Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimin e Partisë Demokratike për bashkinë e Kurbinit, duke vendosur të rrëzojë kërkesën e Partisë Dmokratike që kërkoi pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve në këtë njësi vendore.
Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, nisi shqyrtimin e ankesës së Partisë Demokratike që kundërshton vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për bashkinë Kurbin.
Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso, në parashtrimin e argumenteve kundër këtij vendimi tha se procesi zgjedhor në këtë zonë ishte i paligjshëm, ndërsa pretendoi për shkelje të shumta, duke nisur me vendimin e KQZ-së për shkarkimin e anëtarëve të opozitës në KZAZ-në 15, e deri tek vendimet e marra nga kjo e fundit, sipas saj, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Kaso tha se KQZ mbylli sytë përballë asaj që ndodhi në këtë bashki, ndërsa Partisë Demokratike nuk iu dha mundësia për të kontrolluar procesin.
Më 3 korrik KQZ vendosi të rrëzojë kërkesën ankimore të demokratëve, të cilët kërkuan pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve në bashkinë Kurbin, duke e konsideruar të pabazuar në prova e ligj.