Vizita e kancelarës gjermanë Angela Merkel në Tiranë, është një vizitë që do të shihet me vëmendje të madhe nga të gjitha vendet anëtare të unionit dhe jo vetëm dhe mesazhi që kërkon të përcjellë kancelarja është një dhe unik; Rajoni është pjesë e Europës dhe nuk ka alternative tjetër përveç Europës. Kështu është shprehur ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko, në një bisedë telefonike për TemaTV. Kjo vizitë është një element shtesë për të ecur në drejtim të Bashkimit Europian. Megjithatë, sipas ambasadorit hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE merret në rang komunitar, dhe nuk është kjo vizitë ajo që merr vendimin ose jo për hapjen e këtyre negociatave. Zoti Kuko tha se pjesëmarrja e kryeministrit Rama dhe kancelares Merkel në punimet e Forumit të biznesit gjermano-shqiptar është një tjetër shenjë që qeveria federale kërkon t’i japë biznesit gjerman për të rritur praninë e tij në Shqipëri. Në një të ardhme të afërt sipas amabasadorit do të nënshkruhet një marrëveshje e bashkëpunimit kulturor dhe arsimor, si dhe do të organizohet së shpejti një tjetër forum biznesi për nxitjen e pranisë së biznesit gjerman nga landet më të zhvilluara të Gjermanisë.
Pas gati tre dekadash bashkëpunimi Gjermani-Shqipëri, çfarë shënon vizita e kancelares Angela Merkel në Shqipëri?
Është një vizitë historike që kulmëzon këto tre dekada të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve Gjermani-Shqipëri. Në mënyrë absolute është një vizitë që i shërben imazhit të Shqipërisë jo vetëm në Gjermani, por edhe më gjerë në Europë. Gjermania është një vend prijës në Europën e bashkuar. Natyrisht çdo veprim që ndërmerr Republika Federale Gjermane shihet me vëmendje edhe nga vendet e tjera anëtare, kështu që unë pres një mbulesë pozitive të vizitës, jo thjesht në shtypin tonë, por edhe në shtypin gjerman dhe më gjerë.
Turi ballkanik i zonjës Merkel në rajon ka një rëndësi të veçantë në aspektin gjeopolitik, cili është mesazhi që kërkon të përcjellë kancelarja?
Mesazhi që kërkon të përcjellë kancelarja është një dhe unik, rajoni është pjesë e Europës dhe nuk ka alternative tjetër përveç Europës. Ky është një element shtesë që besoj vjen në kohën e duhur dhe i bashkëngjitet përpjekjeve të rajonit për tu reformuar, për të thelluar bashkëpunimin rajonal dhe për të ecur në drejtim të Bashkimit Europian.
Konferenca e Berlinit për vendet e Ballkanit Perendimor tregon qartë angazhimin e qeverisë dhe prezencën gjermane në rajon. Çfarë do të thotë ky proces për persperktiven e rajonit?
Procesi i Berlinit nuk e zëvendëson procesin e integrimit europian por e përforcon dhe në sinergji më të besoj që do të përshpejtojë ritmet e afrimit të rajonit në Bashkimin Europian. Sigurisht që ne jemi më të interesuar për përshpejtimin e ritmeve të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe vizita ka një theks të veçantë në këtë dimension.
Gjashtë marrëveshje janë nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane. A pritet të nënshkruhen të tjera marrevshje me ardhjen e kancelares?
Gjatë qëndrimit të kancelares në Tiranë nuk do të ketë nënshkrim marrëveshjesh, por ne kemi në disa marrëveshje në proces negociimi, të cilat do të nënshkruhen në të ardhmen e afërt. Kemi një marrëveshje të bashkëpunimit kulturor dhe arsimor që do të hapi një horizont të ri edhe më të gjerë sa deri tani, sa i përket bashkëpunimit midis dy vendeve në një fushë kaq të rëndësishme siç është kultura dhe arsimi. Gjykoj që Shqipëria ka një problematikë të madhe me të cilën duhet të ballafaqohet për sa i përket promovimit të imazhit të saj në Republikën Federale Gjermane. Kjo marrëveshje me siguri që do të ndihmojë për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë nëpërmjet hapësirave ligjore që krijon dhe në të njëjtën kohë do të krojojë elemente ekstra për sa i përket trajnimit dhe arsimimit të të rinjve shqiptarë.
A ka ende hapësirë për thithjen e investimeve gjermanë?
Ka disa aktivitete që janë kryer tashme. Ishte një forum biznesi që ne organizuam në Berlin. Besoj se shumë shpejt do të organizojmë një tjetër forum biznesi për nxitjen e pranisë së biznesit gjerman nga landet më të zhvilluara të Gjermanisë. Do të kemi një tjetër aktivitet më pjesëmarrje të gjerë biznesh ndoshta në vjeshtë. Vetë fakti që kryeministri Rama dhe kancelarja Merkel do të marrin pjesë në punimet e Forumit të biznesit gjermano-shqiptar është një tjetër shenjë që qeveria federale kërkon t’i japë biznesit gjerman për të rritur praninë e tij në Shqipëri.
A e rikonfirmon kjo vizitë hapjen e negociatave me Bashkimin Europian në vjeshtën e këtij viti?
Kjo është vizita e kancelares gjermane. Vendimi për hapjen e negociatave merret në rang komunitar dhe nuk është kjo vizitë ajo që merr vendimin ose nuk merr vendimin për hapjen e këtyre negociatave.