Borxhet për energjinë, jo sekuestrim banesave apo objekteve/ Barra hipotekore, parandalon ndryshimin e pronësisë deri në shlyerjen e detyrimeve

22 Janar 2015, 12:16Ekonomia TEMA

Ndaj subjekteve që nuk shlyejnë detyrimet mbi energjinë elektrike të konsumuar nuk parashikohet sekuestrim të banesave apo objekteve që kanë në pronësi, por  vendosja e një barre hipotekore, që parandalon ndryshimin e pronësisë së objektit deri në shlyerjen e borxhit ndaj OSHEE.

Kjo përcaktohet në pr/ligjin shumë të debatueshëm mbi pagimin e detyrimeve të energjisë elektrike, i cili po kundërshtohet nga opozita, duke e cilësuar si anti-kushtetues vendosjen e sekuestrimit të banesave apo godinave në pronësi.

Gazeta TemA zotëron pr/ligjin e plotë, përfshi edhe relacionet sqaruese mbi masat ndaj debitorëve të energjisë elektrike.

Në nenin 89 të pr/ligjit përcaktohet se nëse klienti nuk paguan detyrimin e energjisë elektrike ndaj furnizuesit të ngarkuar me shërbimin universal si detyrim i shërbimit publik, brenda afatit të caktuar në kontratë, furnizuesi i energjisë elektrike, nëpërmjet personave të autorizuar nga ana e tij, pervec inicimit të procedurave të nderprerjes se energjisë, ndërmerr masat e mëposhtme:

1.Furnizuesi i energjisë elektrike, inicion procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm duke kërkuar lëshimin e urdhrit të ekzekutimit dhe inicimin e ekzekutimit të detyrueshëm, sikurse përcaktohet në Kodin e Procedurës Civile dhe Ligjin nr. 8662 “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”, për cdo vlerë të papaguar detyrimi.

2.Në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike, është mbi 150,000 lekë për klientin familjar dhe mbi 2,000,000 lekë për klientin jofamiljarë, furnizuesi ka të drejtë të zbatojë mjetin e sigurimit të detyrimeve të papaguara, duke vendosur barrë hipotekore, mbi pasurinë e paluajtshme që furnizohet  me energji elektrike në bazë të kësaj kontrate furnizimi, detyrimet e së cilës nuk janë paguar. Barra hipotekore do të vendoset për një periudhë deri në përfundimin e procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm.

Në nenin 91 të pr/ligjit parashikohet e drejta e klientit për të ankimuar vendimin për vendosjen e barrës hipotekore.

Kështu klienti fundor ka të drejtë të ankimojë vendimin për vendosjen e mjetit të sigurimit të detyrimit të papaguar të energjisë elektrike, pranë furnizuesit të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, dhe të kërkojë çlirimin nga sigurimi, vetëm nëse vendimi ka dalë apo është ekzekutuar në mënyrë të parregullt. Ankimi bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga çasti i marrjes dijeni për këtë parregullsi. Shqyrtimi i ankimit nga ana e furnizuesit duhet të bëhet brenda 15 ditëve kalendarike nga data e depozitimit të ankimit.

Kur ankesa e klientit fundor pranohet nga furnizuesi,  atëherë përfaqësuesi ligjor i furnizuesit të ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, ndërmerr menjëherë të gjitha masat e nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, për heqjen e barrës hipotekore mbi pasurinë e paluajtshme të klientit.

3.Në qoftë se furnizuesi i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, nuk pranon ankimin e paraqitur, klienti mund ta ankimojë këtë vendim në gjykatë e cila në përputhje me Kodin e Procedurës Civile, mund të vendosë anulimin e tij.

Pse vendoset barra hipotekore

Relacioni sqarues mbi vendosjen e barrës hipotekore sqaron se i gjithë ky proces synon mosndryshimin e pronësisë të objektit deri në shlyerjen e borxheve të prapambetura.

Sipas relacionit, barra hipotekore në këtë rast vendoset vetëm me qëllim që të sigurohet ekzekutimi i detyrimit, në mënyrë që të kufizohet mundësia e klientit debitor që të tjetërsojë sendin  pa ekzekutuar detyrim.

Për këtë arsye, pasi furnizuesi i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, vendos barrën hipotekore, iniciohen procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm sepse fatura e konsumit të energjisë është titull ekzekutiv në bazë të ligjit nr. 8662, “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike”.

“Në rast se përmbaruesi i angazhuar në këtë proces nga Furnizuesi, arrin që të vjelë detyrimin nëpërmjet pasurive dhe aseteve të tjera të debitorit (llogari bankare pasuri të luajtshme, etj.), atëherë furnizuesi heq këtë barrë hipotekore.

Vetëm në rast se përmbaruesi nuk arrin të evidentojë pasuri të tjera të klientit, atëherë vazhdon procedurat përkatëse ne ZRPP, duke bllokuar dhe sekuestruar sendin e paluajtshëm mbi të cilin është vendosur barrë hipotekore, hap procedurat e ankandit dhe nga vlera që rezulton nga shitja shlyen kreditorët, rastin konkret furnizuesin, duke respektuar radhën e preferencës, sipas nenit 605 të Kodit Civil. 

Parashikimi i hipotekës, si mjet për sigurimin e ekzekutimit të detyrimeve të papaguara të energjisë elektrike, propozohet edhe nga specifika e këtyre kategori detyrimesh.

Konkretisht, detyrimi i energjisë elektrike, edhe pse ka të bëjë me një konsumator të caktuar, është i lidhur ngushtësisht me procesin e furnizimit me energji elektrike të një objekti të caktuar të paluajtshëm, i cili furnizohet nga një pikë e caktuar furnizimi. Madje edhe pajisja matëse dhe që provon këtë detyrim është e lidhur ngushtësisht me objektin përkatës, që furnizohet me energji elektrike dhe që posedohet nga konsumatori.  

Për këto arsye, aplikimi i hipotekës mbi objektet që furnizohen me energji elektrike, paraqet një zgjidhje pozitive, qoftë për interesat e blerësve të këtyre objekteve, qoftë edhe për interesat e furnizuesit të energjisë elektrike.  

Në këtë kuptim, në rastet e tjetërsimeve të pasurive, shpesh herë pronarët e rinj të objekteve të paluajtshme janë penalizuar me ndërprerjen e energjisë elektrike, për shkak të detyrimeve  të mbartura të energjisë elektrike, që rezultojnë në një pikë të caktuar furnizimi që lidhet me objektin e paluajtshëm të përfituar mbi bazën e një kontrate shitje.

Madje për shkak të ekzistencës së detyrimeve, pronarët e rinj nuk procedojnë dot me lidhjen e kontratës së energjisë elektrike për të njëjtën pikë furnizimi, por janë të detyruar që të aplikojnë e të paguajnë tarifat e lidhjes së re, duke u ngarkuar me një detyrim financiar të tepërt. Kjo vendos në pozitë të disfavorshme blerësin, pra pronarin e ri, i cili nuk ka dijeni për detyrimet e energjisë elektrike të shitësit, për energjinë e furnizuar në objekt nga kjo pikë furnizimi dhe si rezultat, blerësi bëhet subjekt i ndërprerjeve të energjisë në këtë pikë furnizimi.  

Për këtë arsye, parashikohet edhe ky mjet për sigurimin e detyrimit, i cili reflektohet tek kartela e pasurisë dhe nuk lejon klientin debitor për të disponuar sendin e paluajtshëm, deri sa të ekzekutohet detyrimi.  

Gjithashtu edhe nga këndvështrimi i interesave të Furnizuesit, aplikimi i hipotekës mbi objektin e furnizuar me energji elektrike, është një zgjidhje shumë pozitive për shkak se aktualisht e vetmja pikë, që lidh furnizuesin e energjisë elektrike me konsumatorin, është pikërisht objekti përkatës i paluajtshëm i konsumatorit, që furnizohet me energji elektrike.

Në rastin kur konsumatori e shet/shkëmben etj. këtë objekt, Furnizuesi humbet çdo kontakt me konsumatorin dhe praktikisht e ka të pamundur që të realizojë rikuperimin e borxhit të mbartur të energjisë elektrike nga ky konsumator.  

Në këtë kuptim, hipoteka është e konceptuar vetëm si mjet për të siguruar detyrimin. Furnizuesi nuk ka të drejtë që ta sekuestrojë menjëherë këtë send por vetëm pas nisjes së procedurave të ekzekutimit të detyrueshëm nëpërmjet përmbaruesit gjyqësor konform  dispozitave të Kodit të Procedurës Civile”, thuhet në relacionin e pr/ligjit.   /gj.k/

2 komente në “Borxhet për energjinë, jo sekuestrim banesave apo objekteve/ Barra hipotekore, parandalon ndryshimin e pronësisë deri në shlyerjen e detyrimeve”

  1. te keqen nenja moj ruke, trupgjate e mendja pyke. says:

    Po perse duhet lejuar kjo sasi prej 15 mine dollare borxh?
    Perse mos te pritet energjia qe ne muajin e pare apo te dyte te mospagimit.
    Buke apo drita?
    Njerezit qe sjane ne gjendje te mas paguajne dritat jane shtresa me e varfer e shoqerise.
    Ketyre do tua merrni shtepiat e ti nxirrni ne rruge ju socialistet kapitaliste?
    Keshtu do ta luftoni apo thelloni varferine?
    Apo ci q… temen. Une per vete kam ta paguaj.

  2. shaban says:

    Ibashkohem komentuesit te pare.Nuk ka pse te pritet deri sa klienti te futet kaq shume ne borxh me elektrikun .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje