Pas vendimit që energjia elektrike ta ketë çmimin 9.5 lekë për kilovat, pa tvsh, Kunati mblodhi një rreth të ngushtë drejtuesish të PD-së për të marrë një vendim.
-Tani dua të uleni të gjithë dhe të analizoni se sa do të paguajmë më shumë, u tha Kunat.
I pari foli Ridvani.
-Tani, zoti Kunat, i tha, duhet të më thuash çfarë pajisjesh ke në shtëpi dhe sa kilovat e ke mesataren e harxhimit?
-Po ja, unë kam një lavatriçe, një tharëse rrobash, frigoriferin, sobën, chillerin e ngrohjes me 12 dalje… Këto kam.
-Sa ke paguar më parë në muaj, i tha Ridvani?
-Fatura vinte 250 mijë lekë, i tha Kunati.
-Nga llogaritë që bëjmë, ne na del që tani do paguash 180, i tha Ridvani.
-Si ka mundësi, pse më ulet mua?
-Na ulet të gjithë ne të pasurve, i tha Ridvani. Dhe mua më ulet, dhe Doktorit, dhe Lulit..dhe ty. Por, të varfërve u ngrihet shumë. Madje, më shumë se 23 përqind. D.m.th, ata që paguanin nga 20 mijë leka, do paguajnë nga 27 mijë leka p.sh. Tani duhet ta mbledhim mendjen çfarë do bëjmë.
-Unë them të dalim në protestë, tha Kunati.
-Dalëm mo dalëm, tha Ridvani, po ne jemi parti e djathtë, përfaqësojmë të pasurit. Ne na ulet. Ky Edi Rama kërkon të na marrë dhe elektoratin.
-Duhet të protestojmë për të varfërit, tha Kunati. Ai na merr të pasurit, ne i marrim të varfërit.
-Dakord, tha Ridvani, po ata atë votojnë prapë. Kot që mundohemi. Pastaj ne kemi thënë që e çuam Shqipërinë pas Gjermanisë. Si do ta pranojmë tani që ka të varfër?
-Po një gjë duhet bërë, tha Kunati.
-Kam një propozim, tha Enno me dy N. Nuk duhet të merremi me popullin se humbasim pikë. Merremi me biznesin. Ai duhet të paguajë shumë shtrenjtë.
-Shumë mirë, tha Kunati. T’i dalim zot biznesit. Se në fund të fundit kemi dhe ne bizneset tona. Dëmtohemi të gjithë.
-Na duhet një slogan,- i tha Enno, dhe gati jemi për protestë.
-Kam unë një ide për slogan, tha Ruli. Ta vëmë “Punojnë horrat, e hanë qorrat”.
-Çdo të thotë kjo, tha Kunati, se mos na e marrin ters?
-Jo, tha Ruli. Horrat janë biznesmenët, se kështu i quan Rama. Qorrat janë populli që do paguajë më pak. Meqë ne s’bëhemi dot me popullin, bëhemi me biznesin.
-Shumë ide e mirë, tha Kunati. T’i futemi punës!