Ditën e mërkurë, kryetari i Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, Gentian Sala, zhvilloi një takim me median mbi angazhimet dhe objektivat e këtij institucioni.
Ai ka përmendur fillimisht problematikat me të cilat është ndeshur rreth katër muaj më parë kur ai u zgjodh nga Parlamenti në këtë post. Gjatë vitit 2014 AMA përballej me mospërmbushjen e objektivave ligjore si dhe mosmiratimit të akteve nënligjore të domosdoshme për ushtrimin e aktivitetit të ofruesve të shërbimeve mediatike audiovizive; vijimiin e transmetimeve numerike/analoge të palicencuara; rritjen pa kriter të numrit të subjekteve që ushtrojnë veprimtari audio dhe/ose audiovizive; mungesën efektive të kontrollit të kushteve të licencës/autorizimit nga subjektet e fushës; apo me pamundësinë e ekzekutimit të vendimeve të AMA-s, shoqëruar me një ulje të ndjeshme të autoritetit të institucionit në raport me subjektet shkelëse.
Sipas kryetarit të AMA-s, në 10 muajt e parë të vitit 2014 ky institucion kishte mangësi të konsiderueshme në administrimin e spektrit të frekuencave për transmetime audiovizive dhe mosrespektim të ligjit mbi kontrollin e brezit frekuencor nga ana e administratës së AMA-s, gjë që ka rezultuar në zënien e brezit frekuencor në kundërshtim me ligjin. Mangësi janë evidentuar dhe në ecurinë e procesit të hartimit të akteve nënligjore për shkak të rezultateve jo të mira të konsultimit të gjerë publik. Kështu, numri i akteve nënligjore të hartuara, por ende të pamiratuara, si dhe i akteve ende të pahartuara është 26 (rregullore, udhëzime, kode, strategji).
Gjithashtu problem ka qenë dhe numri i madh i proceseve gjyqësore me objekt zgjidhjen e marrëdhënieve të punës, të cilat e kanë rënduar financiarisht AMA-n, si dhe procese gjyqësore lidhur me kundërshtime gjyqësish të vendimeve të AMA-s për vendosjen e sanksioneve administrative ndaj subjekteve, vendimet për heqjen/pavlefshmërinë e licencës, vendimet për miratimin e detyrimeve të ndryshme ndaj subjekteve audiovizive (Must Carry) etj.
Nga muaji nëntor 2014, kur u bë rikonstituimi i AMA-s dhe Sala erdhi në postin e Kryetarit të institucionit, është duke u investuar në nxitjen e frymës së partneritetit me transmetuesit audio dhe audiovizivë. “Janë zhvilluar konsultime me operatorët kombëtarë. Janë zhvilluar takime zyrtare me organizatat e operatorëve ritransmetues, po ashtu dhe me një numër të konsiderueshëm personash fizikë që zotërojnë kompani kabllore ritransmetuese. Është përmirësuar ndjeshëm situata financiare e institucionit si rrjedhojë e një procesi intensiv komunikimi dhe sensibilizimi me operatorët lidhur me detyrimet financiare të prapambetura”, tha gjatë takimit me median kryetari i AMA-s, Gentian Sala.
Gjithashtu ai nënvizoi faktin se Autoriteti Rregullator po investohet për rregullimin e materialit përmbajtësor për çdo Ofrues të Shërbimit Mediatik Audioviziv, (OSHMA), sidomos në modernizimin e Regjistrit të Licencave. Ka vëmendje që të pasqyrohet para Këshillit të AMA-s gjendja e detajuar e çdo Drejtorie të AMA-s, ku përfshihet dhe njohja me aspekte financiare, të cilat më parë nuk janë pasqyruar para Këshillit. Janë intensifikuar takimet me faktorin ndërkombëtar si me BE, KiE e OSBE, për të krijuar një tjetër klimë bashkëpunimi dhe janë hedhur themelet për një pasqyrim sa më transparent të punës së AMA-s.
Një nga problemet kryesore që ka prezantuar para gazetarëve kryetari i AMA-s ishte dhe ecuria e procesit të digjitalizimit, kalimi nga transmetimi analog në atë numerik. Gentian Sala e konsideroi këtë si një proces shumë të rëndësishëm, për realizimin e të cilit shteti shqiptar ka marrë angazhime bazuar në legjislacionin kombëtar dhe atë ndërkombëtar.
“Për mbylljen e transmetimeve analoge, kërkohet zbatimi i tre komponentëve të mëposhtëm, secili me mision dhe karakteristika të ndryshme: digjitalizimi i rrjeteve analogë tokësorë të transmetuesit publik; digjitalizimi i rrjeteve analogë tokësorë të operatorëve private kombëtarë; digjitalizimi i rrjeteve analogë tokësorë të operatorëve ekzistues lokalë. Roli kryesor i AMA-s, në kuadër të këtij procesi, është për: licencimin e rrjeteve numerike të Transmetuesit Publik; miratimin e frekuencave dhe implementimin e rrjeteve të Transmetuesit Publik; koordinimin me operatorët privatë lokalë për mbështetjen e tyre në një nga rrjetet e Transmetuesit Publik; licencimin e rrjeteve numerike private kombëtare; ndjekjen e procesit të kalimit në digjital të subjekteve ekzistuese lokale; detyrimin për objektivin e mbulimit; miratimin e karakteristikave teknike etj.”- tha Sala.
Sipas tij, AMA ka zhvilluar takime zyrtare, të veçanta, me çdo operator historik dhe kombëtar, për t’u njohur hollësisht me problematikat dhe pritshmëritë që ata kanë për procesin e digjitalizimit.
Don Sala po nxit frymen e padrinoitetit per te mbush xhepat e veta.