Nis rikostruksioni i rrugës së Mesit/Meta: Urbanizim hapësirave edhe përtej qyteteve

11 Maj 2015, 13:57Politika TEMA

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, të shoqëruar edhe nga kandidatja për Bashkinë e Shkodrës, Keti Brazhdari, morën pjesë në ceremoninë për nisjen e rikonstruksionit të rrugës së Mesit, në Shkodër.

Kreu i Kuvendit, Meta theksoi se impakti i rikonstruksionit të këtij segmenti rrugor do të jetë mjaft domethënës për gati 70 mijë banorë, qytetarë të Shkodrës.

“Qeveria është mjaft e interesuar për të urbanizuar të gjitha hapësirat edhe përtej qyteteve të deritanishme, me qëllim një zhvillim më të integruar të gjithë zonës dhe natyrisht për të rritur të gjitha potencialet që kanë të bëjnë me turizmit, agroturizmin, bujqësinë por edhe të mundësive për të rritur kapacitetet, për të zhvilluar industrinë, pasi kjo është edhe një zonë industriale”,tha Meta.

Ndërkohë, ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Haxhinasto vuri në dukje se Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka konsideruar këtë një projekt të rëndësishëm për vetë natyrën e tij.

“Ndonëse vetëm 4 km, me një investim prej 356 milion lekësh të reja, ai zgjidh shumë probleme për një zonë të gjerë. Janë 7 njësi vendore ose ish-komuna dhe përfitojnë prej tij rreth 70 mijë banorë. Për më tepër, lidh dy qendra të rëndësishme, dy pika shumë të rëndësishme historike për këtë zonë, Drivastin dhe urën e Mesit dhe krijon absolutisht një akses krejtësisht tjetër për sa i takon zonës turistike në drejtim të Thethit”, theksoi ministri Haxhinasto.

Kompania, bëri të ditur Haxhinasto, është angazhuar plotësisht që projekti të përfundojë brenda 8 muajsh.

“Ju jeni angazhuar për 5 muaj, por sigurisht që kërkesat tona gjithmonë janë që të jetë me standardin më të lartë të mundshëm që ka projekti”, deklaroi ai.

Më tej, ai nënvizoi se investimet në këtë zonë do të vazhdojnë.

“Përfundimi i unazës lindore është duke u kryer, një vepër tjetër shumë e rëndësishme për Shkodrën. Po kështu është edhe projekti i sinjalistikës Fushë Krujë –Hani Hotit, që do të sjellë sigurisht përfitime edhe për rrjetin rrugor të Shkodrës. Mbi të gjitha do të sjellë një standard krejtësisht tjetër sigurie për të gjithë përdoruesit e rrugës në këtë segment të rëndësishëm që do të ketë impakt të menjëhershëm në rritjen e sigurisë dhe në uljen e aksidenteve”, tha ai./

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje