Më 21 qershor votuesit mund të bien në 1.5 milionë

14 Qershor 2015, 17:33Blog TEMA
Më 21 qershor votuesit mund të bien në 1.5 milionë

Nga Eduard Zaloshnja

Qysh kur PPSH-ja pushoi së ekzistuari zyrtarisht (realisht ka vazhduar të ekzistojë tek PS-ja, PD-ja, etj.), pjesmarrja në zgjedhje ra poshtë 99.99-përqindëshit të gjysëm-shekullit të diktaturës. Pjesëmarrja më e lartë u arrit në marsin e vitit 1992 (1.95 milion pjesëmarrës) dhe në qershorin e vitit 2013 (1.75 milion pjesëmarrës), vite kur u shënuan rezultate historike.

Në vitin 1992, erdhi në pushtet nëpërmjet zgjedhjesh e para parti opozitare në 70 vjet. Ndërsa në vitin 2013, u krye rrotacioni i dytë rradhazi i pushtetit nëpërmjet zgjedhjeve, gjë që s’kishte ndodhur asnjëherë në historinë 100-vjeçare të shtetit shqiptar.

Në zgjedhjet e 21 qershorit, megjithë trumbetimin e përditshëm nga të dyja koalicionet si “një ditë historike”, nuk mund të pritet një pjesëmarrje si në mars 1992 apo qershor 2013. Maksimumi, mund të marrin pjesë 1.5 milion zgjedhës. Kjo, për disa arsye.

Së pari, zgjedhjet e 21 qershorit janë zgjedhje lokale, pavarsisht ngjyrimit politik që i ka dhënë sidomos opozita, kryetari së cilës ka deklaruar se do të kërkojë zgjedhje të parakohëshme parlamentare pas një rezultati 51%. Të njëjtën gjë bëri edhe opozita e para katër vjetëve, por pjesëmarrja arriti vetëm shifrën 1.5 milion zgjedhës.

Së dyti, disa nga 1 milion e 40 mijë zgjedhësit që votuan parvjet për partitë që janë aktualisht në koalicionin mazhoritar (këtij koalicioni iu larguan disa parti dhe iu afruan disa të tjera para ca muajsh), nuk janë fare në Shqipëri. Disa janë larguar gjatë dy vjetëve të fundit, ndërkohë që në zgjedhjet e parvjetshme, u regjistruan në sistemin TIMS rreth 50 mijë emigrantë që erdhën në fundjavën e votimit kryesisht nga Greqia dhe Italia. Dhe PS-ja e LSI-ja ishin partitë më aktive për sjelljen e emigrantëve në mënyrë të organizuar për votim.

Së treti, në krye të opozitës është një udhëheqës i ri i cili ende nuk e ka bërë ndërrimin e plotë të stafetës me paraardhësin e tij brenda partisë. Edhe sikur ai të arrijë të nxjerrë në votim të gjithë votuesit e parvjetshëm të opozitës, do të arrinte vetëm shifrën 680 mijë vota. Ndërsa shtimi i rradhëve të elektoratit të opozitës me votues të majtë të pakënaqur ndaj qeverisë, do të dojë edhe disa vite të fillojë të ndodhë.  Sot për sot, të majtët e pakënaqur me qeverinë, ose do të rrinë në shtëpi në 21 qershor, ose do të votojnë për ndonjë kandidat/parti të pavarur.

Në këto kushte, mazhoranca duhet të jetë e kënaqur në qoftë se merr mbi 800 mijë vota (sa ç’mori mazhoranca e 2011-ës në zgjedhjet lokale) dhe opozita duhet të jetë mëse e kënaqur në qoftë se arrin shifrën 700 mijë vota (sa ç’mori opozita e 2011-ës në zgjedhjet lokale). Ndërkohë, sondazhet e publikuara deri më sot në Agon Channel, Ora News dhe A1-Report sugjerojnë një epërsi shumë më të thellë të mazhorancës.

3 komente në “Më 21 qershor votuesit mund të bien në 1.5 milionë”

  1. kaurri realist says:

    Sondazhet parazgjedhore jane te rrêjshme. Nuk mendoj se çifti Rama-Meta ka krye ndoj “mrekulli” keto 2 vjet qi me fitue si para 2 vjetesh.

  2. berti says:

    prisni o burra edhe 6 dite merak i madh per sondazhet.

  3. sherifi says:

    Kame pershtypjen se mazhoranca do te fitoi bindshem ne kto zgjedhje,arsyet per keto jane te shumta dhe bindese per shqiptaret.
    Dhe me kryesoria eshte se jane shume,shume pake ne perqindje ata qe nuk duan shtet por duan anarshi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje