Më të mirën që Isa Mustafa do t’ia bënte këtij vendi do të ishte që të mos e lejonte PDK’në në qeverisje edhe një mandat. Këtë e premtoi, nuk e bëri, dështoi. Tash nuk e ka lehtë të qeverisë. Këtë rrugë e zgjodhi vetë.
Nga Imer Mushkolaj
Ende pa filluar punë në postin e të parit të qeverisë, Isa Mustafa është vënë në qendër të kritikave dhe akuzave nga të gjitha anët. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një kryeministër i ri të vihet në shënjestër ende pa e treguar veten as në njëqindditëshin e famshëm. Por kjo nuk është e rastësishme dhe është pritur se do të jetë kështu.
Ende pa u rehatuar mirë në karrigen e kryeministrit, Mustafa duhet të përballet jo veç me sfidat e problemet që e presin gjatë mandatit qeverisës, por edhe me probleme të tjera serioze që ia ka shkaktuar vetes, me vendimin për të bashkëqeverisur me Hashim Thaçin. Dhe nuk e ka aspak të lehtë.
Nuk e ka lehtë, sepse i duhet të bashkëqeverisë me atë që për vite të tëra e konsideroi të keqen më të madhe të vendit. Me atë që për vite e akuzoi për të gjithë të këqijat.
Nuk e ka lehtë, sepse është vënë në krye të koalicionit që, sipas njeriut të dytë të partisë së tij, Ismet Beqiri, është e keqja më e madhe për Kosovën.
Nuk e ka lehtë, sepse synon ta luftojë krimin e organizuar e korrupsionin me ata që e kanë sjellë vendin në gjendje të mjerë dhe e kanë renditur në top listat e shteteve më të korruptuara.
Nuk e ka lehtë, sepse në krye të Kuvendit e kanë vënë personin, të cilin ai dhe LDK’ja e akuzonin vazhdimisht për krime gjithëfarëshe.
Nuk e ka lehtë, sepse duhet t’i përbijë të gjitha akuzat për SHIK’un e PDK’në, për Kadri Veselin e Hashim Thaçin.
Nuk e ka lehtë, sepse e ka të vështirë, thuajse të pamundur që t’i menaxhojë ministrat nga radhët e PDK’së. Është e paimagjinueshme që ata do t’i japin atij llogari para Thaçit.
Nuk e ka lehtë, sepse edhe ministrat nga komuniteti serb më parë i japin llogari Aleksandar Vucic’it në Beograd, sesa atij.
Nuk e ka lehtë, sepse duhet t’i kapërdijë të gjitha premtimet, zotimet e përbetimet se “kurrë” nuk do të bëjë koalicion me Thaçin e PDK’në.
Nuk e ka lehtë, sepse vetëm para një muaji në Facebook deklaronte se Qeveria LDK-AAK-Nisma, në marrëveshje me Vetëvendosjen do të jetë qeveri e qëndrueshme dhe efikase, ndërkohë që iu hodh Thaçit në përqafim – mbase për ta krijuar një qeveri të tillë.
Nuk e ka lehtë, sepse në qeverisje do t’i interferojnë Thaçi e Vucic.
Nuk e ka lehtë, sepse do të mbahet mend si njeriu i cili, në vend se t’ia jep goditjen e fundit politike Hashim Thaçit, e rehabilitoi atë për të bëmat gjatë qeverisjes dhe i dha goditje të fortë partisë së vet.
Nuk e ka lehtë, sepse është autor i një modeli të dështuar qeverisës, siç është Prishtina gjatë shtatë viteve të tij kryetar.
Nuk e ka lehtë, sepse ka premtuar 120 mijë vende pune në katër vjet, e zëvendësi i tij 200 mijë. Premtim shumë utopik, për t’u bërë realitet.
Nuk e ka lehtë, sepse për përmbushjen e apetiteve për pushtet të të gjitha palëve u detyrua të shtojë karriga në kabinetin qeveritar.
Nuk e ka lehtë, sepse nuk i ka nën kontroll direkt drejtësinë, zhvillimin ekonomik e arsimin, kurse shëndetësinë do ta udhëheq një anonim, sa për t’ia plotësuar dëshirat Lutfi Hazirit.
Nuk e ka lehtë, sepse politikën e jashtme dhe shërbimin diplomatik thuajse nuk mundet fare ta kontrollojë.
Nuk e ka lehtë, sepse është adresë e përgjegjësisë për gjithçka, e krejt punët në dorë nuk i ka.
Nuk e ka lehtë, sepse i duhet t’i shuajë pakënaqësitë e mëdha brenda partisë dhe elektoratit të tij, një mision ky aspak i lehtë.
Nuk e ka lehtë, sepse në vend që të reflektojë për vendimet që i ka marrë dhe do t’i marrë, i del kohë të merret me deputetë të tij që votuan kundër.
Nuk e ka lehtë, sepse duhet t’i fshijë nga Facebook’u postimet e mëhershme, në të cilat është shfaqur krejt Isë tjetër nga ky i tashmi.
Nuk e ka lehtë, sepse me dëshirë ka pranuar të vijë në një pozitë të tillë, duke i fshirë si me sustë të gjitha ato, për të cilat u zotua gjatë viteve të fundit.
“Unë do të duroi edhe sharjet, edhe ofendimet, edhe kritikat për t’ia bërë një të mirë këtij vendi”, shkroi në Facebook kryeministri Mustafa.
Por, ai duhet të jetë i vetëdishëm se u bë cak i sharjeve, ofendimeve dhe kritikave me vullnet të plotë të tij. Nuk ka kurrfarë arsye që tash të shfaqet si viktimë. Po ashtu, nuk është kurrfarë flijimi a vetëflijimi marrja e një përgjegjësie për të qeverisur, siç do të mundohej ta arsyetonte ndonjëra nga ministreshat e tij.
Më të mirën që Isa Mustafa do t’ia bënte këtij vendi do të ishte që të mos e lejonte PDK’në në qeverisje edhe një mandat. Gjë që e premtoi, nuk e bëri, dështoi.
Shqipetaret e kane te veshtire paqen midis njeri -tjetrit ,i madhi
Gjergj Fishta ka thene :Eshte me e leht me mbledh nje thes me pleshta ,se sa me bashku dy Shqipetar.
Gazetaret jane gjithmon ne pozicion kritik . Mendoj qe per veshtirsite
qe po kalon qeveria e Kosoves ,zgjidhja me e mire eshte,qe te gjitha partite te kene mirkuptim midis tyre,percarja nuk sjell dobi ,duhet te marrim modelet Europiane,per tolerancen e tyre ,si Shqiperia ashtu dhe Kosova ,per te zhvilluar vendin.Ndryshe me kulturen tone alla Shqipetare .do te mbetemi ne fundin Ballkanit .DUHET TE HAPET NJE KAPITULL I RI .