Ca dënohen, ca harrohen, ca...rrënohen

21 Maj 2015, 21:20Blog TEMA

 

Nga Skënder Minxhozi

E gjithë kjo paradigmë konsumohet brenda mureve të Bankës së Shqipërisë. Një institucion, i cili në vitin e fundit ka prodhuar lajme dhe zhurmë pafund.

Dje gjykata ka dhënë dënimet e para për skandalin e vjedhjes së një shume prej rreth shtatë milion dollarësh, nga thesari i bankës.

Dy të akuzuar për atë ngjarje, Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, janë dënuar përkatësisht me 13.4 dhe 10 vjet burgim. Vendimi i gjykatës ka ardhur pas muajsh hetimesh dhe një procesi që ka njohur shtyrje dhe harresën e publikut.

Por për disa përgjegjës të asaj ngjarjeje që dënohen, duket se ka të tjerë persona që duhet të përgjigjen para drejtësisë, të cilët harrohen.

Konkretisht fjala është për ish-guvernatorin Adrian Fullani, i cili u arrestua bujshëm në 5 shtator 2014, e që sot pret të dalë në gjyq, nën statusin e “detyrimit me paraqitje”.

Më shumë sesa ajo që (s)po ndodh me zotin Fullani, i rëndë tingëllon fakti sesa me ngadalësi dhe pa “ngut” i merr drejtësia e këtij vendi dosjet miliona dollarëshe, kur në mes janë persona të pushtetshëm që kanë gëzuar apo gëzojnë imunitet. Nëse fajtorët direktë dënohen, ata që qëndruan sipër tyre, siç është rëndom zakoni, harrohen.

Por ka dhe më keq. Disa dënohen, disa harrohen, disa rrënohen. Fjala nuk është për njerëz konkretë, por për një ndërtesë, ndoshta ngrehina më historike e qytetit, ish-Hotel Dajti, e cila lidhet gjithashtu me Bankën e Shqipërisë. U mbushën rreth pesë vjet që kjo godinë e blerë nga Banka e Shqipërisë, gjendet në prag të shkatërrimit total të saj, ndërkohë që shteti dhe banka debatojnë mes tyre rreth destinacionit që do të marrë.

Më së pari Hotel Dajti duhet mbajtur në këmbë, në derexhenë që është katandisur. Më pas, le të vendoset një fat për të.

Godina klasifikohet si monument i kategorisë së dytë, që do të thotë se brendia e saj mund të preket, por jo pamja e jashtme.

Zyra të Bankës së Shqipërisë apo Hotel si dikur, tashmë duket ka pak rëndësi, para faktit se ndodhemi përballë mundësisë konkrete të humbjes një herë e mirë të godinës, në të cilën janë rrjepur me kohë muret e brendshme, janë vjedhur barbarisht orenditë, duke e kthyer perlën e historisë dhe turizmit shqiptar, në një shurrtore publike.

Është momenti që guvernatori i ri të vërë dorë me urgjencë mbi këtë pronë të harruar që gjeti në inventarin e Bankës, kur u ul në poltronin e kreut të institucionit. Ta bëjë tani, që të japë një ide sado të ndrojtur ndryshimi me menaxhimin paraardhës. Përndryshe do të gjendet përballë nevojës së pastrimit të gërmadhave në qendër të Tiranës.

 

13 komente në “Ca dënohen, ca harrohen, ca…rrënohen”

  1. rebeli says:

    Jam kurioz nese babagjysh Saliu do ta lexoje artikullin dhe ti bjene djerse nese ka dy fije mend.

    1. alo1 says:

      Po pse babagjysh saliu e arrestoi??? Po pse babagjysh saliu ja kishte dosjet Ne polici?? Nqs policia do bente nje dosje mbushur me fakte sic duhet sdo kishte prokuror e gjykates te mos e denonte, por duke qene se jane te gjithe miq ske cti besh. Prandaj kane kaluar dy vjet e spo shohim gje. Une saliun do doja ta shihja ne burg por ja qe spo ndodh gje, dhe mqn spo ndodh gje atere i bie qe saliu sna paska bere gje ose qe edi sdo ti bej gje dhe te gjitha fajet i kalojne edit

    2. ateist says:

      BSH se bën hotel por zyra administrative.
      Që të mbetet emri Hotel Dajti, ndërtesa e trualli duhen shitur tek Ministria e Financave dhe ajo ta shesë me ankand privatëve.
      Shteti nuk mban dot hotele, vetëm privatët munden.

  2. aziati says:

    …ca te tjer i bien me dor…

  3. guri says:

    o Skendo jo vetem te denohen por te kthejne parane e vjedhur..ooooooo

  4. Tironsi says:

    Nuk eshte vetem Hotel DAJTI po dhe Piramida qe jane lene ne pike te hallit. Jane Akuze konkrete e Qeverisjes se kaluar . Po Mazhoranca Aktuale pse ben sehir?.Fatkeqsia ne Shqiperi eshte se po merren me Zhan Valzhanet dhe jo me boset e Krimit.

  5. OK says:

    Bukur o Minxhoz. Vecese godina e Hotel Dajtir duhet te shkaterrohet edhe pak qe pastaj Koco Kokedhimet ta marrinn per 3-400 mije leke!!!!!

  6. Z/Kallami says:

    Babagjyshi Sali kullon djerse nese del gje per xhep.Po,jo per milet.Kot nuk i ka per figuranta dy zagaret e vet,Giten e Zenin.

  7. sherifi says:

    Hotel “Dajti”eshte perla e Tiranes,dhe si e tille,duhet te kthehet ne identitet, ndersa pergjegjesat e ketij rrenimi duhet te vihen para drejtesise.

  8. Taras says:

    Sa e ke gervishur “lajmin” shko me thelle!Fullhajnat e te tjere jane ne paqe.

  9. Dyshuesi says:

    Le te prishet hotel Dajti. C’e do. Nostalgji nga fashizmi dhe nga komunizmi. Le te behet nje pallat gjigand, ose me mire dy, jo tre me mire se ka vend plot edhe per kater pallate. Gjynah dhe per fukarenjte.

  10. Patrillo says:

    rebeli! e beson vertet qe siut, ti dalin djerse mbasi te lexoj kete artikull? Si mund ta mendosh nje gje te tille xhanem?

  11. vizioni i Bashes says:

    Të jesh kusar e bandit, në Shqipëri është nder dhe krenari…(?!)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje