Gazetari që i shpëtoi IS-it rrëfen për torturat e terroristëve

6 Janar 2015, 15:02Bota TEMA

Një gazetar, i cili i ka mbijetuar burgut të Shtetit Islamik (IS) në Siri, ka treguar për Radion Iraku i Lirë, për torturat e tmerrshme dhe abuzimin psikologjik që ka përjetuar.

Louay Abdul-Jood, aktivist dhe gazetar sirian, është mbajtur nga militantët e Shtetit Islamik për gjashtë muaj. Ai është liruar kah mesi i vitit të kaluar, në bazë të një marrëveshjeje për shkëmbim të të burgosurve midis Ushtrisë së Lirë Siriane dhe Shtetit Islamik në Alepo.

Abdul-Jood dhe një kameraman i agjencisë franceze të lajmeve AFP janë rrëmbyer nga Shteti Islamik më 28 nëntor të vitit 2013, në një zonë të Alepos.

Në burg, Abdul-Jood ka thënë se ka njohur një numër të gazetarëve. Trembëdhjetë prej tyre kanë qenë të huaj, përfshirë dhe gazetarin James Foley.

Foley është ekzekutuar nga militantët e Shtetit Islamik në muajin gusht.

Abdul-Jood ka thënë se zyrtarët e burgut kanë qenë luftëtarë të huaj nga Franca, Tunizia, Maroku, ndërsa një rus i quajtur Khaled ka qenë përgjegjës për torturimin e të burgosurve.

Shumica e të burgosurve nuk janë rrahur, por kanë qenë subjekt i metodave psikologjike. Atyre u është vënë një thikë pranë qafës dhe u është thënë se do të theren. Ky trajtim ka qenë i gjatë dhe ka pasur efekt më të madh se abuzimi fizik”, ka thënë Abdul-Jood për Radion Iraku i Lirë.

Rrëmbyesit e kanë akuzuar Abdul-Joodin se është laik dhe se i përket Ushtrisë së Lirë Siriane.

Më kanë akuzuar se i përkas Unionit të Gazetarëve dhe se jam në një marrëdhënie mëkatare me një aktiviste”, ka rrëfyer Abdul-Jood.

Kur ai dhe disa gazetarë të tjerë janë transferuar në një burg tjetër, Abdul-Jood ka thënë se ka parë që të burgosurit e tjerë, jo gazetarë, kanë qenë të nënshtruar ndaj torturës ekstreme fizike.

“Për shembull, një burrë ka qenë i varur me kokë poshtë. Këmbët i janë prerë me makina të rrojes dhe mbi plagë i është hedhur alkool”, ka thënë Abdul-Jood.

Sipas tij, burgu që ka përdorur Shteti Islamik ka qenë fillimisht një depo e patateve në një zonë industriale. Ai ka thënë se të burgosurit janë mbajtur në qeli të izoluara, në errësirë totale.

“…pastaj, një burrë hynte dhe thoshte: ti do të vritesh, por jo sot. Nesër, me vullnetin e Zotit”, ka rrëfyer Abdul-Jood.

Ai po ashtu ka thënë se është dënuar me vdekje nga një gjyqtar me emrin Abu Ammar al-Massri, por Ushtria e Lirë Siriane ka kërkuar lirimin e tij si pjesë e marrëveshjes për shkëmbim të të burgosurve.

Militantët e Shtetit Islamik kanë rrëmbyr një numër gazetarësh sirianë dhe të huaj në Siri dhe Irak.

Grupi militant ka ekzekutuar dy gazetarë perëndimorë – amerikanët James Foley dhe Steven Sotloff – si dhe dy punëtorë të ndihmës – britanikun David Haines dhe amerikanin Abdul-Rahman Kassig.

Një tjetër gazetar britanik, John Cantlie, mbetet ende peng.

Sipas Reporterëve pa Kufij, gazetarët sirianë përbëjnë shumicën e 22 gazetarëve që po mbahen peng nga grupi i Shtetit Islamik.

Në fillim të dhjetorit është raportuar për rrëmbimin edhe të dy gazetarëve kurdë në kufirin Siri-Irak./REL

2 komente në “Gazetari që i shpëtoi IS-it rrëfen për torturat e terroristëve”

  1. Job says:

    A besoni se djalli perfaqesohet kaq qarte nga njeriu ? Njeriu dallohet kujt I sherben e thjeshte dhe e vertet

    1. ArktikuBlu says:

      Ja pse tortura eshte krim kunder njerezimit, ne çfardo forme qe të zbatohet, fizike, verbale apo psiqike dhe nën cfardo justifikimi apo qëllimi qe realizohet.

      Tortura eshte çnjerzore, kriminale, ilegale dhe e pajustifikueshme nga cdo individ, institucion, agjenci, organizate apo shtet, islamik, i krishtere, atesist apo euroatlantik qoftë, që e zbaton ate nën çfardo justifikimi, mashtrimi apo synimi, edhe kur behet ne emer te fese apo sherihatit, edhe kur behet në emër të krishtit apo mbrojtjes se demokracise apo pushtetit popullor, edhe kur behet nen petkun e nje lufte te drejte a çlirimtare, edhe kur justifikohet nen petkun e interesit të sigurisë kombetare te nje shteti apo me justifikimin e luftes kunder fashizmit, kunder komununizmit apo kunder terrorizmit.

      Tortura mbetet kriminale, jo ligjore, e pajustifikueshme, antihumane dhe, mbi te gjitha, e dënueshme dhe e ndëshkueshme, moralisht dhe penalisht, nga cdo shoqeri vërtet e lirë dhe demokratike, nga cdo shoqeri e ndergjegjshme dhe me moral te paster, me moral jo fallco dhe jo hipokrit.

      Ja pse u ratifikua Konventa Nderkombetare e Gjeneves kunder aplikimit te tortures dhe detyrimit per te vene para pergjegjesise ligjore cilindo, shtet apo individ, qe e toleron atë, torturën, qe e zbaton ate, hapur apo pas perdeve dhe ne qelite e burgjeve, ilegalisht apo me udhezime, promemorje apo akte administrative te krimineleve te veshur me pushtet.

      Raporti Komisionit te Kongresit te USA, ne fund te vitit qe shkoi (2014), mbi investigimin e perdorimit te tortures dhe metodave antihumane ndaj te burgosurve te dyshuar apo arrestuar per terrorizem nga ana e CIA-s dhe axhensive te tjera amerikane te sigurise kombetare, tregoi qartë se tortura eshte prezente edhe sot, edhe ne vendet me demokraci te zhvilluar dhe se, nen indeferentizmin apo miratimin e heshtur te opinionit shoqeror ne vendet perkatese, eshte nje praktike e vazhdueshme, e perseritur, konsistente dhe rrjedhoje e nje mentaliteti te rrenjosur nga drejtuesit dhe organikat e ketyre axhensive te mbeshtetur edhe nga mendje kriminale ne administraten e larte qe nuk kane munguar, me akte administrative apo udhezime, tu hapin driten jeshile, mbulimin dhe mbrojtjen ligjore ketyre praktikave te tortures dhe individeve te perfshire ne to.

      Fakti eshte se, edhe pse administrata e Obames inicoi hetimin e kesaj veprimtarie dhe komisioni e paraqiti raportin (të reduktuar), mbi abuzimet dhe përdorimin e tortures, ne Kongresi Amerikan, qofte Obama, qofte Kongresi, nuk u treguan te gatshem që të çojne para pergjegjësisë ligjore shkaktaret e ketyre praktikave, te çfardo niveli qofte, dhe as ata që qëllimisht u perfshine në shkaterrimin e vidjove dhe provave te tjera te torturave te aplikuara nga CIA apo axhensite e tjera te inteligjencies amerikane.

      Dhe ky nuk eshte nje lajm i mire per sigurine se në të ardhmen, praktika të tilla, nuk do te perseriten nën justifikime apo situata te ndryshme.

      Eshte mëse e qartë se, vetem kur vendet demokratike euro-atlantike dhe opinionet shoqerore te tyre, te ndergjegjesohen se ndaj tortures, ne çdo rrethane dhe kundrejt kujtdo, duhet te kete tolerance ZERO, athere mund te ngrihet nje fortunë dhe lëvizje globale e denoncimit, hetimit dhe ndëshkimit ligjor ndaj cdo individi, organizate apo shteti qe toleron apo zbaton torturen.

      Perndryshe, cdo lajm, shkrim apo koment ndaj rrëfimeve apo dëshmive te ngjashme me kete te ketij gazetari, qe pershkruan torturat e ISIS-it ne Siri, do t’i lërë njerzit indiferent, ne rastin më të mirë të keqardhur, me ndjesine e të qënit të pafuqishëm për ta ndalur këtë praktikë çnjerëzore, që kishte qytetari dhe ligjshmëri të plotë që nga mesjeta dhe inkuizicioni por që, për fat të keq, vazhduaka ende, edhe në demokraci te konsoliduara, edhe me deklamacionet solemne te neneve te Konventes Nderkombetare te Gjeneves kunder torturës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje