Bushati e Gjiknuri në Hollandë/ Mbështetje për integrimin dhe shtim të investimeve të huaja

31 Mars 2015, 09:56Ekonomia TEMA

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, dhe Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri zhvilluan një vizitë pune në Hagë, Hollandë. Në kuadër të kësaj vizite, ministri Bushati zhvilloi takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë të Vendeve të Ulta, Bert Koenders.

Gjatë këtij takimi palët diskutuan mbi nxitjen e bashkëpunimit dypalësh dhe rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, ku ministri Bushati e njohu ministrin Koenders me hapat e ndërmarrë nga Qeveria shqiptare për përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe dhe procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim.

Ministri Bushati vlerësoi rolin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në proceset integruese euroatlantike si dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat. Më tej, ministri Bushati u ndal në hapat konkretë të qeverisë në kursin e reformave në Shqipëri dhe angazhimin e saj për të vijuar me vendosmëri në rrugën e reformave dhe të integrimit. Ministri i Punëve të Jashtme, Koenders e siguroi homologun shqiptar për mbështetjen holandeze lidhur me ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit.

Bashkëbiseduesit u ndalën veçanërisht tek bashkëpunimi ekonomik për të bërë të mundur që marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona të ndikojnë në thellimin e bashkëpunimit dypalësh, me fokus rritjen e prezencës të kompanive holandeze në Shqipëri.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua rajonit të Ballkanit Perëndimor, rolit e kontributit të rëndësishëm që Shqipëria ka në bashkëpunimin rajonal.

Ministri Bushati informoi homologun Koenders lidhur me iniciativat rajonale për zhvillimin e këtij bashkëpunimi, Presidencën shqiptare të radhës në SEECP. Bushati u ndal tek procesi i Berlinit, ecuria e tij dhe tek përgatitjet e Samitit e Vjenës. Ministri Koenders vlerësoi rolin moderues dhe konstruktiv të vendit tonë në drejtim të forcimit të bashkëpunimit rajonal në favor të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Intensifikimi i marrëdhënieve ekonomike me fokus rritjen e investimeve holandeze në Shqipëri ishte në qendër të takimit të zhvilluar nga ministri Gjiknuri me ministrin e Çështjeve Ekonomike, Henk Kamp.

Duke u ndalur tek masat e ndërmarra nga qeveria për të krijuar një klimë sa më miqësore ndaj biznesit të huaj e vendas, ministri Gjiknuri theksoi se, Shqipëria ofron mundësi të mëdha falë rezervave të saj në burime natyrore.

Në këtë kuadër, bashkëbiseduesit u ndalën edhe në procedurat e ofrimit për aktivitet kërkimi të blloqeve të lira të naftës dhe gazit. Duke marrë në konsideratë edhe rezultatet pozitive të kërkimeve të kompanisë SHELL e Petromanas në zonën e Shpiragut, ministri Gjiknuri konfirmoi se në kuadër të këtij procesi do të ketë një dialog edhe me këtë kompani.

Gjiknuri nënvizoi se prezenca e kompanisë SHELL në Shqipëri është tregues i një historie suksesi por edhe promovim për investimet e tjera holandeze. Ministrat folën edhe mbi ecurinë e projektit të gazsjellësit TAP, i cili ndikon në stabilitetin dhe sigurinë energjetike të rajonit.

Ministri Gjiknuri kërkoi mbështetje nga Bashkimi Evropian për rritjen e kapaciteteve të infrastrukturës së energjisë dhe gazit në Shqipëri e rajon. Një angazhim që do të mundësonte sigurinë dhe integrimin më të shpejt të rajonit me infrastrukturën energjetike të Evropes.

Ministri Gjiknuri bëri një ekspoze të masave të marra në kuadër të reformës në energjitikë në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Rrjedhojë e këtyre masave janë treguesit e përmirësuar në drejtim të reduktimit drastik të nivelit të humbjeve dhe rritja e arkëtimeve të energjisë elektrike. Duke u ndalur tek energjia elektrike, z.Gjiknuri kërkoi ndihmën e Holandës për efiçencën e energjisë dhe zhvillimin e kapaciteteve të infrastrukturës së gazit.

Ministrat Bushati dhe Gjiknuri ishin të ftuar të Institutit Clingendael ku u diskutua mbi sfidat e integrimit në Ballkanin Perëndimor dhe sigurinë energjetike në Evropën Juglindore

Në fjalën e tij, në Institutin Clingendael ministri Bushati u shpreh se “BE-ja duhet të sigurojë krahun e saj juglindor, ku projekte energjetike rajonale si TAP dhe IAP po marrin një rëndësi parësore. Këta dy gazsjellës, në përputhje me strategjinë e BE-së për Sigurinë Energjetike, do të luajnë një rol të rëndësishëm për diversifikimin e burimeve si dhe për krijimin e një tregu rajonal të integruar që do të funksionojë sipas rregullave dhe standardeve të BE-së.”

Sipas Bushatit, as Bashkimi Evropian dhe as Ballkani Perëndimor nuk e kanë luksin të mbeten peng e një qasjeje pasive, e cila nuk siguron instrumente të fuqishëm në mbështetje të rajonit.

“Nuk mund të lejojmë që procesi i anëtarësimit në BE të mbetet një perspektivë e largët. Përkundrazi integrimi duhet të shndërrohet në një garanci të prekshme. Kjo është e vetmja mënyrë që politikat e Komisionit Evropian dhe angazhimi i vendeve anëtare të japin rezultate konkrete”, theksoi Bushati. /gj.k/

1 komente në “Bushati e Gjiknuri në Hollandë/ Mbështetje për integrimin dhe shtim të investimeve të huaja”

  1. analist-politolog Nurellar-Beu says:

    rrini mor derra ne shqiperi e beni ndonje pune. lereni turizmin me paret e taksapaguesve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje