Drama e tragetit “Norman Atlantic” mbyllet me 10 viktima. Dyshime se janë zhdukur edhe pasagjerë të tjerë

29 Dhjetor 2014, 14:54Politika TEMA

Mbyllet me 10 viktima nata e “ferrit” në Adriatik, ndërsa vazhdon operacioni për shpëtimin e 20 pasagjerëve të fundit, të mbetur në bordin e tragetit “Norman Atlantic”.

Kryeministri italian, Mateo Renzi konfirmoi 5 viktima në një konferencë për mediat, ndërsa falenderoi autoritetet që morën pjesë në këtë operacion të vështirë.

“Ishte një operacion i mbushur me dedikim dhe teknikë, që bëri të mundur evitimin e një kasaphane të vërtetë,” tha Renzi.

Por, pak më vonë janë gjetur në det edhe disa viktima të tjera.

Ndërkohë, mediat e huaja raportojnë se ka dyshime që mund të jenë zhdukur disa pasagjerë.

Sipas tyre, mendohet që numri i pasagjerëve të zhdukur të shkojë deri në 40.

Por, për momentin nuk ka asnjë konfirmim për këtë gjë.

Trageti “Norman Atlantic” sakaq është zhvendosur gjatë natës drejt ujërave italiane, por deti me dallgë dhe moti i keq penguan ankorimin e tij në portin e Brindizit.

Aktualisht, “Norman Atlantic” pluskon në gjendje të lirë drejt ujërave shqiptare. Të evakuuarit dërgohen me anije në portet e Barit, Brindizit dhe Leçes, ku marrin trajtimin e duhur mjekësor.

Ministria shqiptare e Mbrojtjes njoftoi në një deklaratë për mediat se gjatë natës ka dërguar një anije të dytë për operacionin e shpëtimit. Përveç anijes “Butrinti”, në terren ka mbërritur edhe anija “Lissus”, e cila u ka shkuar në ndihmë mjeteve të përdorura nga autoritetet italiane dhe greke.

Trageti italian me 478 persona në bord u përfshi nga flakët mëngjesin e së dielës, ndërsa po udhëtonte nga Igumenica drejt Ankonës. 22 prej pasagjerëve mbanin pasaporta shqiptare.

Për më shumë se 24 orë, autoritetet e Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë ndërmorrën një operacion të gjerë për shpëtimin e pasagjerëve, ku kushtet e këqija të motit u kthyen në armikun më të keq.

Prokuroria e Brindizit ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit, që vuri më pas në rrezik jetën e qindra njerëzve. Dyshohet gjithashtu se në target kishte edhe klandestinë.

1 komente në “Drama e tragetit “Norman Atlantic” mbyllet me 10 viktima. Dyshime se janë zhdukur edhe pasagjerë të tjerë”

  1. z says:

    I falemi zotit qe u dha, dhe nga nje jete pasagjereve,
    Viktimave ,te prehen ne Parajse,
    Dyshime edhe per nje aksion terrorist.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje