Liderët e katër partive kryesore në Maqedoni kanë përfunduar takimin e përbashkët. Ata janë ndarë pa ndonjë marrëveshje konkrete, por vetëm me miratimin e një Deklarate të Përbashkët përmes së cilës nënvizohet gatishmëria për të dialoguar dhe për protesta paqësore, informon agjencia maqedonase e lajmeve, INA.
I pari që ka dalë nga takimi ka qenë lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili nuk ka dhënë ndonjë deklaratë për mediat.
Ndërsa, përfaqësuesit e BDI-së dhe PDSH-së, Artan Grubi dhe Luan Tresi kanë lexuar qëndrimin partiak të mbështetur në deklaratën e miratuar.
Më pas nga takimi ka dalë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili para gazetarëve konfirmoi se takimi i këtij formati do të vazhdojë ditën e hënë, ndërsa theksoi se palët nuk kanë përafruar qëndrimet. Zaev theksoi se opozita maqedonase mbetet në qëndrimin e saj për dialog politik dhe protesta paqësore, ashtu siç është miratuar Deklarata e Përbashkët, por sipas tij, për tejkalimin e krizës duhet formimi i një qeverie kalimtare dhe kërkesat e tjera.
“Vazhdojmë ne me rrugën tonë ‘E vërteta për Maqedoni”. Me këtë takim dhe protestën do ti japim shansin vendit për rrugën euroatlantike.
Do të kthehemi në Parlament nëse ka qeveri kalimtare. Protesta do të jetë protestë e madhe multietnike dhe siguroj se do të jetë paqësore”, deklaroi ndër të tjera Zaev.
Ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski dhe ai i BDI-së, Ali Ahmeti po vazhdojnë takimin e tyre, por nuk jepen detaje. Në këtë takim nuk janë ambasadori i SHBA-ve, Jess Baily dhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav.
Gruevski dhe Ahmeti pas disa minutave gjithashtu kanë mbyllur takimin. Gruevski para gazetarëve lexoi deklaratën e miratuar ku ranë dakord që t`i hapin rrugë dialogut dhe të vazhdojnë ditën e hënë.
I pyetur se përse nuk dha dorëheqje, ai theksoi se për këtë vendos populli.