Tema Tv/ Bledi Çuçi: Reforma administrative përmirëson cilësinë e shërbimeve

14 Korrik 2015, 17:25Politika TEMA
Tema Tv/ Bledi Çuçi: Reforma administrative përmirëson

Nga Irida Feshti

Cili ishte mesazhi i Presidentit të Parlamentit Europian Martin Schulz në Kuvendin e Shqipërisë për reformat e ndërmarra nga qeveria?

Ishte shumë i qartë mesazhi që dha Z.Schulz në parlament. Ai tha se Shqipëria duhet të vazhdojë në  ketë rrugë që ka nisur, që ne jemi në drejtimin e duhur por që kemi ende shumë punë për te bërë në mënyrë që t’a meritojmë integrimin në Bashkimin Europian. Ishin mesazhe shumë pozitive dhe inkurajuese për qeverinë shqiptare dhe për politikën në veçanti sepse një theks jo të vogël ai e vuri në bashkëpunimin midis pozitës dhe opozitës dhe krijimit të një klime më të mirë politike në dobi te reformave të rëndësishme që ka vendi. Sigurisht që ai e vuri theksin në reformimin e sistemit të drejtësisë sepse pa një sistem drejtësie të reformuar dhe të pa korruptuar jo vetëm që rruga e Shqipërise drejt Europës është e mbyllur por edhe zhvillim të Shqipërisë nuk mund të pretendojmë.

Z.ministër, a ka nisur puna për konstituimin e bashkive të reja sipas ndarjes së re territoriale duke patur parasysh edhe debatet që ekzistojnë për këtë çështje nga ana e opozitës?

Ka pasur disa zëra të tillë por unë mendoj se ata nuk kanë bazë ligjore sepse ligji është shumë i qartë.  Afatet se kur duhet të fillojë administrata e re janë të përcaktuara, pra pas zgjedhjeve dhe deklarimit të rezultatit nga ana e KZAZ-ve ose KQZ- ve procedura është shumë e qartë, shkohet në gjykatë, bëhet verifikim mandati, priten afatet proçeduriale që i përcakton ligji i ankimeve dhe nëse s’ka ankime, kryetari i ri e ka rrugën të hapur për mbledhjen e parë të këshillit që quhet dhe mbledhja e konstituimit, ku ai bën betimin. Momenti i betimit është momenti ku ai fillon detyrën e re. Në dijeninë time janë caktuar dhe mbledhjet e para të këshillave në Berat, Krujë, Delvinë që shumë shpejt, që javën tjetër, fillojnë konstituimet. Edhe Tirana është në rrugë e sipër dhe mendoj që fundjavën tjetër do të kemi edhe mbledhjen e konstituimit të këshillit bashkiak të Tiranës .

A mund të na jepni disa detaje më shumë për organizimin e ri të funksionimit të pushtetit vendor me ndarjen e re territoriale?

Është një moment i veçantë sepse për herë të parë pas reformës administrative territoriale që ne bëmë kalojmë nga një sistem me 373 bashki dhe komuna në një sistem me 61 njësi. Në vetvete ky është një ushtrim i komplikuar financiar administrative, në sensin që duhet të krijohen si entitete të reja këto 61 bashki nga bashkimi i disa komunave dhe bashkive. Ne i kemi paraprirë këtij proçesi duke bërë një udhëzim praktik të detajuar për administratat e reja dhe kryetarët e rinj të bashkive  që kanë dalë nga zgjedhjet, në mënyrë që qysh në ditën e parë ata të investohen në krijimin nga pikëpamja ligjore dhe financiare të entiteteve të reja publike, pra të këtyre 61 bashkive të reja.Gjithashtu ka edhe shumë çështje që duhen zgjidhur që në filim për të garantuar vazhdimësinë e funksionimit sidomos të shërbimeve kryesore që lidhen me asistencën financiare apo pagesën e njerëzve me aftësi të kufizuara . Janë një sërë pyetjesh të karakterit më shumë administrativ sesa politik por që duan përgjigje, të cilën ne ia kemi dhënë pararakisht duke i shkruar në një udhëzim të detajuar praktik për kryetarët e rinj, në mënyrë që ata të jenë të qartë për veprimet që duhet të bëjnë që nga dita e pare, të paktën për tre muajt e parë të funksionimit. Është një punë kolosale për t’i kthyer këto bashki të reja në atë që ne e quajtëm “zona funksionale”, pra në entitetet të cilat do të jenë promotori i ofrimit të shërbimeve më cilësore dhe eficente. Mbetet sfida e kryetarëve të rinj zbatimi i vizionit që ne kemi pasur. Kemi një strukturë krejt tjetër nga ajo që kemi pasur. Kemi pasur vetëm njësi vendore që i përkisnin vetëm zonave urbane ose rurale, tashmë kemi bashki të cilat në përbërje të tyre kanë edhe zona urbane dhe rurale dhe duhet t’a shohim territorin të integruar dhe çdo projekt dhe strategji që ndërtojmë duhet te ketë parasysh ndërveprimin e këtyre zonave.

Z.Çuçi ku konsiston decentralizimi fiskal dhe çfarë parashikon konkretisht?

Ne po punojmë me një grup ekspertësh ndërkombëtarë dhe vendor, bashkë me donatorin kryesor që është USAID, për një ligj të ri që ne e quajmë decentralizimi fiskal. Pra, ne mendojmë që duhet një raport i ri i financimit të qeverisjes vendore sepse në radhë të parë kemi struktura të reja, kemi 61 bashki të cilat janë shumë më të mëdha nga sa kanë qenë dhe në radhë të dytë, ne po mendojmë dhe kemi në plan të decentralizojmë më shumë kompetenca drejt qeverisjes vendore . Për këtë gjë duhet të krijojmë hapësira fiskale në mënyrë që bashkitë e reja t’i përballojnë këto sfida që i presin në të ardhmen. Për këtë qëllim ne po bëjmë një ligj të ri për financat vendore , gjithashtu po rishikojmë edhe formulën analitike që ndan buxhetin e bashkive që vjen nga buxheti i shtetit. Pra, ka dy burime të mëdha që financohen  bashkitë , burimi i parë është  një  grant i pakushtëzuar që është buxheti i shtetit, janë taksat e shqiptarëve që alokohen për qeverisjen vendore dhe ky ndahet me një formulë të caktuar, janë dhe taksat dhe burimet e veta.Ne po bëjmë edhe formulën në mënyrë që të ndajmë në mënyrë sa më të drejtë këtë paketë buxhetore që vjen nga pushteti qëndror. Ne do të punojmë shumë në ato që quhen taksa të ndara, pra taksa të cilat janë kombëtare por që duhet të ndahen midis pushtetit qëndror dhe vendor si e ardhur sepse vilen nga biznese që kanë edhe karakter vendor.

Lidhur me shërbimet ndaj qytetarëve,pas shkrirjes së bashkive dhe komunave ku do t’i marrin ata këto shërbime?

Me krijimin e bashkive të reja ne nuk do t’i largojmë shërbimet nga komunitetet, shërbimet që qytetarët i kanë marrë në ish -komuna do të vazhdojnë t’i marrin  po aty ku i kanë marrë edhe më pare, duke krijuar një administratë e cila do t’i shërbejë qytetarëvë, pa patur nevojë që qytetari të shkojë nga komuna periferike në qëndër për të marrë shërbimin.Këtë e kemi garantuar me ligj dhe me ligj kemi krijuar keto zyra shërbimi në cdo territory, ish – komunë ose ato që sot quhen njësi administrative. Ne po punojmë për modernizimin e shërbimit në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimin pranë zyrave që ne i quajmë one stop shop dhe madje në të ardhmen këto shërbime synojmë ti ofrojmë edhe on line.

A do të ketë reduktim të administratës si pasojë e reformës administrative territoriale dhe a do ta ulë kjo cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve?

Padyshim që do të ketë pasi janë shkurtuar gjithë ato këshilla komunash që nuk ekzistojnë më, sekretarë këshillash, kryetarë komunash, shoferë kryetarësh komunash, kabinete kryetarësh etj, që janë të panevojshëm. Ne, duke alokuar fondet dhe paratë e taksave që vijnë nga komunitetet, pra nga njerëzit, duke mos i çuar për rroga të panevojshme në komuna nga të cilat nuk marrim mbrapsht asnjë shërbim. Këto para që mblidhen do të shkojnë për të përmirësuar nivelin e shërbimeve, reforma është një përgjigje shumë e drejtpërdrejtë për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve si dhe investimet vendore.

Lidhur me funksionin tuaj si ministër edhe për antikorrupsionin, cilët janë hapat konkretë që ju keni ndërmarrë në luftën kundër këtij fenomeni që mbetet një ndër kritikat kryesore të ndërkombëtarëve për Shqipërinë?

Padyshim është një nga pikat themelore dhe një nga problemet më të mëdha që ka Shqipëria sot. Jam i kënaqur nga fjala e zotit Shultz sot në parlament, ku ai u shpreh shumë qartë dhe tha që Parlamenti Europian inkurajon hapat që ka bërë qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, pra është një mesazh inkurajues në mënyrë të tërthortë edhe për punën time në rolin e koordinatorit kombëtar në luftën kundër korrupsionit.Gjithsesi korrupsioni është një gangrenë e shoqërisë shqiptare dhe ne të gjithë duhet të mobilizohemi, nuk është vetëm detyrim i organeve ligjzbatuese apo i gjykatës, është një detyrim i gjithë shoqërise shqiptare. Për sa më takon mua, roli im është vetëm për të koordinuar dhe bërë poltika në këtë fushë sepse një rol të rëndësishëm shumë në ndëshkim ka prokuria dhe gjykata. Mbi 90 për qind e shqiptarëve mendojnë se sistemi i drejtësisë është i korruptuar dhe ky është një perceptim që e pengon shumë zhvillimin e Shqipërise dhe është një alarm për të cilin ne po përgjigjemi duke bërë një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë.Ne sapo kemi miratuar para dy muajsh një strategji në luftën kundër korrupsionit deri në vitin 2020, jo vetëm si qeveri por e shtrirë më gjerë, dhe gjithashtu një plan veprimi me hapa dhe veprime konkrete, me kohë, me buxhet të përcaktuar se çfarë duhet të bëjmë në tre vitet e ardhshme, se cfarë duhet të bëjmë në luftën kundër korrupsionit.Ky plan është  mirëpritur edhe nga partnerët tanë europiane dhe amerikanë, të cilët janë treguar të gatshëm për të financuar veprime qe parashikohen në këtë strategji.Tre shtyllat kryesore janë: parandalimi, ndëshkimi dhe  edukimi. Ne të gjithë duhet të bëjmë një presion pozitiv ndaj gjykatave dhe prokurisë, në mënyrë që ata të kenë një vëmendje të posacme kur vjen puna për cështje që lidhen me korrupsionin sepse eshte një nga fenomenet më negative që pengon më shumë rrugëtimin dhe zhvillimin e Shqipërisë drejt Europës.

Z.ministër, së fundi, kur mendoni se do të fillojë punën Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ?

Me siguri në dhjetëditëshin e fundit të Korrikut. Gjej rastin për t’i uruar suksese në këtë detyrë sa të vështirë aq edhe të rëndësishme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje