, atëherë ai nuk do të mund të shërbejë në këtë post me kohë të plotë. /gj.k/