“Kam besim se maxhoranca dhe opozita së bashku me Gjyqtarët, Prokurorët dhe ekspertët më të mirë të këtij vendi, duke patur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, do t’i japin vendit tonë një sistem drejtësie të reformuar, i cili do të jetë transparent, objektiv dhe i denjë për qytetarët e tij”.
Kështu u shpreh ministri i Drejtësisë Nasip Naco në një konferencë për mediat me rastin e Ditës Kombëtare të Drejtësisë.
I pyetur se si do të zgjidhet ngërçi me KLD për emërimin e zv/kryetarit të këtij institucioni, ministri Naço tha se ky është një problem që duhet të zgjidhet dhe se propozimi i tij duhet të shqyrtohet nga kreu i KLD, i cili ende nuk e ka miratuar”.
“Ata që bëhen pengesë për reformat në drejtësi, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtyjnë në kohë qeverisjen e tyre. Ne do të vazhdojmë të insistojmë në denoncimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve të korruptuar, siç kemi bërë së fundmi, por ka ende raste të tjera dhe ky është vetëm fillimi”, theksoi Naço
Ai theksoi se reforma që kemi nisur do t’i jap shqiptarëve produktin final që presin, një sistem drejtësie që të realizojë vetëm detyrën për të cilën ai është krijuar, “dhënien e drejtësisë për qytetarët e këtij vendi” dhe për të përmbushur sa më shpejt endrrën e tyre, për një Shqipëri europiane.
“Drejtësia është e të gjithëve, qofshin këta të majtë apo të djathtë dhe reformimi i saj duhet të jetë qëllim i përbashkët.
Ky detyrim duhet të na vërë në pozita bashkëpunuese, pasi individualiteti dhe mëvetësia nuk mund të sjellin rezultate.
Si Ministër i Drejtësisë jap garancitë për t’u investuar me të gjithë forcën në këtë drejtim, me predispozitën për dialoguar qetësisht e hapur me të gjithë aktorët.
Qëndrimi im do të jetë i drejtuar në thelbin e çështjeve dhe do të përpiqem për identifikimin e zgjidhjeve që sigurojnë të drejtat e plota të qytetarëve, duke forcuar besimin në institucionet e drejtësisë.
Ndryshimi i këtij trendi në nivel kulturor, nuk kërkon thjesht një ‘interpretim’ roli, por dedikim të vërtetë që karakterizohet nga përkushtimi, fryma e shërbimit dhe pasioni qytetar. Reformat nuk mund të kenë një pikë të re fillimi për çdo ndryshim mandati ministror. Në të tilla kushte, ato nuk do të ishin aspak produktive dhe nuk do ta forconin apo siguronin zbatimin e ligjit. Vetëm vazhdimësia dhe qëndrueshmëria do t’i jepnin “kurajo” proceseve reformuese.
Ne duhet të punojmë së bashku për të siguruar që çështjet, të cilat e formësojnë këtë sistem, të mos jenë një fushë beteje politike, por të trajtohen në një dimension objektiv, të ndershëm dhe pa kufizime artificiale. Unë, personalisht, jam i angazhuar për një dialog të vazhdueshëm dhe konstruktiv me të gjithë”, tha ministri i Drejtësisë.
I pyetur nga media se në cilën periudhë të drejtimit të institucionit më të lartë të drejtësisë ndër vite do të preferonte të ishte në detyrë dhe se për çfarë do të mbahej mend në historinë e të gjithë ministrave të drejtësisë, Naço u përgjigj se ai ndjen se është në këtë institucion në kohën e duhur për të ndërmarrë reformat e duhura në sistemin e drejtësisë.
Naço theksoi se ai, bashkë me stafin që e mbështet, do të mbaheshin mend për kalimin në Parlament dhe rishikimin e një sërë ligjesh dhe kodesh, të cilat ishin të domosdoshme dhe gjetën miratim me propozimet e bëra nga Ministria e Drejtësisë aktuale. /gj.k/