E ardhmja e Kevin Strotman në futboll duket e errët.
Në këtë përfundim del ish- mjeku i skuadrës së Romës, Mario Brozzi, i cili analizon gjendjen e gjurit të lojtarit pas operacionit që e mbajti për rreth 8 muaj larg fushave.
Javët e fundit, lojtari iu nënshtrua një tjetër ndërhyrje, por situata është komplikuar dhe nuk ka shumë informacion për atë që po i ndodh mesfushorit holandez.
“Gjuri i tij mund të mos kthehet asnjëherë në gjendjen e mëparshme”, thekson Brozzi, duke alarmuar jo vetëm ambjentin verdhekuq, por edhe atë holandez, pasi Strotman është një prej mesfushorëve më të mirë të brezit të tij në kombëtaren e tulipanëve, raporton Sport News.
25-vjeçari që humbi mundësinë për të marrë pjesë në Kupën e Botës, rrezikon ta mbyllë edhe sezonin aktual në infermierinë e Romës, sepse afati i shërimit të tij nuk është ende i qartë.
Brozzi shton se lojtari po vuan nga sindroma e Cikllopit për shkak të komplikimit që u shfaq pas ndërhyrjes në gju.
“Nuk e di çfarë ka ndodhur me gjurin e tij, por kjo sindromë vjen si pasojë e problemeve me pozicionin e ligamenteve.
Kam përshtypjen se operacioni nuk ka qenë i suksesshëm dhe tashmë është në telashe”, shton ish- mjeku i skuadrës italiane, i cili konfirmon zërat se Strotman po kalon një periudhë të komplikuar për shkak të gabimit të mjekëve në ndërhyrjen kirurgjikale.
Nëse gjendja e lojtarit nuk përmirësohet, atëherë edhe trajneri i Mancester Junaited, Luis Van Gal, mund të tërhiqet nga gara për ta transferuar në “Old Traford”