Skandali i trukimit të ndeshjeve në Spanjë merr përmasa edhe më të mëdha.
Sipas radios “Cedena Ser”, Osasuna është skuadra që ka arritur të manipulojë sistemin pasi arriti të bindte dy lojtarë të Betis për t’u përfshirë në trukim.
Lojtarëve andaluzianë, Amaja dhe Xhordi Figueras iu premtuan 250 mijë euro në rast fitoreje ndaj Valadollid nga ish- menaxheri i Osasunas, Angel Vizkai, ndërsa dy lojtarëve në fjalë iu premtua një shumë shtesë nëse do të humbisnin ndeshjen e fundit të sezonit kundër Osasunas.
Në deponimin e tij për Federatën Spanjolle, Vizkai ka sqaruar gjithçka dhe ndaj mediave është mjaftuar me komentin e thjeshtë:
“Janë çështje që i kam zbardhur në federatë dhe nuk dua të komentoj asgjë më shumë”.
Sipas radios në fjalë, Xhordi Figueras ka telefonuar drejtuesin e Osasunas për t’i kërkuar llogari për shumën e munguar pas humbjes 2-1 në Pamplona dhe pas suksesit 4-3 ndaj Valadollid.
Nga ana tjetër, Amaja është përpjekur të mbrohet duke u shprehur se regjistrimi telefonik është i vërtetë por gjithçka është thënë në kuadrin e shakasë.
“Gjithçka është një mashtrim pasi skuadra jonë nuk ka shitur asnjë ndeshje”, sqaron mbrojtësi 31-vjeçar i lindur në Madrid.
Gjithsesi, pavarësisht mohimit që bëjnë emrat e akuzuar në këtë çështje, sipas të dhënave, Osasuna ka transferuar paratë në llogari të dy lojtarëve.
Aktualisht, nën hetim është presidenti i Osasunas, Miguel Arçanko, i cili mbetet i akuzuari kryesor pasi tentoi të korruptonte disa elementë në La Liga gjatë sezonit të kaluar për të mbajtur me çdo kusht mes më të mirëve të Spanjës skuadrën e tij e cila nuk arriti të mbijetonte.