Zakonisht, në të tilla ngjarje si ajo e ndodhur ne Dukagjin të Shkodrës, të gjithë tentojmë të bëhemi të vetëdijshëm për realitetin në të cilin jetojmë. Shprehim indinjatën tonë të thellë me ngjarjet, bëjmë thirrje për dënime kapitale, distancohemi nga krijesat monstruoze që kryejnë krimet dhe pse jo, në profilet e panumërta në Facebook, Twitter,Instagram etj vëmë foto të viktimave apo të kauzave që ngrihen si flluskat e një shkume shampoje në vaskë. Reagime të tilla do ishin normale për aq kohë sa nuk i nënshtrohen rregullit se tek ne shqiptarët cudia me e madhe zgjat tre ditë. E biles, në këtë morinë e cudirave nuk mungojnë as “veprat gjeniale” të mediave shqiptare që në këmbim të klikueshmërisë e shikueshmërisë shkojnë 3 hapa para organeve të hetimit duke pretenduar se dine autorët e krimeve, packa se skanë askund emrat e tyre dhe kësisoj ngrenë edhe më shumë mjegull në qiellin e trazuar të realitetit në të cilin jetojmë.
Është 2015, plot 25 vjet nga ndërrimi i sistemit politik në Shqipëri, një moment i cili nga të gjithë u pa si moment i kthesës dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, një të ardhmje që do duhej të ishte e bazuar në respekt të ligjit dhe zhvillim ekonomik legal dhe të qëndrueshëm. Historikisht, cdo herë kur bëjmë një hap para duket se me vetëdije përfundojmë në 4 hapa prapa. Në 25 vjet nuk bëjmë gjë tjetër vecse zgjedhim e riciklojmë figura politike monstra të vrasjeve e mashtrimeve, veprimeve kriminale dhe tradhetisë kombëtare. E gjitha kjo, në këmbim të vazhdueshmërisë së moszbatimit të ligjit, ndërkohë që të gjithë kakarisim se sa e rëndësishme është të respektohet ligji nga të gjithë, por shumica jonë vazhdojmë të mos e respektojmë atë, në mënyrë kolektive. Ka biles edhe nga ata që sot, në 2015, u bejnë thirrje njerëzve të aplikojnë mosbindje civile, a thua se Shqipëria është në feudalizëm ku të gjithë duhet të ndjekin atë që feudali thotë.
Në Dukagjin ndodhi një krim makabër, dhe të tilla krime kanë ndodhur shpesh në Shqipërinë tonë gjatë këtyre 25 viteve. Një egërsi dhe cmenduri kolektive ku vrasësit ndodh të rehabilitohen nga gjykatës të korruptuar të cilët me prepotizëm tregojnë cdo ditë pasuritë e tyre marramendëse të cilat kurrsesi nuk do ndërtoheshin me pagat që ka sistemi gjyqësor në Shqipëri.Dhe gjithmonë gjendet një mënyrë e daljes nga turbullia në të cilën gjendemikur përballemi me krime që dalin në sipërfaqe. Cdo vendim i dhënë në këto 25vjet do duhej të kalonte në sitë sepse fitues të gjyqeve nuk janë ata që e meritojnë,por ata që paguajnë më shumë. Sistemi I drejtesisë në Shqipëri nuk është gjë tjetër vecse një ankand publik ku vendimi që shqiptohet shkon në favor të atij që ofron më shumë, e natyrisht kush tjetër përvcse kriminelëve do mund të ofrojë më shumë?! Nuk mjafton as vrasja e një fëmije për një varëse që një gjykatës ordiner të japë dënimin maksimal sepse në vend të atij fëmije do mund të ishte fëmija I tij. Sot, materializmi ka mposhtur vetëdijen dhe idealizmin për të ardhmen. Sot, idealistët dhe ata që e duan Shqiperinë të bukur e me emer të madh sic e kishte më parë, shihen me përbuzje dhe bëhen objekt barcoletash sepse ne shumicë ne jemi kthyer në “kanibalë” të vlerave njerzore.
Sot, ne të gjithë, dënojmë aktin e vrasjes së dy personave që përkundër idesë së krijuar se shqiptarët janë kriminelët në zhvillim të Europës,trafikantë të femrave dhe shërbëtorë të zellshëm të baronëve rajonalë dhe kontinentalë të drogës, vendosën të vinë e të shijojnë bukuritë që Zoti ia fali këtij vendi I cili banohet nga qenie që më shumë I ngajnë bagëtisë sesa njerëzve. Për aq kohë sa ne pretendojmë se kriminelët,e njohur dhe të panjohur, janë një pjesë e izoluar e jona, dhe ku ne nuk kemi asnjë pjese në krijimin dhe rritjen e tyre, nuk ka si të jemi qënie njerzore. Nuk është e mjaftueshme që të ngrihemi ne protesta mediale, apo të dalim nëpër sheshe, se fundja skemi cbëjmë në shtëpi sidoqoftë, por duhet të vetëdijësohemi se ka ardhur koha që të mos mbarshtrojmë kafshë të tilla si vrasësi i nje femije para 5 vjetesh dhe ciftit Cek sot, apo të mos përkrahim pazbatueshmërinë e ligjit teksa vijojmë të mbështesim e votojmë partnerët e krimit në politikë, dhe që kuptueshëm nuk lënë asnjë idealist të bëhet pjesë e vendimmarrjes por zënë ekranet e televizioneve me garën e e tyre të shpifur të solidaritetit me viktimat.
Ka ardhur koha që kush nuk është kriminel, kafshë me fytyrë njerzore dhe mbështetës i kriminalizimit të shoqërisë të ngrihet, të bëjë pjesën e vet për zbatueshmërinë e ligjit. Dënimi i monstrës së Dukagjinit, por jo vetëm, duhet të fillojë nga dënimi që secili prej nesh duhet ti japë vetvetes, sepse packa se nuk I njohim shumicën e këtyre monstrave me inaktivitetin tonë ne u mundësojmë lindjen dhe zhvillimin, duke qënë kështu bashkëautorë në krimet që ata bëjnë.
e kujt i thua? ketij popull dele qe shane te njejtet politikane qe i voton? qe hedhin plerat nga ballkoni dhe pasaj ankohen per papasterti? qe shesin voten per nje thase me miell dhe ankohen qe nuk ka shtet?
katunarizmi ne thelb eshte hipokrizi.