Shantazhi si zgjidhje

6 Nëntor 2014, 17:29Blog TEMA

Nga Imer Mushkolaj*

 

Pasi ka zvarritur dhe penguar për pesë muaj krijimin e institucioneve, PDK-ja së fundi po kërcënon me zgjedhje të reja, nëse Blloku nuk pranon t’ia mundësojë që edhe më tej të mbetet në qeveri. Që të krijojë vërtet përshtypjen e një partie demokratike e institucionaliste, ajo mblodhi kryesi e këshill për të thënë edhe njëherë, më zëshëm, se nuk mund të krijohen institucione pa të ose vendi shkon në zgjedhje.

Në një situatë kur ekziston një shumicë në Parlament, e cila pa problem mund t’i bëjë institucionet, PDK po kërcënon me zgjedhje nga dëshpërimi se pavarësisht që iu dha mundësia më 8 qershor, nuk i ka numrat të qeverisë, sepse askush nuk po dëshiron t’i bëhet krah.

Në përpjekje për të qëndruar edhe më tej në pushtet dhe duke iu zbehur shpresat se Blloku mund të çahet, partia e Hashim Thaçit po përpiqet të shantazhojë subjektet rivale me organizimin e zgjedhjeve të reja, ndërkohë që nuk është ajo që vendos e vetme nëse qytetarët shkojnë tek kutitë e votimit edhe njëherë.

Nga fjalët e buta e sjelljet e matura, zyrtarë të PDK’së së fundi kanë nisur të ndërrojnë lëkurën, mu si ai zvarraniku nofkën e të cilit e mban shefi i tyre. Tash ata flasin me tone kërcënuese e shfaqen arrogantë, sepse e duan pushtetin me çdo kusht. Ose pushtetin, ose zgjedhje. Thonë se tjetër rrugë s’ka.

Rruga që zgjodhi Hashim Thaçi për të mbetur edhe më tej në pushtet, duket të ketë qenë e menduar mirë. Ai shfrytëzoi të gjitha mundësitë, nuk la gur pa lëvizur që t’i realizojë qëllimet e veta – pavarësisht se ka vetëm 36 deputetë në Parlament, pavarësisht se është pakicë. Si i tillë, ai u kthye në pengues, bllokues dhe shantazhues duke mbajtur peng krijimin e institucioneve.

Me vetëm 36 deputetë, ai vazhdon të synojë marrjen e pushtetit, edhe pse në praktikë situata është krejt tjetër. Pra, pakica nuk po i lejon shumicës t’i krijojë institucionet.

Në anën tjetër, Bllokut si shumicë i takon të gjejë zgjidhje, e ka përgjegjësinë për të gjetur zgjidhje, ndonëse nuk është gjë e lehtë në situatën kur PDK nuk lejon as vazhdimin e seancës konstituive të Parlamentit. Nuk mjafton që numrat me bollëk t’i përdor si shantazh karshi Hashim Thaçit, por duhet provuar zgjidhje kreative.

Blloku do të mund ta ridizajnonte marrëveshjen brenda vetes, në mënyrë që PDK ta zgjedh kryeparlamentarin, por vetëm me garanca ndërkombëtare se do të mund ta bëjë qeverinë. PDK’së nuk i besohet, ndërkohë që “diskrecioni i presidentes” në rastin e mandatarit, po ashtu, mund të jetë problematik. Vetëm garanca e fortë për mundësinë e krijimit të qeverisë do të mund të bënte Bllokun të reflektojë. Ndryshe, nuk ka pse ia bën Thaçit numrat për t’ia dhënë pushtetin edhe njëherë.

Por, edhe nëse i jepet mundësia ta bëjë qeverinë, nuk ka kurrfarë garance se Blloku do të mund të qeverisë ashtu siç presin qytetarët. Brenda Bllokut ka liderë të dështuar, qeverisjen e të cilëve qytetarët e kanë provuar. Ka të dyshuar për korrupsion e për të tjera dallavere.

Alternativa karshi Hashim Thaçit, fatkeqësisht, nuk është ajo e dëshiruara. Por, tash për tash është e vetmja që t’ia prejë rrugën atij edhe për një mandat.

E kur gjithçka është bllokuar dhe shteti po shkon drejt dështimit, opsioni i rrugës nuk përjashtohet nga qytetarët. Ata janë lodhur nga lojërat e fëlliqta të liderëve politikë dhe mund të ndodhë që të zgjedhin mjete të tjera, të padëshirueshme, për shprehjen e pakënaqësive të veta. Ata do të dilnin në rrugë jo vetëm për shkak të zhbllokimit të situatës, por edhe si pasojë e 15 vjetëve keqqeverisje, korrupsioni e izolimi.

Për qytetarët e çdo vendi tjetër, të cilët do të ballafaqoheshin me këso problemesh si kosovarët, protestat do të ishin diçka normale, madje fort të shprehura. E çuditshme qysh këta njerëz kanë duruar deri tash dhe nuk kanë reaguar ndaj veprimeve skandaloze të atyre që i kanë udhëhequr.

E tash sërish iu thuhet se rruga nuk është zgjedhje e duhur. Sërish iu çohen porosi që të vazhdojnë e t’i durojnë teket e politikanëve dhe t’iu paguajnë nga xhepi i tyre paga të majme pa bërë asgjë.

Nëse duan të mos e dhinë punën, siç tha ambasadorja amerikane – ndonëse nuk kanë çka e dhinë më tepër – liderët partiakë duhet ta lënë anash retorikën boshe, shantazhet e kërcënimet ndaj njëri-tjetrit dhe duhet të gjejnë zgjidhje. Duhet t’i japin fund talljes legjendare me popullin. Ndryshe, nëse vazhdojnë me këtë papërgjegjësi e arrogancë, atëherë qytetarët janë ata që duhet t’u thonë mjaft. Atëherë, përnjëmend, dhihet puna.

*Express

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje