Shqiptarët fluturojnë vetëm me “krahë” të huaj prej gati një viti e gjysmë. Ndryshimet drastike në tregun e fluturimeve në fund të vitit 2013 ristrukturuan tregun duke u dhënë hapësirë kompanive italiane. Çmimet e biletave nuk ndryshuan. Për një kosto më të ulët, agjencitë dhe drejtuesit e TIA-s i kërkojnë qeverisë të heqë tarifën e kalimit të kufirit, ndërsa shqiptarëve u sugjerohet të prenotojnë më herët. TIA, e gatshme të negociojë kontratën, ndërsa Ministria e Transporteve po ecën ngadalë
Nga Albana Muçaj
Nëse doni të largoheni nga zymtësia e klimës ekonomike (ku pagat nuk mjaftojnë dhe blerjet po bëhen një luks gjithnjë e më i madh) nuk ju sugjerojmë të ikni jashtë vendit, por thjesht të shkoni në Aeroportin e Tiranës “Nënë Tereza”. Një fluturim jashtë do të ishte i përkryer, por nëse e keni të pamundur dhe jo të domosdoshme, thjesht ndaluni në aeroport dhe shijoni zhurmën e ulje-ngritjeve të avionëve.
Në aeroportin e vetëm të Shqipërisë, viti i kaluar, mund të cilësohet më i miri për menaxhimin e tregut të fluturimeve në vend. Kompanitë bënë më pak fluturime, por pasagjerët e transportuar ishin më shumë se një vit më parë, gati në nivelet maksimale të shënuara në 2011-n.
Bilanci pozitiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës u mbyll me një rritje prej 3% të numrit të pasagjerëve që udhëtuan në 2014-n, krahasuar me një vit më parë (në vitin 2013, rritja ishte 5.5%)
Sipas të dhënave të TIA-s, të siguruara për “Monitor”, gjatë vitit të kaluar nga Rinasi fluturuan rreth 1.81 milionë pasagjerë. Ky bëhet viti i dytë radhazi me rritje, pas rënies së shënuar në 2012-n.
Niveli gati rekord në historinë e shkurtër të fluturimeve tona, përbën ndryshim pozitiv vitin e kaluar për faktin se kompanitë, janë treguar më efektive, duke ulur shpenzimet për fluturime, përmes një administrimi më të mirë të flotave të tyre ajrore. Ndërsa numri i pasagjerëve mbetet pak larg rekordit të 2011-s, numri i fluturimeve është më i ulëti i tetë viteve të fundit, ose thjesht pak më i lartë se viti i parë i fluturimeve të administruara nga TIA.
Shifrat e konfirmuara nga Tirana International Airport për “Monitor” tregojnë se numri i fluturimeve ka zbritur në më pak se 18 mijë, duke shënuar një ulje prej më shumë se 10% krahasuar me një vit më parë.
Një numër më i ulët fluturimesh ka shënuar vetëm viti i parë i aktivitetit të TIA-s.
Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, edhe nga përmbajtja statistikore, transporti u mbyll me rritje vjetore, duke lënë mënjanë efektin negativ që dha në sektorin e transportit, dhe në ekonominë në tërësi, largimi i papritur i kësaj kompanie. Pas uljeve deri në 25% të të gjithë sektorit krahasuar me një vit më parë, aktiviteti i transportit rezultoi me rritje 3% në tremujorin e fundit të 2014-s, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2013-s, sipas të dhënave të Institutit të Statistikave.
Tregun e marrin italianët
Më 24 nëntor të 2013-s, Belle Air la në baltë mbi 5 mijë pasagjerë që kishin blerë biletat e saj, duke shpallur falimentimin. Ajo u largua papritur pas 7 vitesh aktivitet dinamik, me dhjetëra fluturime në ditë, ajo arriti të merrte mbi gjysmën e tregut të fluturimeve.
Një hapësirë kaq e madhe (ndonëse kujtojmë se po flasim për tregun e një vendi të vogël) ndezi një konkurrencë të menjëhershme të kompanive. Emrat e parë që nxituan të merrnin përsipër transportin e pasagjerëve të mbetur në aeroport ishin italianë. Blu Panorama ofroi atëherë bileta nën çmimet mesatare, të cilat duhej t’i blinin ata që kishin humbur biletat e para.
Në këtë periudhë, edhe kompania që mban flamurin italian pasqyroi një strategji për zgjerimin e ofertës për pasagjerët shqiptarë.
Përpjekjet e tyre rezultuan lehtësisht të suksesshme.
Kompania e re në tregun tonë, Blu Panorana, arriti të marrë menjëherë, gati 20% të tregut, duke u renditur krah për krah me Alitalia, e cila, përmes tranzicionit të fundvitit 2013, arriti të dyfishojë aktivitetin në Shqipëri. Vitin e kaluar, ajo mori gati 20% të tregut, nga 10% që zinte në vitin 2010. Dyfishim të aktivitetit, siç shihet nga grafiku, shënoi edhe Air One.
Të tjera linja si Meridiana dhe Fly Albania përfituan duke u futur në treg, për të marrë “kockat” e mbetura të kompanisë Belle Air.
Pozicionimi i ri ndodhi që në muajin e parë pas ikjes së kompanisë shqiptare. Alitalia mundi të marrë numrin më të madh të rezervimeve, duke rritur me shpejtësi numrin e tyre gjatë periudhës dhjetor 2013 – janar 2014. Për këtë periudhë, ajo zuri peshën më të madhe në treg. Duhet të kujtojmë se shoqëria Alitalia operon edhe me Air One, që ushtron aktivitet si operator më vete, si një kompani “low cost” e këtij grupi. Thënë shqip, çmime më të ulëta se ajo e kompanisë kombëtare italiane, por jo në nivelet reale të “low cost”, një fakt i pamundur deri më tani në vend për shumë arsye. Të dyja kompanitë, siç thamë më sipër, dyfishuan aktivitetin.
Për vetëm dy muaj, Alitalia dhe Air One realizuan rreth 114 fluturime direkte, duke i rritur ato me 128% kundrejt muajve të mëparshëm, kur tregun e kryesonte Belle Air. Krahas destinacioneve të mëparshme, ato shtuan mbulimin edhe në qytete të tjera të Italisë.
Por, ajo që dha zhvillimin më të madh, edhe në menaxhimin efektiv të fluturimeve, vlerësohet të ketë qenë Blue Panorama. Erdhi në kohë rekord në tregun ajror dhe i mjaftuan dy muajt e parë të fluturimeve për të qenë optimiste për të ardhmen. Agjentët e udhëtimeve vlerësuan korrektësinë në orare (në mbi 90% të fluturimeve), ndërsa kapaciteti i pasagjerëve ishte mesatarisht 82%. Ky fakt është me rëndësi për t’u theksuar, pasi në historinë e fluturimeve shqiptare nuk mungojnë periudhat e fluturimeve me pak pasagjerë, të cilat automatikisht sillnin kosto të larta për kompanitë e bileta të larta për pasagjerët. Pak vlerësohet të ketë ndryshuar në çështjen shumë të diskutuar të çmimit të lartë, por agjentët e udhëtimeve (ekspertë në këtë fushë) lajmërojnë se kjo është një premisë e mirë, thënë ndryshe një fillim i mbarë në rrugën drejt uljes së çmimit.
Si u nda torta e Belle Air në 2014
Rritet edhe qarkullimi i mallrave
Pas rënies së shënuar për dy vite rresht, edhe transporti ajror i mallrave shënoi rritje. Sipas të dhënave të TIA-s, vitin e kaluar u përpunuan 2.32 mijë tonë mallra, ose 7.4% më shumë se një vit më parë.
Kjo rritje e qarkullimit të mallrave dhe pasagjerëve vlerësohet të ketë kompensuar në njëfarë mënyre, uljen e të ardhurave për TIA-n, nga ulja e numrit të fluturimeve. Kompania nuk ka publikuar ende xhiron vjetore për vitin e kaluar. Por, rimëkëmbja filloi të dukej që në 2013-n, kur xhiro vjetore e kompanisë arriti në 33 milionë euro, duke iu afruar nivelit më të lartë të xhiros që siguroi kur fluturimet dhe pasagjerët ishin në nivelin më të lartë të tyre, në 2011-n.
Çmimet nuk ndryshojnë
Agjencitë e udhëtimit: Rëndon taksa e kufirit, pasagjerët duhet të blejnë më herët biletat
Pavarësisht ndryshimeve të mëdha në tregun e fluturimeve, për shpenzimet e konsumatorëve nuk ka ndryshuar asgjë. Ata vazhdojnë të paguajnë në të njëjtat nivele, për të njëjtat udhëtime.
Përfaqësues të agjencive të udhëtimit bëjnë të ditur se nuk ka pasur luhatje të çmimit pas ndryshimit të kompanive. Agjencitë e udhëtimit, në fakt, nuk prisnin ndonjë ulje të mundshme të çmimit, ndryshe nga shqiptarët që fluturojnë herë pas here. Mbizotërimi i më shumë se gjysmës së tregut nga një kompani, pati hapur dyshimet për një treg oligopol, ku çmimi paracaktohej, ndërsa çmimet e larta vazhdojnë t’u faturohen nga pasagjerët, Aeroportit të Tiranës, për shkak të shërbimit monopol të siguruar nga kontrata koncesionare me qeverinë shqiptare.
Gëzim Hajdini, drejtues i Union Travel, tregon se “çmimet e biletave janë po ato të mëparshmet. Kompanitë ndjekin politikat e tyre për vendosjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare”. Sipas tij, me prenotime të hershme, mund të sigurohen bileta të lira për shumë destinacione, por nëse vendosim të udhëtojmë papritur nuk duhet të presim të kursejmë.
Drejtuesit e agjencive të udhëtimit thonë se në vend kanë filluar të aplikohen prenotimet, disa muaj para udhëtimit, por në tërësi shqiptarët masivisht përdorin momentin e fundit për të marrë biletën e udhëtimit. Por, përveçse ta kërkojnë te vetja uljen e çmimit, konsumatorët, sipas agjencive të udhëtimit, duhet të kërkojnë lehtësi edhe nga qeveria. Ndryshe nga vendet e tjera fqinje, shqiptarë e të huaj që përdorin Aeroportin e Tiranës, paguajnë një taksë shkencore, siç e quajnë drejtuesit e agjencive të udhëtimit. Flitet për taksën e kalimit të kufirit, e cila duke kushtuar 10 euro, e rrit automatikisht biletën e udhëtimit me këtë vlerë.
Por, qeveria duket se nuk ka ndër mend të heqë dorë nga kjo taksë (pasi duhet të mendojë si ta zëvendësojë atë me të ardhura të tjera në buxhet). Në vend të kësaj, ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto, dha një deklaratë pas ikjes së Belle Air, që faktet e sotme e hedhin poshtë. Ai u shpreh optimist për hapjen e tregut të fluturimeve. “Hyrja në treg e disa kompanive të reja të fluturimeve ka rritur ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve dhe ka ulur kostot. Çmimi i biletave krahasuar me një vit më parë është ulur 50%”, tha ministri i Transporteve, në fillim të vitit të kaluar.
Fakt mbetet që çmimet e disa destinacioneve janë më të larta se ato të ofruara në vendet fqinje në Ballkan. Biletat për avionët nga Rinasi janë 20-30% më shtrenjtë se linjat ajrore nga Aeroporti i Prishtinës. Ndaj, një numër i madh shtetasish shqiptarë, i drejtohen këtij aeroporti. Për udhëtime turistike, agjencitë turistike përdorin po ashtu vendet fqinje, ku klientët i dërgojnë përmes transportit rrugor, për të filluar fluturimin jashtë.
TIA: Të hapur për të diskutuar koncesionin, ministria e ngathët
Nuk janë vetëm klientët e thjeshtë që ia atribuojnë çmimin e lartë të biletës, pasjes së një aeroporti të vetëm. Edhe institucionet, përfshirë Ministrinë e Transportit, flasin për një monopol që po “luftojnë” për ta hequr. Pse themi kështu?! Prej dy vitesh, ministri i Transportit, Haxhinasto, ka theksuar vazhdimisht, planet e tij për hapjen e një aeroporti të ri në Sarandë, për faktin se do të diskutohet me kompaninë TIA, koncesioni i së cilës, mban larg duart e shtetit.
Por drejtuesit e kompanisë e kanë pranuar se janë të hapur për diskutime, madje i kanë filluar ato prej dy vitesh. Në një intervistë, Ceo i TIA-s, Rolf Castro-Vasquez, është shprehur se, “për sa i përket së drejtës së ekskluzivitetit, dëshiroj të shpreh vullnetin tonë të vazhdueshëm për të diskutuar këtë çështje me qeverinë shqiptare, siç kemi bërë edhe me qeverinë e mëparshme. Negociatat kanë filluar. Tirana International Airport qëndron në anën e zhvillimit dhe të së ardhmes së transportit ajror në vend. Ne jemi të hapur”. Por kur kanë kaluar dy vite nga bisedimet, vetë pala shqiptare duket se nuk ka qenë aq e shkathët sa t’i japë drejtim çështjes, e të hapë realisht mundësinë e ndërtimit të një aeroporti të dytë.
Vetë kompania private bën të ditur se po pret hapat e qeverisë shqiptare për të ecur në realizimin e konkluzioneve. Në fakt, që në gjysmën e parë të vitit të kaluar, qeveria pritej të realizonte një marrëveshje me koncesionarin e Aeroportit të Rinasit në drejtim të uljes së kostove dhe tarifat e shërbimeve për qytetarët. Ky fakt është pohuar nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, i cili ka thënë se po zhvillohen bisedime edhe me koncesionarin e aeroportit të Kukësit për ta bërë efektiv, si dhe për ndërtimin e një aeroporti të ri në Jug të vendit.
Belle Air, falimenton me fitim e borxhe të rritura në fund
Gjykata e Tiranës shpalli falimentin e kompanisë ajrore Belle Air, duke caktuar ekspertë për të kryer administrimin e mëtejshëm të kompanisë. Shqyrtimet për të drejtat e kreditorëve do të merrnin 90 ditë kohë.
Në fakt, Belle Air raportoi të ardhura të qëndrueshme në bilancin e saj. Për vitin 2012, kompania rezultoi me të ardhura prej 15.3 miliardë lekësh, me një rritje prej 4.3% (rreth 634 milionë lekë më shumë) në raport me një vit më parë. Në të njëjtën kohë, shpenzimet vlerësohet të jenë rritur edhe më shpejt. Ato u zgjeruan me 6.6% (apo rreth 930 milionë lekë) krahasuar me një vit më parë. Ulja e fitimeve nuk mund të nënkuptojë falimentim, (pasi kompanitë rezistojnë edhe me humbje për periudha të caktuara). Sipas të dhënave të kompanisë, fitimi operacional u përgjysmua në 240 milionë lekë, ndërkohë që fitimi para tatimit zbriti në 50 milionë lekë (360 mijë euro), nga 312 milionë lekë (2.2 milionë euro) që ishte një vit më parë. Shtimi i shpenzimeve financiare ishte një tjetër element që ndikoi negativisht në tkurrjen e fitimit. Janë rreth 8.1 milionë euro, që Belle Air kishte detyrim huaje ndaj bankave në vend në fund të vitit 2012, shumë që vlerësohet të jetë rritur në fund të 9-mujorit të këtij viti.
Sipas shpjegimit të pasqyrave financiare të bilancit të Belle Air në fund të vitit 2012, “shuma prej 1.13 miliardë lekësh përfaqëson detyrimin e një linje overdrafti me Bankën Intesa San Paolo Albania dhe Raiffeisen Bank për një limit overdrafti prej 5 milionë eurosh, për një vlerë të mbetur overdrafti prej 767 milionë lekësh. Në të njëjtën kohë, kompania vlerësohet të ketë mbetur debitore për taksën e kufirit të padepozituar.
*Monitor
Cfare artikulli skandaloz. E cdo te thote ai paragrafi i pare ? Ikni ? Zbrazni vendin ? Admironi avjonat qe ulen e ngrihen ????!!! Cfare kane keta palo gazetare ore?
Mua me duket i turpshem ai paragraf. Kjo i bie te tallet me ata fatkeq qe perbejne shumicen e shqiptareve qe nuk mund te paguajne dot nje udhetim jashte shtetit? Po me ca ta paguajne, me rrogen 20.000 te reja ne muaj? Kur u bene edhe keto trutharat ta quajne veten “gazetare”, kap e bej copy/paste me artikuj qe jane botuar me dhjetra here
Blue Panorama eshte belle Air qe ka ndryshuar emrin per te mos paguar taksat.Perpjekja per ta treguar kete si nje rast tregu normal eshte per tu denuar.
E verteta eshte qe nje tufe hajdutesh vodhen sa vodhen,shtetin,pasagjeret ,furnitoret e tyre, brenda 1 dite ndryshojne emrin.
njelloj po behet dhe Carrefourin qe ndryshoi emrin dhe kushedi me sa firma te tjera.
Dhe nuk ka si te ndodhi ndryshe me keta tufa ndyresirash qe kane marre peng Shqiptaret
Jepjani Kartelit te Griseldes kete, manaxhimi do jete perfekt!!!!!
Ky hajdutllek ka filluar qe kur Nano hajduti firmosi ate kontrate kriminale me TIA ,qe i dha eksluzivitetin e linjave ajrore shqiptare.Kjo vazhdoi me Lul Bashen e PD qe pruri nje kompani fantazem , qe dhe sot nuk dihet kush e kishte, qe vodhi sa desh dhe u largua Bela Air. Sot kemi Haxhinaston e LSI, qe nuk e di se si punon , por eshte nder ministrat me te dobet te qeverise , bashke me Ahmetajn dhe Gjiknurin, qe nuk reagon per kontraten me TIA dhe ne shume vepra infrastrukturore, qe zvarriten cdo dite.Lind pyetja pse Rama i dha Ministrine kryesore LSI , ku korrupsioni eshte me i madh?Pse ikin shqiptaret ne Prishtin dhe Shkup per te udhetuar me avion, ne nje kohe qe eshte Rinasi.Vjen TIA dhe ben komandfe dhe per aeropportet e tjera si Kuksi dhe ai qe do te ndertohet ne Gjirokaster?Kush jane keto bira kurvash qe vjedhinm shqiptaret? Pse nuk e bine zvarre ate qen Nanon dhe te dali para drejtesise per te gjitha keto kontrata te firmosura ne dem te shqiptareve ,po ashtu dhe Berisha.Rama te fillo te padisesh krimet e kaluara si dhe ket abuzim me transportin ajror.
Tere ekskluzivitetet e dhena ne aeroporte, ne nafte , etj. etj. jane hajdutellek ndaj vendit dhe popullit. Gjeni kush i ka firmosur dhe kontrolloni pasurite e tyre.
Jam plotesisht me ty leke, i ke thene te gjitha, ne si popull i vuajme ne te gjitha fushat kete vjedhje qe na behet ne, sidomos dhe ne kete fushe te aviacionit,i kemi cmimet kacafiu kur i thone, dhe cfare po behet asgje,keta u bene milionera ne kurrizimin tone, me shtet dhe drejtesi nuk u behet ketyre gjakpirsave vetem u leme zotin, marrte hak per gjithe kete popull.
Ku jane kompanite prestigjoze Ryanair, Easyjet dhe Jet2com, se shqiperia edhte bere monopol I kompanive te pastrimit te parave dhe keto kompani britanike e kane te veshtire te behen pjese e llumit mafioz qeveritar.
Mos na shani kompanite ITALJANE se ata na mesuan te vjedhim, vetem ata te japin mundesi per te vjedhur popullin tende.Po pse ajri po deti nuk i ka biletat me te shtrenjta nga komshite tane, dhe me tragetet i kemi te kohes se NUHUT kjo me duket eshte RILINDJA E FLLOTES AJRODETARE E TE MAJTES SHQIPTARE.AH sa do te vuaj SHQIPTARI nga BJRAKTARIZMIT POLITIK I TE DY PALEVE,PARTITE JANE ZVENDESUAR NE KLANE PROFESJONISTESH TE RJEPJES SE POPULLIT.