Transaksionet bankare nga shtëpia nëpërmjet internetit pësuan një shpërthim gjatë vitit 2014.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, mbi 1.2 milionë transaksione u kryen nëpërmjet Home Banking nga 323 mijë që u kryen në vitin 2013 me një rritje 285 %.
Po sipas statistikave, “braktisja” e sporteleve bankare për të kryer veprime nga kompjuteri në shtëpi ose nga telefoni, ka vijuar edhe gjatë janarit 2015 ku janë zhvilluar mbi 90 mijë transaksione, raporton Monitor.
Të gjitha bankat janë të pranishme në internet me një faqe të tyren, që jep informacion të përgjithshëm.
Banka e Shqipërisë e argumenton këtë rritje me fleksibilitetin që internet banking u lejon klientëve të futen nëpërmjet internetit në llogaritë e tyre on-line 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, drejtpërsëdrejti nga shtëpitë ose zyrat e tyre dhe të kryejnë operacionet bankare që duan.
Internet banking, të paktën në fazën aktuale, nuk tenton të zëvendësojë kanalet tradicionale të shpërndarjes së produkteve bankare. Ai qëndron bashkë me një tërësi kanalesh, që shkojnë nga ato tradicionale (si sportelet e filialeve) tek ato automatike (si ATM, Pos), në kuadrin e plotësimit dhe të përforcimit të raportit klient – bankë.