INVESTIGIMI/ Gjithë problemet e diplomacisë shqiptare

3 Mars 2015, 18:20Sociale TEMA
INVESTIGIMI/ Gjithë problemet e diplomacisë shqiptare

Ambasadorët pa shkallë karriere, ambasadat zyra noterie. 9 ambasadorë pa mandat, numri i diplomatëve jo të fushës mbi normë, MPJ vetëm 1 propozim të ligjshëm nga 10. Përkujdesja e ambasadave për qytetarët, amatoreske

Nga Sokol Kondi

 

Në një prej veprave të tij më të njohura, Milan Kundera përshkruan situatën groteske të varrezave të Pragës, ku befas, sipas shkrimtarit çek, të vdekurit janë bërë edhe më mburravecë dhe arrogantë seç ishin për së gjalli. Mbi lapidarët e tyre gjenden të shkruara të tipit “doktor i madh”, “artist i shkëlqyer”, “njeri i mrekullueshëm”, por sidoqoftë ndoshta jo për faj të tyre, por të të gjallëve, të cilët mund edhe të kenë shkuar kundër vullnetit të asaj që do të kishte dashur në të vërtetë ndonjëri prej të ndjerëve. Në rastin tonë, nuk kemi pse të shkojmë deri te varrezat për të gjetur një situatë të ngjashme, sepse mjafton të shohim përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë për t’u ndeshur me një fodullëk dhe komicitet me bollëk. Në fakt, në jetëshkrimet që ambasadorët kanë përpiluar vetë për karrierat e tyre, gjenden të shkruara të tipit “analist i pavarur”, “speaker lajmesh”, “polemist i shquar”, “ish-financier i SHQUP”, “oficer ushtarak”, “skenarist”, “mësues gjuhe”, “kimist” dhe shumë e shumë cilësi të tjera, që mund të kenë lidhje me çdo gjë tjetër përveç diplomacisë. Por kjo ndoshta jo plotësisht për faj të tyre, por edhe të funksionarëve të lartë politikë, të cilët në ndonjë rast mund të kënë shkuar edhe “kundër” vullnetit të ndonjërit prej ambasadorëve tanë.

Ambasadorët jodiplomatë, mbi normë – Një problematikë madhore lidhur me MPJ-në është ajo që ka të bëjë me zbatimin e ligjit për shërbimin e jashtëm, për sa i përket përzgjedhjes së ambasadorëve shqiptarë nëpër botë. Në nenin 22 të Ligjit Nr. 9095, datë 3.7.2003 “Për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, lidhur me përzgjedhjen e shefave të përfaqësive diplomatike, në pikat 2 dhe 3 thuhet: “2. Ne këto poste mund te emërohen edhe ish-anëtarë te Këshillit te Ministrave, ish-deputete, personalitete te fushave te ndryshme, te cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara ne këtë ligj. 3. Numri i personave te emëruar, sipas pikës 2 te këtij neni, nuk duhet te jete me i larte se 20 për qind e numrit te diplomateve, qe punojnë ne përfaqësitë diplomatike me te njëjtin funksion…”. Me një përllogaritje matematikore, nga 44 përfaqësitë diplomatike (nivel ambasade) që MPJ ka të publikuara në faqen e saj zyrtare në internet, i bie që në respekt të pikës 3 të Nenit 22 të Ligjit për një kuotë jo më të madhe se 20% e diplomatëve që nuk janë të karrierës, kjo shifër të jetë 8.8. Nga një vëzhgim i 44 përfaqësive diplomatike të Shqipërisë rezulton se kjo kuotë nuk është e respektuar. Në fakt numri i ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë që nuk vijnë nga fusha e diplomacisë është 11 dhe kjo shifër mund të ishte edhe më e lartë, po të kihet parasysh se në sajtet e disa ambasadave nuk është e mundur të merret asnjë informacion lidhur me ambasadorin dhe karrierën e tij diplomatike.

Ambasadorët që nuk vijnë nga fusha e shërbimit të jashtëm të Republikës së Shqipërisë, siç e do ligji, në bazë të jetëshkrimeve që ata vetë kanë publikuar në sajtet e ambasadave, janë: 1. Leonard Demi (Ambasador pranë NATO-s, politikan), 2. Adia Sakiqi (Ambasador në Holandë, ish-përkthyese në Gjykatën e Hagës si dhe asistente dhe drejtore e zyrës së shtypit e Ambasadorit të BE-së në Tiranë), 3. Neritan Ceka (Ambasador në Itali, ish-arkeolog dhe deputet), 4. Bujar Skendo (Ambasador në Izrael, nga fusha e gazetarisë, ka drejtuar NTV dhe Gazetën 55), 5. Bujar Dida (Ambasador në Japoni, profesor Kimie), 6. Ilir Gjoni (Ambasador në Zvicër, ish-deputet), 7. Agim Isaku (Ambasador në Sllovaki, skenarist dhe këshilltar politik), 8. Behar Bejko (Ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe, ish-speaker i TVSH dhe ish-kryetar i Komitetit të Kulteve), 9. Pëllumb Qazimi (Ambasador në Slloveni, ushtarak), 10. Qemal Minxhozi (Ambasador në Kosovë, ish-deputet), 11. Filloreta Kodra (Ambasadore në Misionin e Përhershëm në Gjeneve, ekonomiste, politikane). Kjo shifër fryhet edhe më shumë në rast se i shtojmë edhe të ngarkuartit me punë, 2 prej të cilëve janë jashtë profileve diplomatike. Rastet në fjalë kanë të bëjnë me të ngarkuarin me punë në Vatikan, Ardian Ndreca me formim filozofik dhe Edmond Caca në Katar, me formim ekonomik dhe të gjuhëve të huaja (ish-financier i SHQUP më 2006).

Asnjë info për ambasadorët – Ambasadat që nuk kanë asnjë informacion lidhur me persoin që i drejton janë ato në: Rep. Çeke, Gjermani, Poloni, Maqedoni, Serbi, Suedi, si dhe Misioni i Përhershëm në Gjenevë. Ky i fundit, edhe pse nuk përmban asnjë info lidhur me ambasadorin, në rrugë të tjera kemi arritur të informohemi se bëhet fjalë për Znj.Filloreta Kodra. Nëse në faqet e këtyre ambasadave në rrjet nuk ka informacione sepse atje ka një të ngarkuar me punë, vendi është vakant, apo bojkotohen nga ndonjë ambasador të cilit i ka mbaruar mandati, kjo nuk e zbeh aspak përgjegjësinë e MPJ-së, e cila nuk ka arritur ta zgjidhë problematikën pas 1 viti e 5 muaj. Edhe më e rëndë do të ishtë nëse kjo ndodh thjesht për neglizhencë.

Vetëm 1 ambasador me shkallë të plota karriere – Sipas Nenit 37 të ligjit për shërbimin e jashtëm, në pikën 4 përcaktohet se: “Nëpunësit e shërbimit te jashtëm, qe përfitojnë gradën ambasador, duhet te jene diplomate karriere, te cilët kane kaluar te gjitha shkallet e gradave, te përcaktuara sipas këtij ligji dhe qe kane qene te emëruar ne detyrën e shefit te misionit te paktën për një mandat”. Një gjë e tillë nuk vërehet në thuajse asnjë prej ambasadorëve shqiptarë nëpër botë. Me përjashtim vetëm të tre rasteve, atë të Kujtim Xhanit (Ambasador në Kinë), Roland Bimos (Ambasador në Austri) dhe Dashnor Dervishit (Ambasador në Greqi), të gjithë ambasadorët e tjerë nuk i kanë kaluar shkallët e karrierës sikurse përcaktohet në ligj dhe përkatësisht në Nenin 38, ku në periudhën për kalimin nga një gradë ne tjetrën, thuhet: “1. Periudha minimale për kalimin e diplomatit nga një grade ne një tjetër me te larte, pas përfundimit te periudhës se provës, është: a) nga atashe ne sekretar i trete, 2 vjet; b) nga sekretar i trete ne sekretar i dyte, 3 vjet: c) nga sekretar i dyte ne sekretar i pare, 3 vjet; ç) nga sekretar i pare ne këshilltar, 4 vjet”. Sikurse përmendëm më lart, me përjashtim të tre rasteve të vetme, të gjithë ambasadorët e tjerë që vijnë nga fusha e diplomacisë (pra të pranuar në shërbimin e jashtëm), ose i kanë të pjesshmme këto shkallë karriere, ose i kanë vërtet të varfëra. Disa prej tyre kanë vendosur në cv-të përkatëse se kanë qenë sekretarë të parë apo këshilltarë, por nuk kanë të shënuara shkallët e mëposhtme diplomatike që janë të nevojshme për të arritur deri në këtë nivel sipas ligjit, ndoshta pikërisht sepse nuk e kanë bërë kapërcimin ashtu sikurse e kërkon ligji.

Qeveria e re, vetëm 1 propozim sipas ligjit – Në 10 propozime apo transferime që ka bërë Qeveria dhe që janë dekretuar më pas nga Presidenti i Republikës, 9 ambasadorë kanë një plotësim të pjesshëm ose inekzistent të shkallëve të karrierës sipas kërkesave të ligjit. Transferimi më flagrant është ai i Pëllumb Qazimit, ambasador në Slloveni, i cili përveçëse nuk plotëson shkallët e karrierës diplomatike, nuk është as pjesë e shërbimit të jashtëm, duke patur formim prej ushtaraku. I vetmi rast pozitiv është ai i ambasadorit Roland Bimo, i cili e merr këtë notë pozitive jo sepse i ka plotësuar të gjithë shkallët e karrierës, sepse në fakt edhe në cv-në e tij mungon diçka e tillë në mënyrë të plotë. Ai përfiton nga ky vlerësim pozitiv, për faktin se ka qenë ambasador i Shqipërisë, shumë më përpara se të hynte në fuqi ligji aktual i shërbimit të jashtëm. E njëjta gjë vlen edhe për ambasadorin Dashnor Dervishi në Greqi. I vetmi ambasador për të cilin nuk mund të vërehet një mangësi e tillë, është Kujtim Xhani, ambasador në Kinë. Edhe pse ka qenë ambasador që përpara ndërrimit të sistemeve politike në Shqipëri, Z.Xhani i ka të plotësuara gjithsesi të gjitha shkallët e karrierës diplomatike që kërkon ligji aktual. Rasti i diplomatit në fjalë është për t’u marrë si model implementimi edhe për të gjithë ambasadorët e tjerë. Sigurisht, në propozimet e Qeverisë ka raste të ndërmjetme, si p.sh ai i Sami Shibës, ambasador në Arabinë Saudite, i cili edhe pse ka shkallë të pjesshme të karrierës, ka qenë gjithsesi disa herë ambasador. Kjo vlen edhe për Qirjako Kuretën, ambasador në Bullgari. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ambasadorë si Suela Janina, e akredituar në BE dhe Redi Kurtezi, i akredituar në Spanjë. Ky i fundit nuk ka kaluar asnjë shkallë të karrierës diplomatike, por është emëruar direkt ambasador.

9 ambasadorë me mandate të përfundura – Sakaq, nga vëzhgimi i bërë, të paktën 9 ambasadorëve iu kanë mbaruar mandatet, si në Turqi, Emiratet Arabe, Kie, Egjipt, Gjermani, Izrael, Rusi, OKB dhe Suedi. Ndërsa në një rast Ambasada është pa ambasador, si pasojë e vdekjes së këtij të fundit (rasti i Maqedonisë). E megjithatë në 1 vit e 5 muaj të qeverisë Rama kjo situatë nuk ka mundur të gjejë zgjidhje. Në rast se kjo ndodh për shkak të mosemërimeve nga Presidenti i Republikës, ky nuk mund të përdoret si justifikim për dy arsye: së pari sepse ligji nuk e detyron Presidentin, si institucion i pavarur, që të emërojë kandidaturat e Qeverisë dhe e dyta sepse formula që ka sjellë Presidentin aktual, ka qenë një poropozim i Partisë Socialiste, në kuadër të reformës së fundit kushtetuese.

Rasti Zhiti – Në kushte të tilla, në vend që qeveria ta ndreqë situatën duke vendosur në qendër diplomatët e karrierës, propozimet e reja politike për postet e ambasadorit nuk bëjnë gjë tjetër veçse e thellojnë shkeljen e ligjit. Një rast konkret është ai i propozimit të Visar Zhitit për ambasador në Vatikan. Me gjithë respektin për figurën me integritet të lartë të personit në fjalë, duke qenë se në situatën aktuale Republika e Shqipërisë është mbi normën ligjore të figurave diplomatike që vijnë nga jashtë shërbimit diplomatik, si dhe në mungesë të rëndë të ambasadorëve me shkallë karriere siç e përcakton ligji, emërime të tilla janë prirje të paligjshme nga ana e Qeverisë. Sidoqoftë i gjithë debati që ka shoqëruar propozimin e Z.Zhiti ka qenë i pabazuar në ligj. Si opozita që e kushtëzonte emërimin e tij me konsultimin paraprak me Presidentin, ashtu edhe Qeveria që e ka sulmuar Presidentin për mosemërimin e Z.Zhiti, kanë qenë qasje të gabuara dhe joligjore. Në fakt, në nenin 21 të Ligjit për shërbimin e jashtmëm, në pikën 2, thuhet se: “Ambasadoret emërohen dhe lirohen nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Kryeministrit. Ministri i Punëve te Jashtme i paraqet Kryeministrit propozimet përkatëse për emërimin dhe lirimin e ambasadoreve. Përpara emërimit te ambasadorit nga Presidenti i Republikës, Komisioni i Kuvendit qe mbulon politiken e jashtme, organizon seance dëgjimore me kandidatin për t’u emëruar ambasador.” Nga kjo del qartë se ligji nuk e detyron as Qeverinë që të konsultohet me Presidentin për ambasadorët, por as Presidentin që të emërojë detyrimisht apo brenda ndonjë afati të caktuar kohor propozimet e Qeverisë. Emërimi i ambasadorëve nga ana e Presidentit është një ndër funksionet e tij, në bazë të shkronjës dh) të nenit 92 të Kushtetutës, por zor se këtë funksion, institucionit të pavarur të Presidentit të Republikës, mund t’ia diktojë një formë tjetër pushteti (ekzekutivi) se si ta përdorë. Këtë e themi edhe duke u bazar te parimet kushtetuese të ndarjes dhe të balancimit ndërmjet pushteteve.

(Mos)kujdesja e ambasadave për qytetarët shqiptarë – Në Ligjin Nr.9095, date 3.7.2003 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Shqipërisë, për funksionet e misionit diplomatik, në Nenin 16, Pika 1, gërma b, thuhet se ai duhet “…te mbroje ne shtetin pritës interesat e Republikës se Shqipërisë dhe te shtetasve ose personave juridike te saj...;”. Për mision diplomatik nënkuptohen ambasadat, apo konsullatat dhe shërbime të tjera të përcaktuara nga ligji në fjalë, por nuk është parë që interesi i shtetasve shqiptarë të jetë mbrojtur sikurse e kërkon ligji nga këto përfaqësi në disa raste të caktuara. Në fakt, në raste të rënda dhe dramatike, si dhuna policore në Maqedoni ndaj protestuesve shqiptarë, incidentet e Beogradit lidhur me ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, aktet terroriste në Francë, apo përleshjet e fundit të janarit në Kosovë, interesat e shtetasve shqiptarë nuk janë mbrojtur siç duhet. Nuk ka patur asnjë njoftim në adresat zyrtare të këtyre ambasadave në internet, ku të lajmëroheshin shtetasit shqiptarë që ndodheshin në vendet përkatëse, për masat që duhet të merrnin për të garantuar jetën e tyre dhe paprekshmërinë fizizke, si dhe mjediset apo rrugët që duhet të shmangnin për të mos qenë të rrezikuar. Një praktikë e tillë ndërkombëtare është e njohur dhe përdoret shpesh nga ambasadat në shërbim të qytetarëve të tyre. Në fakt, ambasada e Shetetve të Bashkuara, apo ajo e Italisë në Tiranë, i kanë njoftuar me shumë kujdes qytetarët e tyre për rrugët dhe sheshet publike që duhet të shmangnin, sa herë që në vendin tonë ka patur trazira, apo rrezik për protesta të dhunshme. Një praktikë e tillë nuk është luks, por një detyrim ligjor dhe si i tillë duhet kthyer në përditshmërinë e punës së misioneve diplomatike shqiptare nëpër botë. Adresa zyrtare e Ambasadës së Shqipërisë në Francë, në periudhën e akteve terroriste në Paris, u mjaftua me citimin e qëndrimit zyrtar të MPJ, ndërsa më parë në të ndodhej një njoftim për një ekspozitë pikturash të kryeministrit Edi Rama në Paris. Pra ambasada në faqen e saj përcillte vetëm evente të përgjithshme dhe nuk pati një përkujdesje direkte për të mbrojtur interesat dhe jetët e qytetarëve shqiptarë që mund të gjendeshin në rrezik gjatë periudhës së incidenteve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për faqen e ambasadës tonë në Maqedoni, ku raportohen vetëm lajme nga takimet e personaliteteve shqiptare në këtë vend, ndërsa faqja e Ambasadës Shqiptare në Kosovë është akoma edhe më e varfër në këtë drejtim. Në faqen e ambasadës shqiptare në Serbi, ndër shërbimet që ajo ofron ka edhe “Perkujdesje(n) e shtetasve shqiptare qe gjenden ne Republiken e Serbise”. Një gjë e tillë nuk u vu re as përpara, as gjatë dhe as pas incidenteve që shoqëruan zhvillimin dhe pas-ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri, të paktën për sa i takon njoftimeve zyrtare. Jeta e shumë shqiptarëve u vu në rrezik, megjithatë ambasada nuk lëshoi apriori asnjë informacion se si mund t’iu shmangeshin qytetarët këtyre ngjarjeve. Përveç qytetarëve të thejshtë ka edhe mjaft kompani private shqiptare që operojnë në rajon dhe informacione të këtij karakteti do të ishin të vyera edhe për to. Në programin e qeverisë 2013-2017 për politikën e jashtme thuhen shumë fjalë të bukura si: “Ne do të mbështesim aktivisht shqiptarët që jetojnë dhe studiojnë jashtë vendit… Do të ndërtojmë një politikë shumëkahëshe, e cila përfshin rrezatimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore… reformimin e shërbimit konsullor, duke krijuar shërbime të posaçme, sipas praktikave më të mira evropiane.”. Dakort, por në rradhë të parë le ta fillojmë duke mësuar të përdorim faqet zyrtare në Web dhe t’i mbajmë të azhornuara në dobi të qytetarëve dhe subjekteve që ndodhen në vendet ku ambasadat janë të akredituara.

Me pak fjalë, nga ajo që vërehet në praktikë, të gjitha Web-sitet e ambasadave shqiptare nëpër botë, janë faqe interneti të standardizuara, që do të thotë janë pak a shumë të njëjta, me disa dritare informacionesh apo shërbimesh identike dhe jo pika referimi fleksibël dhe të azhornuara, ku qytetarët të mund të referohen për probleme nga më të ndryshmet që mund të kenë në vendet ku jetojnë. Vërtet ambasadat kanë seksionin e kontakteve në web-site, nga ku mund të komunikohet me to, por kjo mund të mos ishte e mjaftueshme dhe efikase për njerëz të gjendur në rast urgjence dhe që kanë nevojë për informacione të sakta dhe të shpejta.

Nëpër web-site, ka një mungesë transparence edhe për sa i takon marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe vendit ku është e akredituar ambasada. Në të vërtetë ka një seksion të posaçëm në faqen e çdo ambasade për këtë temë, e megjithatë në pothuajse dy vitet e para tashmë të qeverisë së re, të gjitha keto seksione janë bosh, të paplotësuara, me shpresën se do të kenë informacione të paktën brenda këtij viti. Një gjë e tillë, përveç parimit kushtetues të transparencës, që duhet ta zbatojë çdo institucion publik, pemgon edhe parimin po kushtetues të së drejtës për t’u informuar dhe cungon informacione të vyera për qytetarët shqiptarë si dhe për studentët apo studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare që kanë nevojë për referenca të sakta. Një problematikë të tillë e kam hasur edhe vetë, kur më është dashur teksti i Traktatit të Fqinjësisë dhe Bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ndërkohë kur këtë tekst mund ta shkarkoja fare lehte nga adresa e ambasadës tonë në Athinë, sporteli i informacionit në MPJ më sugjeroi të ndiqja praktikën aspak hi-tech dhe as praktike të kërkesës me shkrim në MPJ!

Do të ishte shumë më praktike që të gjitha marrëveshjet e nënshkruara midis Shqipërisë dhe vendit ku ndodhet ambasada jonë të ishin të publikuara në faqen zyrtare të ambasadës, në mënyrë që të shmangen burokracitë dhe procedurat e zakonshme, që në rast të kundërt, do të kërkonte një gjë e tillë, kur ka persona të interesuar të informohen mbi to.

Sa për të bërë një shembull, faqja e ambasadës italiane në Tiranë, ka një seksion ku mund të merren dhe të lexohen fare lehtë dhe në mënyrë të plotë të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar midis Shqipërisë dhe Italisë. Për një gjë të tillë kanë nevojë edhe ambasadat tona, pra të bëjnë interesin e qytetarëve shqiptarë në dimensionin më të gjerë të mundshëm që përfshin ky koncept dhe detyrim ligjor që kanë, në mënyrë që të shmangin të qënin klasik dhe tashmë rudimentar të një zyrë noterie legalizimi dokumentash par exellance. Nëse një ambasador do të kishte sadopak vullnet të mirë për të mbrojtur interesin e qytetarëve shqiptarë në rajon dhe në botë, do të kishte qenë më mirë sikur qoftë të jepte informacione për kushtet klikmaterike në vendin e akredituar, në vend që faqet të dremisin tërësisht.

Mosreagim diplomatik për azilkërkuesit – Ndërmjet dhjetorit 2014 dhe janarit 2015, një numër i papritur në rritje qytetarësh shqiptarë janë dyndur nëpër dyert e agjencive të udhëtimeve për të prerë një biletë vetëm për vajtje në disa vende të Europës si Gjermania, Franca, Suedia, etj. Qëllimi i tyre ka qenë që pasi të mbërrinin në këto vende, të kërkonin më pas atje strehim politik për arsye ekonomike. Në të gjitha rastet ata janë kthyer mbrapsht nga vendet pritëse, duke pësuar kështu veç dëmit ekonomik edhe një dëm moral. Qytetarë të tillë kanë qenë pre e keqinformimit apo mashtrimit në Shqipëri (nga privatë?) se mund të përfitonin azil në vende të BE-së. Edhe pse në pamje të parë kjo mund të duket si një çështje e brendshme, ajo merr dimension të jashtëm që në momentin që qytetarët shqiptarë e lënë vendin e tyre të origjinës. Ministri i Punëve të Brendshme është parë në veprim në Shqipëri për t’i sensibilizuar qytetarët për padobishmërinë e veprimit të tyre. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për MPJ, qoftë në nivel qëndror, qoftë edhe në atë të ambasadave apo kosnullatave. Faqet e ngurta të ambasadave shqiptare nëpër botë, përmbajnë historinë e Shqipërisë, por asnjë informacion të dobishëm lidhur me azilkërkuesit e gënjyer. Institucionet shtetërore dhe mediat nuk kanë raportuar as edhe një rast të vetëm të ndonjë ambasadori apo konsulli shqiptar që të ketë dalë për të pritur bashkëqyetarët e tij në vendet e destinacionit të tyre, për t’u interesuar për kushtet dhe trajtimin e tyre dhe për t’i sensibilizuar për pamundësinë e marrjes së strehimit politik. Përveç sajtit të ambasadës shqiptare në Gjermani, që ofron informacione të detajuara për sa u përket lëvizjeve në hapësirën Shengen, një gjë e tillë nuk vërehet në asnjë ambasadë tjetër nga ato të prekura më shumë nga azilkërkuesit shqiptarë (Franca, Suedia, Mbretëria e Bashkuar etj). Te këto të fundit ka vetëm informacione noteriale lidhur me legalizimin e dokumentave në seksionin e shërbimeve që ofron ambasada.

 

Dhe më keq akoma, në sajtin e ambasadës shqiptare në Suedi, si seksioni i shërbimeve, ashtu edhe ai i marrëdhënieve dypalëshe janë bosh! Shembulli i sajtit të ambasadës shqiptare në Gjermani duhet ndjekur edhe nga ambasadat e tjera. Bëhet fjalë vetëm për hedhjen e linkut të një materiali të përpunuar nga MPJ dhe nuk kuptohet se përse e kanë patur kaq të vështirë edhe ambasadat e tjera që preken nga problemi i kërkimit të azilit që të bëjnë të njëjtën gjë.

Sidoqoftë, edhe vetë ambasada e Shqipërisë në Gjermani që merret si model, mund të kritikohet për faktin se nuk i ka bërë jehonën e nevojshme këtij problemi. Në fakt, çështja e lëvizjes në zonën Shengen është e vendosur në një seksion që duhet të jesh mjaft kërkues për ta gjetur dhe jo në faqen e parë, vend ku do të meritonte të trajtohej problemi dhe ku përkundrazi ndodhen lajmë të vjeteruara.

Institucionet shtetërore, duke përfshirë edhe MPJ, nuk kanë humbur rast për të bërë reklama propagandistike (shih videon e një forumi politik të PS të hedhur në fan-page në Facebook nga Ministri i Jashtëm Bushati më 24 janar 2015 lidhur me çmimin e naftës), por për të informuar me reklama sensiblizuese, që kanë një dobi publike për qytetarët, nuk është kujtuar askush. MPJ dhe ambasadat mund të kishin prodhuar botime informuese, të tipit broshura, fletë-palosje etj, si dhe mund të ndikonin nëpërmjet mediave me fushata ndërgjegjësuese për t’i vënë sadopak fre fenomenit të azilkërkuesve. MPJ dhe ambasadorët shqiptarë mund të marrin mësim në këtë kuadër nga homologu i tyre gjerman në Tiranë, i cili shkoi të fliste me azilkërkues potencialë në Shqipëri mbi problemin. Nën shembullin se si e ushtron detyrën e tij ambasadori gjerman në Shqipëri, në interes të vendit dhe qytetarëve të tij, mund të veprojë edhe diplomacia jonë, pasi ky fenomen kërkon edhe angazhim të jashtëm.

3 komente në “INVESTIGIMI/ Gjithë problemet e diplomacisë shqiptare”

  1. diplomati says:

    vetem ne ambasadat albaneze gjen punonjes qe nuk dine te pakten Anglisht – se per gjuhen e vendit ku jane as behet fjale…

    Ed Rama po ben shtet EDHE JASHTE SHTETIT!!!

  2. lol says:

    Komplimente per kete analize! Bile mundet me u bâ edhe theme per nje thèse,
    Ambasadat shqiptare as nuk kujdesen me thirr shoqatat shqiptare,apo gazetaret te akreditur neper shtet ku Jane! Me kujtohet ne France nje rast ku edhe pse lajmeruam ambasaden per coordonnées tona edhe pse te akredituar zyrtarisht ne france si gazetare shqiptare,nuk u ftuam nga ambasada jone po nga miqte tone franceze!…e ne kemi njohuri nje mije here ma te mire te vendit se sa nje ambasador te sapozgedhur qe bene gafa alla atij deputet ne keshillin evropian,ku i thot je suis Charlie njeri qe publikisht ka dalur me deklarate’desole ,moi je ne suis pas Charlie!’

  3. GAMORI says:

    RESPEKT DJALOSH ME MEND !

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje