Borxhet e energjisë, jo titull ekzekutiv

19 Mars 2015, 12:47Ekonomia TEMA

Kuvendi miratoi në seancë plenare me 76 vota pro ndryshimet në ligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore”, i cili parashikon heqjen e së drejtës prodhuesve të vegjël të energjisë dhe kompanive të përmbarimit të ngrijnë llogaritë e kompanive publike KESH, OSHEE dhe OST për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore.

Fatura e energjisë elektrike u kthye në vitin 2011 në titull ekzekutiv, ndërsa ky vendim vuri në vështirësi kompaninë KESH, pasi nuk pagoi në kohë energjinë e blerë nga HEC-et vogla.

Ky zinxhir i borxheve të krijuara e ka fillesën nga konsumatorët fundorë, që nuk paguajnë furnizuesin me pakicë dhe si rezultat, furnizuesi nuk ekzekuton detyrimin ndaj shoqërisë së shpërndarjes, shoqërisë së transmetimit dhe furnizimit me shumicë, ndërkohë që furnizuesi me shumicë (KESH) nuk paguan prodhuesit privatë të energjisë apo shoqëritë tregtare, të cilat i shesin energji elektrike nga importi.

Operatorët privatë përdorën mekanizmin e përmbarimit privat, i cili bëri ekzekutimin e faturave në kurriz të shoqërive të shtetit. Kjo i kushtoi KESH mbi 260 milionë lekë pagesa ndaj përmbaruesve.

Duke qënë se KESH-i s’ka mundësi financiare për të paguar faturat e prapambetura, përmbaruesit e aktivizuar nga kompanitë koncesionare mbajnë të bllokuar llogaritë bankare të KESH-it e për rrjedhojë, nuk lejojnë ushtrimin e aktivitetit normal të kësaj shoqërie.

Për të shmangur këto pagesa por edhe bllokimin e llogarive të KESH, ministria e Energjetikës hartoi ndryshimet ne ligjin që e shfuqizon faturën e shitjes së energjisë si titull ekzekutiv.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, tha gjate seances se sotme ne Kuvend se kjo është një masë e përkohshme, që kërkohet si pasojë e gropës financiare në sektorin energjetik, pavarësisht rritjes së arkëtimeve dhe uljes së humbjeve në rrjet.
Vetëm për vitin e kaluar janë paguar 276,8 milionë lekë në favor të shoqërive përmbarimore private.

Borxhi në total kap shifrën e 1.1 miliardë dollarëve, ndërsa deri tani kjo shifër është ulur me 150 milionë dollarë, si pasojë e masave të ndërmarra.

Borxhi ndaj HEC-eve, rreth 30 milionë dollarë planifikohet të shlyhet në masën 100% brenda 6 muajve që vijnë. Ndërkohë, Qeveria ka bërë të ditur se po kryen në afat pagesat e faturave korrente për çdo muaj të këtij viti. /gj.k/

3 komente në “Borxhet e energjisë, jo titull ekzekutiv”

  1. anannananan says:

    Regres eshte.

  2. Rreqebulli says:

    Vazhdon budallalleku i rradhes. Kushedi sa te lumtur do jene tani investitoret e huaj qe te vijne te investojne ne Shqiperi ne fushen e energjise. Ashtu vazhdoni deri ne fund. As KESH as OSHEE te vazhdoje dhe te mos i paguaje HEC-et sic kane bere deri tani per energjine e prodhuar prej tyre.

    Ti fundosni ne borxhe nga mos-pagesat e OSHEE dhe KESH, dhe faturat e tyre te mos jene me titull ekzekutiv. Mundesisht tani ka mbetur vetem ti merrni dhe ti shtetezoni, dhe ti perzeni jashte Shqiperise. Nderkohe qe kerkoni invetitore te huaj, ata pak reale qe kane mbetur ne Shqiperi i trajtoni si ne Kore te Veriut, nderkohe qe vendin e keni mbytur me call centers, e fasone rrobaqepes.

    Nje tufe te paaftesh qe duan te bejne shtet bananesh.

  3. Eraldi says:

    Nderkohe qe popullit me te varfer ne europe ju kerkohet qe te paguajne energjine me leket e bukes, miliardereve ju behen leshime! Nuk ke se c’i thua. Kemi Ripjellje dhe “socializem” apo jo? Kemi qysh s’ kemi. Ky do te jete populli me gomar dhe me i tredhur ne bote po votoi perseri per keta qe erdhen me premtime te medha, dhe e lane pa buke fare me veprime te cilat do kishte zili edhe nje diktature fashiste!

    Te shohim ne zgjedhjet lokale.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje