Arratisje nga kriza morale

3 Shkurt 2015, 20:45Blog TEMA

Nga Blerim Gashani

 

Diku në dalje të qytetit të Korçës, në një kryqëzim rrugësh, është një lëndinë që edhe sot quhet Lëndina e Lotëve. Nuk dihet pse e kishin zgjedhur njerëzit atë vend për t’ua dhënë lamtumirën emigrantëve, po dihet se mes qirinjve dhe lotëve gratë prisnin burrat e ikur ose lajmin se janë gjallë dhe janë mirë. Me kohë, ky ishte bërë vendi ku familjarët e shihnin për herë të fundit të dashurin e tyre dhe fataliteti bashkë me lotin i kishin dhënë emrin lëndinës.

Në një fraksion sekonde, në mendjen time përftoi Lëndina e Lotëve, mbrëmë, kur pashë skenat e llahtarshme të “lëndinës” së autobusëve, nga ku njerëzit tanë po arratiseshin. Dhe, bashkë me llahtarin, desha të imagjinoj një ditë kur shportat me foshnjat e sapolindura të shqiptarëve nuk do të kenë nevojë të kalojnë kufij në netë të ftohta të dimrit, sikur këto net që po i mërdhijnë zemrat tona. Duhet vetëm të imagjinojmë, pra, sepse ne nuk kemi arritur të ndërtojmë institucione që do ta jetësonin këtë ditë. As shtet, as akademi, as institucione, as mekanizma tjerë që do të duhej të dilnin me një analizë të shkaqeve pse shqiptarët po ikin, nuk kemi, prandaj duhet të mendojmë të gjithë pse po ikim. Por, më së pari duhet të identifikojmë se kush po arratiset!

Përkundër logjikës, bazuar në një analizë të nxjerrë nga burimet e dorës së parë, klasa e shqiptarëve që po arratiset nga Kosova nuk është klasa më e varfër e shoqërisë sonë. Ndoshta edhe për një arsye të thjeshtë – shtresa më e varfër nuk mund ta sigurojë madje as shumën e parave, që i duhet klandestinit për të udhëtuar nëpër male e lumenj, “bileta” për të cilat relacione është shumë e shtrenjtë. Shtresa e shqiptarëve që po arratiset, është përgjithësisht shtresa që e ka një punë në Kosovë. Këta njerëz punojnë dhe punojnë shumë bile. Këta njerëz, verë e dimër rropaten në punë, zakonisht, shumë të rëndë. Dhe, ju lexues të këtyre rreshtave së pari nuk do të pajtoheni me këtë konstatim dhe pastaj do të doni të dini arsyen pse pra këta njerëz po e lëshojnë Kosovën – duke e kërkuar një punë – derisa tashmë paska vite që ata punojnë. Dhe unë them se nuk ka nevojë, sikur në të gjitha gjërat, të shkojmë me ligjërime komplekse e megalomane. Shpjegimi është shumë i thjeshtë!

Shumica absolute e të arratisurve të ditëve të fundit punojnë që 12-13 vjet, nga gjashtë ditë në javë, shumë nga ta edhe nga shtatë ditë në javë.

Shumica absolute e të arratisurve të ditëve të fundit punojnë që 12-13 vjet, pa pushim të paguar vjetor, pa sigurim në punë, pa sigurim shëndetësor, pa kontribute të paguara dhe pa kontrata valide të punës.

Shumica absolute e të arratisurve të ditëve të fundit punojnë që 12-13 vjet pa e ditur kurrë datën e sigurt se kur do ta marrin pagën mujore. Shumica, pas kanë lënë dhjetëra paga mujore, të papaguara dhe të harruara nga pronarët e kompanive ku kanë punuar. (Meqë ra fjala: shumica nga këta pronarë tashmë milionerë dhe zengjinë të rinj, pa asnjë kod moral.)

Shumica absolute e të arratisurve të ditëve të fundit punojnë që 12-13 vjet, së paku nga 70 orë në javë, disa nga ta edhe më shumë.

Shumica absolute e të arratisurve të ditëve të fundit punojnë që 12-13 vjet, me një pagë mujore të mjerë për nga lartësia; një pagë që nuk i nënshtrohet asnjë ndryshimi, edhe kur jeta përreth (dhe sidomos rentabiliteti i kompanive) ka ndryshuar aq shumë.

Dhe, më e rëndësishmja, shumica absolute e të arratisurve të ditëve të fundit punojnë që 12-13 vjet, në kompani private. Dhe këtu duhet të ndalemi!

Ka pasur shumë tregime për sipërmarrës tanë që, edhe në kohën kur në Kosovë nuk ka qenë e imagjinueshme, kanë pasur kompani, sidomos ndërtimore, matanë lumit Drinë. Dhe tregimet ndryshojnë në gjithçka, por vetëm në një gjë puqen. “Produzimaqat” tanë, ekskluzivisht, ju kanë mbetur borxh mërgimtarëve shqiptarë. Borxhet varirojnë, nga disa rroga mujore – në sasi që kanë sjellur vrasje të palëve. Dhe, ende s’e kam takuar dikënd që të thotë ndryshe. Ka mospajtime edhe për ngjyrën e borës nganjëherë (p.sh. në rrafshin e Kosovës ngjyra e borës është e zezë!!!), po nuk ka mospajtime për këtë turp.

Një ditë të bukur, “produzimaqat” lindën në Kosovë si kërpudhat pas shiut dhe kjo ishte gjë e mirë. Duke qenë se Kosova duhet të ndërtohej dhe rindërtohej e tëra, mund të imagjinoni sa puna ishte për ta. Për ta dhe për ne. Dhe, e morën ndërmarrësit tanë privatë punën dhe i punësuan (me mirë dhe më saktë do të ishte të thuhej: i morën në punë se koncepti punësim është pak më kompleks) shqiptarët në ato punë. Së pari, të dyja palët ishin të lumtur. Së dyti, kohët ndryshonin, kompanitë private lulëzonin, fitimi rritej për to dhe në to, luksi i shfrenuar fillonte, punët shtoheshin dhe ndryshonin, por vetëm një gjë, çuditërisht dhe çmendurisht, nuk ndryshonte!

Për punëtorin kosovar të sektorit privat, asgjë nuk ndryshoi. Asgjë! Gjatë gjashtë ditëve të javës, nganjëherë shtatë, ai/ajo zgjohet në ora 5 të mëngjesit. Kthehet në ora 8 të mbrëmjes. Nuk ka kohë as për jetën familjare e lëre më atë shoqërore. Kam dëgjuar që ka rojtarë të natës që punojnë me vite – thjesht çdo natë, pandërprerë, pandërprerë, pandërprerë,….me një rrogë qesharake prej 180 eurosh. Edhe këtë “rrogë” pronari milioner nuk ua jep me rregull (besoni apo jo!?). Dhe, kur ua jep, zgërdhihet në atë mënyrë dhe nga ajo lartësi false, që tregon vetëm një gjë! Krizën morale të kësaj klase të mjerë, që te ne ia kanë arritur të bëhen pronarë dhe “kapitalistë”! Dhe, po, kjo na sjell te përgjigja e pyetjes: kush dhe pse po arratiset nga Kosova?

Njerëz të mirë, Kosovën po e lëshojnë punëtorët e sektorit privat. Ata po e lëshojnë Kosovën për shkak se ne të gjithë, po posaçërisht klasa e pronarëve të sektorit privat, është në krizë të thellë morale!

Pas lotëve të djeshëm në “Stacionin e Lotëve”, s’duhet ta fshehim këtë! S’ka metanarracione për humbjen e shpresës, klasën e mjerë dhe të superkorruptuar politike, krizën ekonomike vendore dhe globale, mungesën e sigurisë e të tjera, edhepse krejt këto bartin pjesë të së vërtetës. Por, duhet ta dimë se:

Kosovën po e lëshojnë punëtorët. Dhe kjo është për të vënë kujën!

2 komente në “Arratisje nga kriza morale”

  1. Mara says:

    E lexova per respekt te mundimit qe keni marre. Nuk desha te komentoj shkrimin, por mendja me mbeti tek femijet, qe sigurisht pse i doni shume i keni vendosur ne foto. Kjo nuk eshte e drejte, nuk me duket e drejte, hyn ne abuzim me figuren e tyre. Dhe ndoshta kur te rriten nuk do te jene dakord pse i keni trajtuar ashtu.

    Me falni nese ju shqetesove me kete verejtje

    1. Blerimi says:

      Tung Mara! Fotografia është vendosur aty nga redaksia. Në vend të saj,natyrisht, unë kam dërguar foton time. Pajtohem me ju për shqetësimin, dhe – nëse e lexon shkrimin me kujdes – pikërisht njëra nga shtysat e këtij shkrimi janë foshnjat në shporta që po futeshin në autobus. Edhe një here: unë, si autor i shkrimit s’kam asgjë të bëj me foton që po shfaqet përbri shkrimit tim.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje