Unë kam botën time

6 Nëntor 2014, 17:32Blog TEMA

Nga Marenglen Rexhaj*

 

Bota per ne është ajo që ne arrijmë të shohim, të prekim, të dëgjojmë, të nuhasim, të perceptojmë.

Shpesh bota që na prezantohet përmes shqisave tona nuk na pëlqen aq shumë. Në këto kushte brenda secilit prej nesh lind dëshira për ta ndryshuar atë. Ne nuk kënaqemi me aq pak informacion sa shqisat tona na japin mbi botën, duam të dimë më shumë. Në mendjet tona krijohen kushtet per lindjen e pyetjeve të mëdha, mbi botën e gjithçka rreth saj. Mendja na shkon tek diçka me e madhe se vetë bota. Pyesim duke harruar që dhe pyetjet nuk lindin në boshllëk.

Duhet të dish të paktën një gjë që të mësosh një tjetër.

Fëmijët shpenzojnë rreth një vit duke marrë informacion përmes shqisave të ndryshme, përpara se të fillojnë të bëjnë pyetje. Kur fillojnë të na pyesin ne mahnitemi me zgjuarsinë e tyre. Ata na mahnisin me pyetjet e tyre të zgjuara, ndërsa ne i zhgënjejmë me përgjigjet tona të cekta.

Shkollat, dhe gjithë sistemet e edukimit të mendjes, marrin përsipër të na japin më shumë informacion seç mund të marrim jashtë tyre, me qëllim që të kemi kuptimin e duhur mbi botën dhe jetën tonë.

Disa sisteme ia kanë dalë më mirë, ndërsa disa të tjera kanë dështuar me sukses të na ndikojnë perceptimin tonë rreth botës. Gjithsesi, secili prej nesh është domosdoshmërisht brenda njërit prej sistemeve të instaluara në shoqërinë tonë. Sisteme të tilla mund të jenë fetare edhe laike, në të dy këto ndarje ka shumë nëndarje të tjera. Shoqëria jonë një herë ka dashur njërën e një herë tjetrën më shumë.

Tani po mundohet ta ndajë dashurinë e saj, në mënyrë më racionale me të dyja njëkohësisht. Jemi një shoqëri e hapur, lehtesisht e ndikueshme nga çdo lloj doktrine, prandaj jemi shpërndarë si delet pa bari. Jemi në kohën kur brenda së njëjtës familje, secili e përshkruan botën ndryshe, a thua se nuk jetojmë në të njëjtën kohë e botë.

Kështu na del që të kemi brenda të njëjtës familje, artistë dhe kriminelë.

Me respektin më të madh për lirnë e individid duhet ta dimë që bota është e njejta, ajo nuk është cfarë individi mendon rreth saj, ajo është ajo që është përpara se ne të mendojmë.

Por për ne ka pak rëndësi se çfarë është ajo pa ne, ne jetojmë me shprehjen “Unë kam botën time”.

Dhe kur dikush thotë këtë shprehje, ai në fakt mund ta besojë vërtet që ka botën e vet, por gjithë të tjerët e dinë që ai ndan me ne të njëjtën botë që ne ndajmë me atë. Shprehja është e këndshme, një dëshirë e sinqertë e njeriut për të patur botën e tij. Siç duket, për të realizuar këtë dëshirë të tijën, njeriu ka bërë një manipulim të mendjes së vet, dhe quan botë të tijën pikën nga ai ka zgjedhur të shohë botën tonë.

Çfarë dua të them, është se ajo që ne quajmë botën tonë, apo botën e tjetrit, janë thjesht pikëshikime të ndryshme të së njëjtës botë. Pavarësisht lirisë për ta parë botën nga cila pikë të duam duhet të kuptojmë që po shohim botën tonë të përbashkët.

Disa sisteme të edukimit të mendjes mësojnë gabimisht që bota është vetëm e atyre që e shohin atë nga pika që ky sistem referon. Duke u edukuar kështu ata u shpallin luftë gjithë të tjerëve, që e shohin botën nga pikëshikime të tjera.

Nëse është e pamundur që ta shohim botën nga i njëjti pikëshikim, të paktën le t’i kujtojmë vetes që bota është e jona, e të gjithëve, ndërsa pika nga ne e shohim atë është zgjedhja e gjithsecilit.

Kështu do të kuptojmë që gjithçka që është vetëm e jona, është një pikë në këtë botë nga e cila zgjedhim ta shohim të gjithën.

Kujdesu të zgjedhësh pikën më të mirë!

*Marrë nga agorashqiptare.al

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje