Policia ka kaluar në gadishmëri për sezonin e ri turistik. Rreth 3150 forca policore dhe 230 automjete do të angazhohen për të garantuar zonat më të frekuetuara nga turistët, kryesisht plazhet dhe pikat e tjera turistike malore.
Patrullimet do të jenë të rrepta edhe nga deti. Mbi 15 skafe do të mbajnë në mbikqyrje zonat që përdoren për sporte ujore dhe mësohet se nuk do të lejohet përdorimi i motorrëve të ujit, veç zonave të përcaktuara nga njësitë vendore.
Edhe këtë vit mbi 100 punonjës policie do të patrullojnë plazhet me biçikleta dhe uniformat verore, për të qenë më pranë pushuesve.
TemA ka mësuar se përgjatë sezonit turistik, policia do të përdorë edhe një helikopter për të patrulluar nga ajri, nëse do të ketë nevoja të posaçme.
Krahas 27 stacioneve policore ekzistuese në zonat turistike, do të ngrihen edhe 4 stacione provizore në zonën e Thethit, Gjirit të Lalzit, Ksamilit, si dhe në Valbonë të Tropojës.
Në Pikat kufitare do të shtohen postet e punës, për të lehtësuar dhe shkurtuar kohën e procedurave të përpunimit të turistëve apo grupeve turistike, si dhe jahteve apo veljerave që hyjnë në vendin tonë.
Autoritetet parashikojnë një rritje me rreth 15 % të turistëve krahasuar me 2014.