Për me dalë nga burgu i historisë!

17 Nëntor 2014, 11:32Blog TEMA

Nga Ardian Ndreca

Fjalimi i kryeministrit Rama gjatë konferencës për shtyp në Beograd shpalosi nji program që mton me përcaktue se me çfarë frymet duhet të zhvillohen në të ardhmen marrdhanjet mes dy vendeve. Nuk patëm fat të ndigjojmë qartazi diçka të përafërt nga kryeministri serb A. Vuçiq (Vučić), që reagoi ndaj nji çeshtjessë vetme,e cila i ka kapërcye me kohë kufijtë e Ballkanit. Qëndrimi i Ramës u mbështet nga të gjitha anët, kuptohet tue përjashtue ekstremizmin fqinj dhe disa shqiptarë që nuk mbërrijnë me na surprizue ma as me heshtjen e tyne.

Rama foli për nji rrugtim të përbashkët, për kultivimin e besimit të ndërsjelltë tue mos ia lejue vetes që të ndikohemi nga traumatizmi historik tue paragjykue kështu të ardhmen.

Koncepti i tij i rindërtimit të marrdhanjeve mes fqinjëve në Ballkan meriton nji vemendje të veçantë, pse implikon disa kategori historike që ndikojnë në formësimin e vizionit që ballkanasit kanë për njeni-tjetrin.

Vetë gjuha që përdoret në Ballkan për me përçansue “tjetrin” asht e ndikueme prej marrdhanjeve shekullore. Shekuj të tanë plot “fërkime” (dhe skaji asht nji eufemizëm), kanë minue besimin se në të ardhmen mund të ndërtojmë diçka pozitive. Vizita e Ramës ishte tentativa e parë konkrete për me çminue nji fushë shekullore, mbi të cilën asht rritë fara e urrejtjes së ndërsjelltë. Besoj se vizita shenjoi nji hap pozitiv në marrdhanjet me Serbinë por edhe nji risi në lidhje me vetë paraqitjen e politikëssonë të jashtme. Premisa e gjithë këtij diskursi asht se marrdhanjet tona nuk janë unike në negativitetin e tyne, por analoge me ato të popujve tjerë ballkanikë. Ky relativizim ndihmon me fokusue ma mirë problemet.

Para 68 vjetësh vizita e Enver Hoxhës në Beograd ishte vizita e nji vasali që kërkonte nji shpatull për t’u mbështetë për me ruejt pushtetin e vet, ajo e Ramës ishte vizita e nji burri shteti që fliste haptas, qartë dhe mbi të gjitha pa komplekse. Nuk kemi për shembull asnji të dhanë që Enver Hoxha t’i ketë kërkue Titos llogari për Kosovën apo për masakrën e freskët të Tivarit, ndërsa pamë sesi Rama parashtroi qetsisht nji fakt të kryem siç asht shteti i pamvarun i Kosovës dhe kërkoi në mënyrë implicite njohjen e tij.

S’mund të ketë asnji heroizëm në këtë qëndrim, pse kryeministri i nji shteti modern europian në mijëvjeçarin e tretë nuk ka rolin e Rikard Zemërluanit mesjetar, ai thjesht bani detyrën e vet. Por, tue qenë se nuk jemi mësue me kryeministra që bajnë detyrën, nji pjesë u surprizue dhe iu duk se përmbushja e detyrës përbante diçka heroike. S’kanë faj, në këto dy dekada janë mësue me presidenta republike që banin kontrabandë karburanti me Millosheviqin, me kryeministra që banin politikën me sms të ulun nepër buzuqe, prandaj iu duk heroizëm pohimi i nji të vërtete.

Politika e jashtme shqiptare ka jetue në këto dy dekada nji fazë tejet të kompleksueme, tue shpreh inferioritet dhe servilizëm ndaj të fortëve, tue u mundue me shpluhnosë “krushqina” të harrueme për me hapë dyerte ndonji kancelarije ballkanike, apo tue shkrepë foto korridoresh sa për me i shpëtue fytyrën ndonji politikani autoritar mbrenda vendit dhe burrec përjashta. Ndërsa kjo vizitë shprehu nji vullnet politik që nuk pranon asgja të rreme në komunikimin mes fqinjëve. Ka probleme, madje jo të vogla, por ka edhe vullnet për me i zgjidhë ato. Këtë gja e konfirmoi vetë qëndrimi i kryeministrit serb Vuçiq.

Disa politikanë, mjaft pseudo-historianë apo edhe opinionista e gazetarë oborrit të improvizuem si historianë nuk kanë ba tjetër veçse i kanë hedhë benzinë zjarrit në gjithë këto vite, tue shprazë emocione të ndezuna, tue shpalosë demagogji, monumentalizëm kallp dhe nji serifaktesh të shkëputuna prej konteksteve historike përkatëse, që të marruna si të tilla do të detyronin deri edhe Konfederatën Helvetike me i shpallë luftë gjysmës së Europës.

E sotmja dhe e ardhmja nuk mund të përcaktohen verbtas prej historisë së kalueme, qoftë pozitive, qoftë negative. Këtë gja për shembull e kemi superue në raport me Turqinë, por nuk mbërrijmë me e superue me Greqinë dhe me Serbinë.

Rama tregoi se ka politikanë shqiptarë që mbërrijnë mekalue përtej ndjenjëssë pafuqisë ndaj së kaluemes dhe mbërrijnë me shikue përpara. Jemi të ndërgjegjshëm sepolitikanë dhe intelektualë liberal si ai ka edhe në Beograd, Podgoricë, Shkup apo Athinë, prandaj dialogu asht nji detyrë për të gjithë.

Historiografia nuk asht nji kult fetar, prandaj le ta kthejmë historinë në nji “shkencë të heshtun e të pabujshme”, që me metodologjinë e saj mbërrin me u distancue prej emocioneve dhe nuk pranon të kthehet në instrument të politikës së votave me çdo kusht dhe të masave gjaknxehta.

Historinë nuk e shkruejnë as politikanët, as tifozat dhe as oborrtarët që dijnë veç me iu lëpí të fortëve, ajo shkruhet vetëm prej historianëve të mirëfilltë, specie jo endemike kjo në Shqipní.

Por, për popuj si ne të Ballkanit që hamë bukë dhe histori lypet edhe vullneti i shëndetshëm me harrue apo mos me kujtue gjithçka të keqe që kemi provue në të kaluemen. Shkaqet për këtë akt terapeutik lidhen kryekreje me faktin se jo çdo gja e keqe që na ka ndodhë asht mvarë drejtpërdrejtë prej vullnetit tonë.E kam fjalën për vullnetin tonë si qytetarë që popullojmë sot Ballkanin. Madje në të kaluemen, shumë luftna në të cilat kemi marrë pjesë, janë shpallë prej pushtuesve të huej të vendit tonë si Perandoria otomane apo Italia fashiste. Nuk mund të bajmë pra sot nji llogari të vetme qindrashekullore për me la hesapet e Ballkanit, historia nuk ka tagër me zëvendësue moralin, dhe askush nuk ka tagër me u kthye në gjykues moral të dhjetë shekujve. Historianët-gjykatës harrojnë se sado që të shtërngojnë fort indiciet dhe faktet, atyne u rrëshqet përduersh subjekti i gjykimit, pse vetë dinamizmi i historisë nuk lejon përgjithsime apo konkluzione vertikale.

Do të duhej të shihmin me nji sy tejet skeptik atë që na serviretshpesh prej demagogësh të sprovuem,këtej e matanë kufinit, nën petkun e dyshimtë të tragjikes, monumentales, rrënqethëses, ngashnjyeses, tue dashtë me ndezë pasione irracionale që ngatrrojnë qëllimshëm atë që ka kalue me atë që ende nuk ka ardhë.

Duhet të jemi të zotët që në vend të nji kujtese zoologjike, të kultivojmë nji kujtesë selektive që të privilegjojë hetimin e fajeve mes nesh dhe jo gjithnji tek të “tjerët”, tek të “këqijtë”, tek ata që mund të sakrifikohen pse janë ndryshe prej nesh. Nji memorie e tillë, që s’epet përpara tundimit të keqpërdorimit retorik përban atë që disa e kanë quejtë “etika e kujtesës si dëshmi”.

Ndaj historisë duhet të kemi nji “shqetsim kritik”, çdo fakt apo interpretim që kalon doganën e historisë pa pasë kalue në mënyrë kritike në tryezën e historianit ndërton vetminë tonë dhe na pengon me dialogue dhe me hedh ura aty ku ka brigje të palidhuna që urrejtja dhe mosnjohjai bren dhe i largon ma shumë.

Kujtesa historike asht detyrë, vërente Paul Ricoeur, por nuk mund të jetë kujtesë e gjithçkaje. Vetë truni ynë në mënyrë të pavetëdijshme fshin shumë gjana të kota dhe të damshme.

Nevrotizmi i nacionalizmit shovinist duhet të superohet simbas nji mekanizmi të ngjashëm me atëqë Sigmund Freud e ka quejtë shlyemja (Verdrängung) e peshave të nënvetëdijes. Nuk mund të pranojmëqë asnji fakt historik të na përcaktojë përgjithmonë në gjendje luftet me ata që kemi afër. Kujtesa selektive apo ajo që P. Ricoeur e ka quejt “un oubli de ressource”, lejon me ecë përpara pa përfundue të tërhequn zharg prej së kaluemes në nji humnerë pa fund.

Në ketë kuptim historia nuk mund të bahet kurrë e ardhmja jonë. Vetë lindja e kombeve moderne europiane bazohet tek superimii shumë episodeve negative si luftna civile, konflikte me ngjyrime fetare, kobe dinastike, irredentizma dhe vullnete centrifugale. Vazhdimësia e jetës kërkon edhe harresë, pse nji kujtesë natyrale pa kufij logjikë rrezikon me na tërheq teposhte si Sizifë modern.

Kujtesa historike nuk ka veti matematike të pandryshuemshme që të përsërisin dhe të parashikojnënë mënyrë identike faktet, vlerat, marrdhanjet mes popujve. Salvador Dalí e ka shprehë ketë tek nji vepër e mirënjohtun, e quejtun “Qëndrueshmënia e kujtesës” apo siç njihet ndryshe “orët e shkrime”. Sahati i historisë nuk i ka të gjitha orët 60 minutëshe, jo të gjitha sekondat e tija janë të barabartë me vetveten dhe të parashikueshëm mekanikisht. Nganjiherë historia ngadalësohet, popujt mbeten anash rrjedhës së saj, të ngurtësuem në pritje të përfundimit të misionit të tyne, herë tjera gjanat përshpejtohen dhe duket se gjithçka po përmbyset. Por ka çaste kur nji rreth vicioz mund të çahet dhe mund të nisin nji kapitull i ri, kjo shpresë ka shërbye si gur themeliti andrrës europiane, e cila nis me projektin e Abatit Saint-Pierre për nji paqe të qëndrueshme në shek. XVIII dhe vijon mbas Luftës së Dytë botnore me Konrad Adenauer, Robert Schuman e Alcide De Gasperi-n.

Filozofi Paul Ricoeur asht ndalë tue meditue rreth kujtesës tek nji tregim i J. L. Borges, i titulluem “Funes el memorioso”, ku protagonisti, Ireneo Funes si pasojë e nji traume kujton gjithçka që ka përjetue dhe perceptue dhe jeton i rrethuem prej errësinës në vetminë e tij prej uloku; kujtesa e tij asht kthye në nji depozitë plehnash dhe ai vetë asht nji i çmendun sui generis.

Që të mos çmendemi s’duhet të lejojmë që kujtesa jonë të kthehet në nji “landfill”.

Jemi të ndërgjegjshëm që kemi mes neshnë Ballkan plot Funes me kujtesë hipertrofike që s’kanë vend mbrenda vetes me kultivue gjana tjera të randësishme për nji bashkëjetesë paqsore. Kjo vizitë e vonueme na tregoi se mund të dalim prej burgut të historisë. Nuk asht e nevojshme që të duhemi, pse nuk ekzistojnë popuj vëllezën apo kombe motra, mjafton të njihemi, të respektohemi dhe të dialogojmë pafundsisht, tue shprehë diferencat dhe divergjencat tona, por të frekuentohemi pa komplekse.

 

7 komente në “Për me dalë nga burgu i historisë!”

  1. hysi says:

    Humbe fare o njeri.Po shkruaj nganjehere.

  2. Klimax says:

    Perse poshteron gjuhen shqipe o njeri?

  3. Pilo Lala says:

    Nga eshte ky Ndreca?

    1. Anti trapi says:

      Ka lindur ne Islanden e Veriut o Piro Lale xhani, me duket se eshte dhaskal jashte vendit, por nuk te siguroj.

  4. agostin says:

    Nje analize e goditur e bere nga nje intelektual i kalibrit europjan.Disa qe nuk kuptojne shqipen e Gjergj Fishtes , e marrin si deformim te shqipes dialektin Geg ,nga qe per 50 vjet diktatori e servilat e tije e kishin tmerr kete dialekt,dhe tani disave ju duket si ndonje gjuhe e huaj.Disa qe nuk kuptojne kete intelektual te shquar ,kane me shume vlere kur heshtin ,sepse kur flasin prezantohen shume keq.

  5. mimmo says:

    Nji shkrim excellent, shume i kjarte e me gjuhe te rrjedhshme.Mesoni gjuhen e bukur te Mjedes,Fishtes dhe nuk do cfaqni ato lloj mendime pa vlere.Megjithese nuk jam verior,e kuptova plotesisht .Pershendetje.

  6. Shqipo says:

    Bukur Ardian, por per te qene te drejte ne kohe, ashtu sic pretendohet, ne 1946 ishte koha e ofensives sllave (kujto Gjermanine lindore), ndersa tani Perendimi eshte ne ofensive (kujto Gjeorgjine apo Ukrahinen).
    Ne do te japesh kontribut real analizo nese ne si popull kemi nuhatje dhe behemi per parime morale me fituesin, apo thjeshte jemi mercenare. Nese eshte kjo e dyta……….., athere edhe ju po beni detyren si parardhesit tane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje