Ikja jonë nga liria

20 Nëntor 2014, 20:03Blog TEMA

Nga Dush Gashi*

 

 

“Për mua politika është e thjeshtë: nëse një grup njerëzish të korruptuar e marrin pushtetin, atëherë njerëzit tjerë, të pakorruptuar, duhet të bëhen bashkë kundër tyre”, thotë një personazh i veprës së famshme të Leon Tolstoit, “Lufta e paqja”.

Shoqëria kosovare, për fat të keq, as pesëmbëdhjetë vjet pas lufte nuk ka arritur ta “thjeshtësojë” politikën deri në këtë pikë.

Gazetari i njohur i “The Neë York Times”-it, Thomas L. Friedman, në përpjekje për të kuptuar trazimin që e ka përfshirë botën e sotme dhe në kërkim të përgjigjes se si është mundur që edhe pas rënies së Murit të Berlinit, të ketë njerëz që ndjehen jo të lirë, ka një shpjegim për këtë. Sipas tij, njerëzit që i kanë rrëzuar diktatorët (apo, si në rastin tonë – janë çliruar nga okupimi) e kanë fituar “lirinë nga” (freedom from), por nuk e kanë fituar edhe “lirinë për” (freedom to).

Kjo do të thotë se njerëzit janë liruar nga shtrëngesat e jashtme, por nuk e kanë fituar lirinë e vërtetë, “lirinë për”, që nënkupton krijimin e “ligjeve, rregullave, normave, besimit të ndërsjellë në institucione, të cilat mund të ngrihen vetëm mbi themele të vlerave të përbashkëta, e të cilat mund t’i ndërtojnë njerëzit, të cilët besojnë se të gjithë, bashkërisht, mund të ecin drejt përparimit e prosperitetit”.

Duket sikur Friedman flet mu për shoqërinë tonë, kur thotë se shumica e shoqërive të tilla, nuk ia ka dalë të ndërtojë institucione të tilla e as të krijojë sistem të përbashkët vlerash. Nëse dikush megjithatë mund të thotë se ne “mund të lëvdohemi me rendin e qëndrueshëm”, atëherë nuk ka se si të mos e vërejë se ku do të përfundonte kjo “qëndrueshmëri” sikur më në fund të mos ndërhynin ndërkombëtarët, pasi që partitë tona politike nuk ia dolën që as pesë muaj pas zgjedhjesh të krijonin institucionet.

Ikja jonë nga liria, prandaj, ka bërë që lufta për pushtet për hir të pushtetit të mbetet karakteristika më thelbësore e tërë kësaj periudhe. Me shtetin e kapur nga partia në pushtet dhe strukturat paralele të saj dhe me korrupsionin e gjeneruar prej saj, i cili tash ka metastazuar në tërë shoqërinë, në të vërtetë, Kosova ka qenë në “ngërç politik” gjatë tërë periudhës, ndërsa bllokada e tashme u shkaktua vetëm kur, më shumë falë rastësisë, rendi ekzistues kishte rrezik të shembej. Se institucionet e shtetit nuk i sheh si “azil” vetëm partia në pushtet, por edhe liderët kryesorë opozitarë, dukej sheshit qëkur ata e shfrytëzuan mundësinë që ua jepte matematika zgjedhore dhe u bashkuan në Bllok, dhe askush s’ua merrte shumë seriozisht deklaratat e tyre se kanë për qëllim ta ndalojnë qeverisjen e keqe. Po të mos ishte kështu, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj, në gjendjen në të cilën është Kosova, në asnjë rrethanë nuk do të duhej ta rrezikonin shpërbërjen e Bllokut. Por e bënë.

Në qoftë se Ramush Haradinaj mund të konsiderohet fajtori kryesor për këtë, pasi që vërtet nuk i binte të ngulte këmbë për postin e kryeministrit, pasi që Isa Mustafës i dështoi të zgjidhet kryeparlamentar, edhe ky i fundit duket se u lehtësua shumë pasi që në “parimet e presidentes dhe angazhimet e ndërkombëtarëve” pa mundësinë lehtësuese për pazare me poste.

Mbrëmë, deri sa ende kishte shpresë se gjërat mund të marrin rrjedhë më të mirë, ai iu hodh në përqafim Thaçit. Ndonëse e di se kushdo që formon Qeveri me PDK-në, ka rrezik që të shndërrohet në marionetë, penjtë e të cilës do t’i ketë në dorë SHIK-u.

*Zëri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje