Ashtu siç pritej nga bankierët në fillim të vitit të kaluar, 2014 ka shënuar një pikë kthese në sistemin bankar, pas gati pesë vitesh ku ai kishte parë rënie të fitimeve, rritje të kredive me probleme, ngadalësim të ndjeshëm të kreditimit, teksa bankat e përqendruan vëmendjen në menaxhimin e aktiveve problematike.
Fitimet u rritën në nivele rekord në 2014-n, treguesi i kredive me probleme filloi uljen në tremujorin e fundit, ritmet e rritjes së kredisë u rikthyen në pozitive dhe treguesit e tjerë të rentabilitetit (kthyeshmëria nga aktivet dhe kapitali i vet) u përmirësuan. Megjithatë, bankat nuk janë ende në ditët e tyre më të mira: niveli i kredive me probleme vijon të mbetet ndër më të lartat në rajon, fitimi është i shpërndarë në vetëm pak banka, ndërsa sistemi po gëlon nga zërat për shkrirje-blerje, ku në qendër të vëmendjes mbeten bankat me kapital grek.
Për herë të parë në 2014-n, Banka Kombëtare Tregtare u bë banka më e madhe në vend për nga aktivet, duke ia kaluar Raiffeisen, që tre vitet e fundit ka lëshuar terren, përmes strategjisë së saj të orientuar nga mëma për uljen e madhësisë së bilancit dhe kalimit të një pjese të aktivitetti te Raiffeisen Invest.
Një tjetër dukuri e konstatuar në tremujorin e fundit 2014 ishte tërheqja e bankave nga blerja e letrave me vlerë të qeverisë, teksa mëmat sinjalizuan bankat e mëdha se kishin arritur ekspozimin maksimal në këtë treg. Kjo i ka detyruar financat të kërkojnë 250 milionë euro në tregun e jashtëm, me synim uljen e varësisë në tregun e brendshëm, varësi që sipas FMN-së përbën një nga rreziqet e ekonomisë shqiptare.
Aktivet rriten 4.8%
Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.29 trilionë lekë në fund të vitit 2014, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, me një rritje prej 4.8% me bazë vjetore. Ritmet e rritjes janë përshpejtuar në krahasim me vitin e mëparshëm, por mbeten larg zgjerimeve të viteve të mëparshme.
Ndryshe nga vitet e fundit, kur dy zërat kryesorë që ndikonin në zgjerimin e aktiveve ishin vendosja e parave jashtë vendit, ose investimet në letrat me vlerë të qeverisë, 2014-a ka shënuar një kthesë pozitive, me kredinë për ekonominë që ka dhënë ndikimin kryesor në rritjen e aktiveve.
Me interesat e institucioneve të huaja financiare, kryesisht në Eurozonë, që u kthyen në negative, bankat nuk kanë preferuar të transferojnë paratë në “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare”, siç kishin bërë rëndom vitet e fundit. Ky zë ka shënuar një rënie prej 31% me bazë vjetore në 2014-n, duke u tkurrur për herë të parë që prej 2008-s. Bankat i kanë kaluar paranë në llogari rrjedhëse po në institucionet e kreditit dhe institucionet e tjera financiare. Në total, vendosja e parave jashtë vendit ka rënë me 0.4% me bazë vjetore në 2014-n.
Zëri i veprimeve me klientët (huaja për ekonominë) ka shënuar një rritje me bazë vjetore prej 5%, në 591 miliardë lekë, pas një rënieje prej gati 2% vitin e mëparshëm. Zgjerimin më të fortë e ka dhënë huaja dhënë sektorit privat dhe individëve me 5.5%.
Gjatë tre tremujorëve të vitit, bankat kanë qenë aktive dhe në blerjen e letrave me vlerë të qeverisë. Me bazë vjetore, ky zë u rrit me 8.4%, në 328 miliardë lekë. Por, ajo që vihet re është një tërheqje e bankave në tremujorin e fundit, ku ritmet e rritjes në veprimet me letrat me vlerë u ngadalësuan në vetëm 0.5% në raport me tremujorin e mëparshëm.
Kjo tërheqje e bankave e dha ndikimin direkt në rritjen e yield-it (interesit) të letrave me vlerë, që u shtrenjtuan nga 3.1% në shtator 2014 në 3.45% në dhjetor 2014 dhe 3.59% aktualisht, pavarësisht politikës lehtësuese monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, që e uli normën bazë në 2.25% deri në fund të 2014-s për ta çuar në 2% në janar 2015. Financat e kanë pranuar këtë tërheqje të bankave, të cilat kanë një perceptim të rritur të rrezikut të investimit në letrat me vlerë të qeverisë.
Kredia i rikthehet rritjes në 2014, zgjerohet 2.2
Për gjithë vitin 2014, kredia për ekonominë është rritur me 2.2%, duke shënuar një përmirësim në raport me vitin e mëparshëm, kur rritja vjetore ishte negative prej -1.2%.
Me nivelin e kredive me probleme, që arriti deri në gati 25%, bankat janë treguar të kujdesshme në kreditim vitet e fundit. Ekonomia e dobët dhe mungesa e investimeve nga biznesi, nga ana tjetër, nuk kanë ndihmuar në këtë drejtim.
Megjithatë, sinjalet se kredia po merrte një kthesë të qëndrueshme janë zbehur dy muajt e fundit (dhjetor-janar). Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, totali i kredisë për ekonominë në fund të muajit janar 2015 arriti në 557.7 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 0.4% në raport me muajin e mëparshëm. Ky është muaji i dytë radhazi me rënie, pas tkurrjes prej 0.25% me bazë mujore që u konstatua dhe në dhjetor.
Institucioni monetar qendror publikon njëkohësisht statistikat, si për dhjetorin 2014, ashtu dhe për janarin 2015.
Kjo është rënia më e fortë që nga prilli i vitit 2014, kur pas një stanjacioni të huadhënies në vend, duket se situata kishte nisur përmirësimin, duke reflektuar një gjallërim të aktivitetit ekonomik dhe rritje të kërkesës.
Rënia në dy muajt e fundit ka ardhur nga reduktimi i stokut të “Kredisë për korporatat e tjera jofinanciare” (bizneseve), si në lekë ashtu dhe në valutë.
Bankierët ankohen dhe për mungesën e projekteve të mira nga ana e biznesit, që sipas tyre është një nga faktorët kryesorë që po frenon kreditimin.
Në janar 2015, kredia në valutë përbënte 58% të stokut total, duke shënuar rënie në raport me një vit më parë, kur ky tregues ishte 60%. Që pas vitit 2008, bankat po orientohen drejt huadhënies në monedhën vendase, çka ka bërë që pesha e huas në valutë të zbresë vazhdimisht, nga rekordet prej mbi 70% që ishte disa vite më parë.
Depozitat rriten 2.9%
Depozitat në sistemin bankar arritën në rreth 973 miliardë lekë në janar 2015, duke shënuar një rënie prej 0.45% në krahasim me muajin e mëparshëm.
Kjo tkurrje erdhi pas rritjes së ndjeshme në dhjetor, ku u konstatua një zgjerim prej gati 2% në raport me muajin e mëparshëm. Kjo është në fakt një tendencë sezonale, ku gjithnjë në dhjetor vihet re një rritje e kursimeve, për shkak të prurjeve të emigrantëve.
Për gjithë vitin 2014, depozitat në total në sistemin bankar u zgjeruan me gati 2.9%. Ka qenë rritja e fortë e dhjetorit ajo që i ka dhënë hov këtij treguesi (deri në nëntor, rritja vjetore ishte më pak se 1%).
Politika monetare lehtësuese e Bankës së Shqipërisë vitet e fundit, përmes uljes së normës bazë, që është transferuar në rënien e interesave të depozitave, ka “stepur” depozituesit, duke bërë që rritja e depozitave të ngadalësohet ndjeshëm. Aktualisht, kthimi mesatar i depozitave 12-mujore në lekë është më pak se 2% në vit, madje ka banka që të ofrojnë më pak se 1% interes për të mbyllur kursimet për një vit.
Në 2014-n, depozitat në valutë dhe ato në lekë janë rritur përkatësisht me 2.1% dhe 3.7% me bazë vjetore.
Ulen kreditë me probleme, por sa e qëndrueshme do të jetë?!
Në një zhvillim pozitiv, kreditë me probleme shënuan një rënie në fund të tremujorit të katërt, duke zbritur me 2.1 pikë përqindjeje në 22.8%. Niveli më i lartë rekord i huave të pakthyera në afat, që prej fillimit të viteve 2000, para se sistemi të pastrohej nga kreditë problematike të bankave shtetërore, u arrit në tremujorin e tretë 2014, prej 24.9%.
Megjithatë, duhen pritur të dhënat e tremujorit të parë të këtij viti për të parë se sa e qëndrueshme është kjo tendencë, pasi dhe në tremujorin e fundit të një viti më parë u vu re e njëjta sjellje, teksa bankat tentojnë të pastrojnë bilancet për të arritur një rezultat financiar pozitiv për vitin. P.sh., në tremujorin e fundit 2013, kreditë me probleme ranë nga 24.3% në 23.2%, për t’u rritur sërish në tremujorin e parë 2014 në 24.1%.
Në tremujorin e fundit 2014, rënien më të madhe e shënuan huat nënstandarde (kategoria e parë e klasifikimit si problematike, deri në 180 ditë vonesë), me 1.6 pikë përqindjeje.
Huat e humbura (ato që banka nuk ka shpresë t’i rikuperojë më) përbënin 11.83% të totalit të huave, në rritje të lehtë nga fundi i 2013-s, por në rënie në raport me tremujorin e mëparshëm. Në vlerë absolute, kredia e humbur ishte rreth 470 milionë euro.
Sistemi bankar fitime rekord, 80 milionë euro në 2014-n, por vetëm në letër
Sistemi bankar shqiptar ka deklaruar fitime prej 11.1 miliardë lekësh (rreth 80 milionë euro), niveli më i lartë rekord i arritur ndonjëherë, sipas statistikave tremujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Më parë, rekordi ishte vendosur në 2007-n, kur sistemi bankar raportoi fitime prej 10.5 miliardë lekësh.
Në raport me 2013-n, fitimet e sistemit bankar pothuajse janë dyfishuar.
Tre janë arsyet kryesore të përmirësimit të ndjeshëm të rezultatit financiar të vitit bankar, i cili pas 2008-s kishte parë një rënie të ndjeshme të fitimeve, si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve për provigjionime (shpenzimet që bankat lënë mënjanë për mbulimin e kredive me probleme).
Së pari, të ardhurat neto nga interesat u rritën me 5 miliardë lekë, apo 12% me bazë vjetore në 2014-n. Ulja e interesave të depozitave me ritme më të larta se të kredive, i ka ndihmuar bankat të përmirësojnë ndjeshëm këtë tregues, pavarësisht tendencës rënëse të interesave.
Së dyti, shpenzimet për provigjione kanë ardhur në rënie në 2014-n, duke u reduktuar me 4.2 miliardë lekë, apo 57%. Shpenzimet e larta për provigjionime kishin parë një rritje të shpejtë që nga fundi i vitit 2008, kur sistemi bankar filloi të përballej me një rritje të shpejtë të huave me probleme, duke gërryer fitimet e bankave. Kreditë me probleme arritën në 22.8% në fund të dhjetorit 2014, në krahasim me 23.22% që ishte ky tregues në fund të 2013-s.
Së treti, sistemi bankar ka raportuar të ardhura të jashtëzakonshme prej 1.5 miliardë lekësh, si rrjedhojë e shitjes së pasurive të paluajtshme të lënë peng, nga një humbje prej rreth 780 milionë lekësh që ishte ky tregues një vit më parë.
Fitim fiktiv?!
Ndonëse fitimi i sistemit bankar ka rezultuar i lartë, një pjesë e mirë e këtij fitimi është fiktiv, sipas ekspertëve bankarë, pasi në këtë fundvit një pjesë jo e vogël e bankave bënë “ulje të portofolit të kredisë së keqe” duke marrë kolateralet e lëna nga kredimarrësit si garanci të kredive. Në kontabilitet, kjo është reflektuar si “ulje e provigjoneve” dhe futje e tyre në “të ardhura” dhe nga ana tjetër, aseti i kolateralit klasifikohet si “reposesed asset” me vlerën të cilën kishte kredia (ose me një ulje në varësi të faktit nëse banka e merr në ankandin e parë apo në atë të dytë).
Si rrjedhojë, banka bën fitim me “kthim të provigjoneve” dhe ka në asetet e saj një aset që nuk do ta ketë dhe për më tepër, me shumë gjasa nuk e ka vlerën aq sa e ka shkruar Banka.
Banka e Shqipërisë ka filluar të kërkojë që Bankat t’i fillojnë t’i amortizojnë këto asete me 20% në vit tani së fundmi, pasi është e bindur që në vlerësimet e tyre ka fiktivitet vlere.
Ekspertët bankarë pohojnë se si shifra e fitimit të vitit, ashtu edhe ajo e uljes së kredive me probleme, duhet të merren me shumë rezervë.
Monitor
Sa bukur!
Broçkulla dhe mashtrime per njerzit injorante!