Një dolli pa hajni!

3 Janar 2015, 21:27Blog TEMA

Nga Arbana Xharra*

 

Rrugës për Gjakovë, për një vizitë te prindërit, para pak ditësh, bashkë me motrën dhe fëmijët, ndala veturën për të marrë një kafe të ftohtë në një nga shumë pompat e karburanteve, të ndërtuara përgjatë magjistrales Prishtinë – Pejë. Sa herë marr këtë rrugë, pikat luksoze të karburanteve, të ndërtuara njëra pas tjetrës, më kujtojnë nga një matrapaz të politikës.

Nuk është fshehtësi, dihet mirë kush nga politikanët ka hise në secilën prej tyre. Inercioni i hajnisë të rishfaqet kur furnizohesh me karburant: në sasi, cilësi apo në çmim, je i bindur se në njërën nga këto do të digjesh. Por nuk të shkon mendja se nga këto biznese që kanë qarkullim me miliona euro, janë në gjendje të të “helmojnë” për 1 euro. Tek pasi arritëm në Gjakovë, rastësisht shohim nga ambalazhi se kafeve u kishte skaduar afati tash sa muaj. Motra tregon se kurkishte kërkuar kafetë, punëtorët i kishin sjellë nga depoja.

Pra me vetëdije të plotë,i kanë shitur kafe me afat të skaduar: s’ka rëndësi nëse helmohen ose bëhen për spital, merrua të hollat…Është ky vetëm një rrëfim, detaj nga mashtrimet që na rrethojnë, reflektim i imazhit të cubit, i instaluar në secilën pore të shoqërisë. Në përpjekjen për të ndërtuar shtet tash një dekadë e gjysmë, na kanë vënë lakun në fyt e po na ngushtohet dita-ditës. Kemi pritur dhe kemi përcjellë të njëjtat fytyra politike, sa në pushtet e sa në opozitë, për kaq shumë vite. Ata që kujtojnë këtë kastë të degraduarish nëpër vite, me të njëjtit në pushtet presim vitin 2015. Kjo është tragjedia jonë!

E numri i servilëve përreth tyre, që shërbejnë për të realizuar ëndrrën e bartësve të korrupsionit, përcjellë me mosndëshkimin e kriminelëve, sa vjen e rritet. Përgjatë kohës së tranzicionit nën regjimin e Partisë Demokratike të Kosovës, ia panë hairin analfabetët funksionalë, të cilët gjetën strehë dhe u punësuan njëri pas tjetrit në diplomacinë kosovare. Po më duhet të ripërsëris edhe një herë fyerjen më të rëndë që i është bërë diplomacisë në vitin 2014, me emërimin e Ramiz Lladrovcit ambasador të Kosovës nëShqipëri. (A thua i kanë siguruar deri tash përkthyesin shqip-shqip “komandant Lladrovcit”).

Pa i rinumëruar: balldëska të ministrave, familjarë të këngëtarëve të estradës, asistente politikanësh… që morën tituj diplomatësh. E gjithë ky denigrim na u shfaq përpara syve tanë, derisa shihnim ëndrra për një Kosovë të lirë me tërësinë e saj territoriale dhe mbi të gjitha një shtet ligjor. E si ndihen ata që ofruan jetën, të gatshëm për të mos e duruar padrejtësinë, kur shohin përballë “komandantëve të luftës” kuadër ky me perspektivë në politikën e Kosovës. E pjesë e kësaj përbërje politike edhe për shumë kohë na mbesin:

LDK – E hedhur në përqafim të Hashim Thaçit. Angazhimi i së cilës do të jetë përpjekja për të na bindur se në bashkëqeverisje me strukturat e SHIK-ut do ta çojnë përpara vendin.

PDK – “Partia e Xhabirave” që prej vitesh shkelin ligjet, keqpërdorin demokracinë,vrasin virtualisht kritikët, i fryjnë racizmit dhe tallen me çdo vlerë evropiane.

LVV – E vetme me një anë në luftën kundër korrupsionit, por fatkeqësisht e heshtur karshi rrymave ekstremiste brenda islamit.

AAK – E rikonfirmoj epitetin e partisë së haraçit. Kreut të saj i ra ndër mend në fund të 2014-s që t’i luftojë hajnat e partisë së tij. E kush janë ata trima që në emër të Ramushit kërkojnë haraç?

Nisma – Parti kjo me të vetmin zë kritik brenda saj, Jakup Krasniqin, i cili po të ishte i sinqertë deri në fund, s’duhet harruar faktin që kryetari i ri i tij, Fatmir Limaj, është nënshkrues i kontratave skandaloze.

AKR – Një e mirë që i ka ndodhur këtij vendi, mbetja jashtë e kësaj partie.

*Zëri

4 komente në “Një dolli pa hajni!”

  1. Kpuz says:

    Arbana ne gazeten ZERI nuk i publikoni mendimet ndryshe!!!!!
    E lexova me kujdes dhe per ty jane te vetmit armiq njerzit e UCK.
    Kerkun ne shkrimet tua nuk ka pozitivitet vetem urrejtje zhgenjim .
    Po frigohem mos po e vret veten sepse per ty ska kurgja ne rregull veq me ti kthy shkijet prap.
    E vertet qe ka hajni dhe krim te organizum.
    Per mendimin tim Kosova rrezikohet vetem nga Islamistet dhe nga shkijet e VV.

    1. Jeronim de Rada says:

      Znj. Arbana eshte kunder atyre luftetareve te cilet ne liri po e roberojne popullin me vrasje dhe me zhvatje te shtetit.

  2. Drenicak says:

    Arbana nese ske lek per nje litar ta blej une!!

  3. m says:

    Po sa trima qe jeni bre burra! Nuk po shoh t”i bini ndonjeargument kundra kesaj vaze te re qe ka guximin t”ia thote emrin e vertete korrupsionit. Me sa duket ju jeni pjese e asaj qe ajo kritikon.

    Jo mor miq! E keqja nuk jane islamiket, eshte varferia e krijuar nga korrupsioni qe i krijon baze islamikeve te mbjellin faren e tyre te fanatizmit.

    Jo Nuk jane serbet, por eshte qeveria e korruptuar qe i krijon mundesi serbeve qe te gjejne te cara neper politikanet tone.

    E ti Drenice qe akuzon VV tregon se je zog shkjau dhe asnji gja tjeter!

    Albana, vazhdo me guxim me ia cjerr masken korrupsionit e mos u tut prej cave ketu qe fshihen pas emrave te sajum e flasin cfare ju kane zorret e mushuna me pisllik!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje