Shenjti i të dëshpëruarve

31 Janar 2015, 19:44Blog TEMA

Nga Ilir Levonja

 

Para pak ditësh webet italiane shkruanin se Ciprasi nuk është shpëtimtari i Greqisë, por shenjti i të dëshpëruarve. Në këtë konstatim me nota ironie ka me të vërtetë një ndryshim thelbësor. Por edhe një lloj afrimiteti mes popujve. Kjo jo vetëm për shkak të krizës. Apo gjëndjes së vështirë që po kalon ekonomia e tregut në përgjithësi.  Por edhe lodhjes së popullit me të njëjtat fytyra.

Me të njëjtit emra politikëbërësish etj.

A janë të dëshpëruar grekët? Sigurisht që janë. Mjafton të vozitësh pak mbi shifrat e borxhit, indeksin e rritjes së ekonomisë etj.., që të kuptosh këtë. Ndërkohë, nga lidhjet me njerëzit tanë atje, dëgjojmë prej kohësh të njëjtin problem, punën e pa paguar.

Nga ana tjetër është vënë re se krizat ekonomike, nga historia e tyre në vende të ndryshme, kanë për bazë një lloj atmosfere të tillë, pra si të thuash qullosjen e entuziziazmit popullor për të vazhduar me reformat apo për të ndryshuar gjëndjen. Kështu që, afërmendsh Ciprasi me të drejtë quhet si shenjti i të dëshpëruarve.

Ku qëndron ky afrimitet dhe pse me të drejtë vëndet përreth Greqisë, përfshi edhe ne e admiruam ardhjen e këtij komunisti të ri në krye të shtetit helen? Aleksi Cipras është një adhures i Ernesto Guevarës, njëriut simbol të komunizmit. Por që në dallim me etërit, jeton në mënyrën e qytetarit kapitalist me bashkëjetesë. U bë lider 33 vjeç. Dhe brenda një periudhe të shkurtër, 6 vjeçare ktheu partinë e tij, fillimisht si e para opozitare. Dhe sot i dha asaj mundësinë të qeverisë vendin.

Po cilin vend? Vendin e tij! Dhe kur? Në kohën e dëshpërimit! Në atë më të keqen. Kur Greqia e kulturës dhe modeli i studimit të antikitetit të shkollave të botës, është sot fytyra e katastrofës së ekonomisë së tregut.

Sot gjithë webet hapeshin me fjalët e kancelares gjermane, që thoshte se nuk ia falim borxhin Greqisë. Në fakt më mirë se vet Ciprasi e di Angela Merkel se, tashmë nuk bëhet më fjalë për shlyerje borxhesh, por për unifikim brenda borxhit. Borxhi i Greqisë, është tashmë borxhi i vetë Europës. Në një farë mënyre si e keqja e një pjestari brenda familjes, që është e keqja e përbashkët e saj.

Sot në Shqipëri aludohet me të drejtë për një lloj i modelit të tillë. Një Cipras shqiptar? Nuk më bëri përshtypje që e kërkonte edhe Turqia? Kjo ka domethënien se pesha arkaike e klasës së deritanishme ka dështuar. Mirëpo kur mendon se që nga lufta e gjeneralëve, Greqisë iu deshën dyzetë e një vite (aq sa është mosha e Ciprasit sot) të rimodelohej, për ne duket se jemi akoma larg.

Sidoqoftë kur çon nëpër mendje emrat e politikanëve ”të rinj” shqiptarë, në përgjithësi territoret tona. Askush nuk është i krahasueshëm me Ciprasin. Përmendin Albinin? Dhe vërtet, pse ka disa detaje të sakrificës, (si shitja e shtëpisë për të ndihmuar Vetvendsojen në 2010) akoma nuk ka popull për ‘të. Po ndërsa në Kosovë ka ndonji shenjë…, në Shqipëri? Asesi! Jo që  nuk po del dikush të shesi, por po i katërfishojnë shtëpitë, duke ndarë gratë, fëmijët dhe qentë.

Duket se dëshpërimi i Shqipërisë, shqiptarëve, është vetëm në trenat me klandestinë. Kësisoj, edhe shenjtit.

 

 

11 komente në “Shenjti i të dëshpëruarve”

  1. pjatalarsi says:

    Atehere duket se deshperimi i krijon shenjtet! Nje shenjteri e tille duket se krijohet per ngushellim! E meqe permendet dhe Albini i demostratave, i bie se shenjtet as nuk i zgjidhin hallet e njerezve e as problemet e shtetit!

    1. Ilir Hoti says:

      Si shume analiza per greqinw???? Greqia ka force ne EUROPE sa Letonia, estonia a Malta! Eshte vend fqinj me shume popull e toke shqiptare, por politiken e ka jo EUROPIANE!!

  2. feniks says:

    Me ate pune kriminale,ANTI SHQIPTARE,qe ka bere e po ben ARMIKU ME I ZI ISHQIPTAREVE NDER SHEKUJ Sali Berisha, ne Shqiperi populli do ngrihet vetem ne se i DIGJET TOKA NEN KEMBET TONA!!!
    Ne 23 qershor u dha nje shenje e perafert,por ne nje rast te dyte SHQIPTARET DO TA TREGOJNE VETEN se jane shkuar Cipras te gjithe!!
    Shqiptaret i ndjell URREJTJA PER TE LIGUN e jo ARSYEJA DHE ORGANIZIMI!
    Nuk eshte me ai burre SHTETI qe me 200 PETRITA NGRITI NJE POPULL TE TERE DHE CLIROI VENDIN!!!

    1. .,.,.,., says:

      Ai burri yt me 220 petrita ishte nje sharlatan, se mbasi mori pushtetin 200 petritat i vari ne litar e petritin e fundit e ka burgosur nexhmia…

  3. MARA says:

    @Pjatalaresi, edhe Edi Rama eshte pare nga te varferit ne Shqiperi si shenjt, pavaresisht s’ka lidhje pse Rama nuk eshte shfaqur si revolucionar as si komunist ne vitet e para, por ai thoshte te vertetat te cilat arinin te preknin zemrat tona. Kur shkruante per te perndjekurit, me kujtohet si sot une nuk arita dot ta lexoja shkrimin e tij deri ne fund nga denesa, sepse me ngjante sikur fliste per mua, dhe ne fakt i zhgenjeva njerezit e mi sepse me dinin shume te forte. Ne ate kohe Edi ishte nje shenjt…por edhe deri me 23 qershor eshte ndier nga te varferit (edhe une jetoj ne kufijte e varferise), si nje shpetim.
    Qeverisja pastaj ka veshtiresite e veta dhe te pakenaqurit nga pretendimet shto opozita dhe “armiqte personal” ‘shenjtin’ e kthejne shpejt ne toksor…

    çdo ‘shenjt’ do te kete sterkembshat e tij gjate rruges, por ai duhet te mos e ndale tempin…sepse ngadalesia i lodh njerezit e varfer…koha iken shpejt.
    Jam lindur i varfer, jam rritur i varfer…por…nuk dua te vdes ne varferi..
    Kam akoma shprese se Rama nuk na ka tradhtuar e nuk eshte lodhur…lavdia ecen krah per krah me vdekjen!

    Pershendetje!

    1. flutra says:

      Mara shpresoj ti kesh zgjidhur sadopak problemet qe te shqetesonin disa jave me pare.
      Edi nuk eshte aspak shenjtor, por nje kokekrisur qe momentalisht i duhet ketij vendi.

      1. MARA says:

        @flutra, ndoshta provove mos qelloje ne shenje, por une problemet i kam qe se kur linda me priti nje mjedis armiqesore, i cili vazhdon te sillet ashtu me mua sa kohe te kete jete e shpirt. Keshtu qe probleme te disa javeve me pare nuk me takojne mua.

        Sa per Edin qofte edhe per cipros a Leninin vete, thuhete”shenjte” ne kuptimin metaforrik, si njerez qe duan me shpirt te bejne pune….

        1. pjatalarsi says:

          E kush eshte ai njeri qe pretendon se nuk do qe ti zgjidhi hallet e njerezve!? Tek fjalet, njerezit nuk ndryshojne shume. Tek veprat pastaj… -lere se e di cdo kush!

          1. MARA says:

            Sigurisht tek veprat…Edi erdhi” me tulla e llaç ne duar”, qysh kur ishte Minister i Kultures. Dukej qe i vriste syte shemtimi i jashtem i Tiranes ashtu sikurse edhe ne te tjereve, por qe po te na vinte ne dore nuk do arrinim aq sa Edi, sepse nuk mjafton te duash por edhe te dish te besh. Per kete aresye edhe me 23 qershor populli e zgjodhi Edin ne shumice…Une ja njoh veshtiresite, pse jo edhe gabimet…por prap kam shprese se ai do sjelle shprese…

  4. katarakti says:

    Jam dakort me Fluturen. Edi Rama i duhet te ketij vendi. Tani per tani eshte i pazevendesueshem. Njeri qe ngjall shprese se do ta beje me ne fund Shqiperine shtet, dhe jo nje tallava siç ka qene keto 25 vjetet e shkuara.

  5. sara says:

    Kush tha se Edi Rama eshte kokekrisur? AHA sepse ben pune qe duken te imagjinueshme per tu bere. IK shihni si si rrine ne radhe shqiptaret per te paguar dritat…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje