Kreu demokrat Lulzim Basha përmes një postimi në Facebook ka komentuar vendimin e Qeverisë për uljen e buxhetit të shtetit me rreth 163 milionë dollarë.
Basha shprehet se vendimi është marrë në fshehtësi të plotë nga mediat dhe qytetarët.
“Në fshehtësi të plotë nga qytetarët dhe media Rama-Meta kanë miratuar natën e 29 korrikut uljen e buxhetit të shtetit me afro 163 milion dollarë.
Të nesërmen Rama mbajti një monolog dy orësh për ekonominë që po rritet, papunësinë që po bie dhe grupin parlamentar të PS pa asnje të denuar për trafiqe.
Por asnjë fjalë për vendimin që kish firmosur 12 orë më parë për të shkurtuar fondet e pagave dhe pensioneve dhe për të ulur investimet në shkolla, rrugë, ujësjellës dhe bujqësi“, shkruan Basha në rrjetin social.
“Pa ju dridhur dora, Rama-Meta shkurtuan 960 milionë lekë (-74%) nga fondi i pagave për arsimtarët, mjekët, infermierët, ushtarakët, policët dhe të gjithë punonjësit e administratës publike.
Shkurtuan me 200 milionë lekë (-20%) asistencën për të papunët, ndërkohë që papunësia rritet përditë. Shkurtuan me 2 miliardë lekë (-67%) kreditimin për energjinë ndërkohë që ndërprerja e energjisë ka pllakosur vendin e në veçanti zonat turistike. Shkurtuan me 2.67 miliardë lekë investimet në ujësjellës-kanalizime (-18%)””, shkruan Basha.
Për kreun demokrat kjo është qeveria më e korruptuar e cila vjedh taksat ndërkohë që shkurton fondet për qytetarët.