Nis shtyrtimi i ligjit të dosjeve / Veliaj: Asnjë kompleks për t’u përballur hapur me dosjet, alternativa e opozitës antikushtetuese

4 Mars 2015, 13:20Sociale TEMA

Kuvendi nisi sot shqyrtimin e projektligjit për hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit, pa praninë e deputetëve të opozitës të cilët braktisën mbledhjen me justifikimin për ndryshimin e rendit të ditës së komisionit. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj theksoi se varianti i sjellë për miratim është hartuar sipas eksertizës dhe përvojës më të mirë, asaj gjermane, ndërsa vuri në dukje se qeveria nuk ka asnjë lloj kompleksi për t’u përballur qartazi dhe prerë me këtë temë të rëndë.

Ai shtoi se për hartimin e nismës në fjalë janë marrë në konsideratë e gjithë jurispudenca e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me këtë temë, opinioni i Komisionit të Venecias, si dhe drafti i është çuar paraprakisht për vlerësim edhe organizatave të huaja që veprojnë në Shqipëri.

“Ky nuk është një ligj lustracioni dhe s’ka arsye që të kemi kompleks për këtë. Nuk është një model hakmarrje, nuk është një model dënimesh kolektive, spastrimesh apo gjëra të kësaj natyre. Ka faktorë të opozitës që përpiqen të shtyjnë këtë axhendë për të larë hesapet në Partinë e tyre”, deklaroi Veliaj gjatë seancës.

Më tej, ai ka prekur edhe nismën e ardhur nga opozita, e cila sipas tij në mënyrë të qëllimshme ka përfshirë në të elementë antikushtetues për t’u rrëzuar më pas nga gjykata, ndërsa nga ana tjetër kërkon ta përdorë atë për qëllime populiste. “Alternativa tjetër që na është ofruar nga opozita na është dukur një alternativë me dashje antikushtetuese. Mënyra më e sigurt për të sabotuar një ligj të tillë është ta mbushësh me elementë antikushtetues që mos ta kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese, të dhunojë çdo vendim tjetër të kësaj gjykate dhe opinionin e Komisionit të Venecias dhe të dalësh në publik si populist për të thënë që kjo është kauza morale e së djathës. Në të vërtetë, ndodh ajo që ndodhi sot, e djathta s’është fare e interesuar as për ish të përndjekurit, as për këstet dhe as për ligjin e dosjeve”, tha ministri Veliaj.

Projektligji i qeverisë synon dhënien e aksesit në dosjet e ish Sigurimit të Shtetit sipas një procesi të mirë-rregulluar për të gjithë personat e prekur drejtpërdrejtë nga veprimtaria e ish Sigurimit të Shtetit. Këtu përfshihen jo vetëm personat e përndjekur nga ish Sigurimi, por edhe vetë bashkëpunëtorët dhe ish punonjësit e Sigurimit, të cilët në përputhje me dispozitat e këtij projektligji do të kenë të drejtën e aksesit të plotë në të gjithë informacionin e grumbulluar kundër tyre apo prej tyre gjatë viteve të veprimtarisë së Sigurimit.

Akses do të mund të sigurohet gjithashtu, për efekt të veprimtarisë hulumtuese apo kërkimore me qëllim vlerësimin e veprimtarisë së ish Sigurimit të Shtetit apo vlerësimit të figurës dhe rolit të personave historik të kohës, për aq kohë sa ky informacion i shërben qëllimit të deklaruar. Projektligji parashikon informimin e Institucioneve Publike mbi marrëdhëniet që një person i cili do të promovohet apo emërohet në një pozicion të lartë shtetëror, kushtetues apo publik, ka pasur me ish-Sigurimin e Shtetit, në rast se kërkohet prej tyre, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 dhe Opinionin e Komisionit të Venecias.

Për të realizuar hapjen e dosjeve projektligji parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm me 5 anëtarë që do trajtojë çdo rast apo kërkesë të ardhur nga individë apo institucionet shtetërore./j.h

2 komente në “Nis shtyrtimi i ligjit të dosjeve / Veliaj: Asnjë kompleks për t’u përballur hapur me dosjet, alternativa e opozitës antikushtetuese”

  1. lol says:

    Hej more minister,shume njerezet make pyetur e shume shoqate!
    Po vetem shqiptaret nuk i ke pyetur as ato te diaspores qe preken nga ky ligj,as viktimat qe Jane kishe ne thelb te ligjit!….
    Te shohim pra apo na d’El nje crown agent i dyte nga keto konsultime!…

  2. stela says:

    Nje pyetje kisha. A na ngrehet ndonje cik mireqenia me hapjen e ketyre dosjeve????

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje