"Ne të dy pijmë dhallë të ftohtë dhe kur vëllai të mbërrijë në Londër ti më jep 12 mijë eurot"- Rrëfimi i një trafikanti "humanist" klandestinësh

14 Gusht 2015, 15:09Politika TEMA

“Ne të dy pijmë dhallë të ftohtë këtu në lokal, dhe në moment të telefonon vëllai yt që të thotë: Mberrita, jam në Londër. Ti më jep 12 mijë eurot, dhe une të uroj fat. Gjithçka është e organizuar në mënyrë të përpikte, nuk bëhet fjalë për diletante. Pas meje kam një ‘ushtri’ të vërtetë”.

Flas me M.L, një tiranas me nënshtetësi franceze që prej vitesh punon me “agjencinë e udhëtimit” Tiranë-Britani e Madhe.

I them që jam gazetar dhe më beson, pranon të flasë, falë dhe një njohjeje të përbashkët.

“Nuk besoj se ti bën ndonjë proçkë, më dukesh djalë i zgjuar, i kam fijet e lidhura kudo”, shton ai ndërsa rrufit shishen e dytë me dhallë të ftohtë dhe shton: “Nuk e gjen o burre këtë në Francë, ajrani turk është ndryshe, i mirë por jo me këtë shije”, shton duke ndezur cigaren që thotë se është e para e ditës nga 6 që thith të tilla.

Kanali që përdor “trafikanti ynë” për rrugëtimin e njerëzve që duan të bashkohen me familjet e tyre është krejt i ndryshëm nga ai i zakonshmi, të cilin M e quan “punë amatorësh” dhe “pabuksish” që prishin tregun.

“Unë nuk çoj njerëz që udhëtojnë si skllevër me maune që u zihet fryma. Unë bashkoj familje, vajza që shkojnë tek të fejuarit apo bashkëshortët e tyre dhe djem që arrijnë baballarët nga Londra, Leeds, Belfast apo Dublin. Mund të më quash dhe trafikant po deshe, por unë jam humanist. Pse? Po ja ta shpejgoj unë: Kryesisht njerëzit që dërgoj në destinacion janë studente apo gra me fëmijë, që trajtohen si motrat e mija me kushte perfekte deri sa arrijnë në vend dhe takojnë njeriun e afërt. Aty përfundon puna ime. Nuk i lë njerëzit e mi në rrugë”.

Po sa kushton, e pyes dhe përgjigja vjen menjëherë: “Duket shumë por është e llogaritur me detaje. Fitimi im vjen vetëm nga ulja e kostos që i bën mungesa e tatimit, pra bëhet fjalë për një “duty free service” thotë bashkëbiseduesi ynë gjithë seriozitet. Kostoja është përgjithësisht 12 mijë euro, por për shërbime të veçanta ka “anekse tarifash speciale” natyrisht duke e rritur shumën.

Po si funksionon ky udhëtim nga Tirana në Angli?!

Gjithçka duket e organizuar. Personi që dëshiron të arrijë në destinacion, merret në banesën e tij nga M, i cili zotëron një makinë që ndryshon gjithmonë me targa jo shqiptare. Automjeti shkon drejt Malit të Zi nga Muriqani, pastaj kalon në Kroaci, prej andej në Slloveni, nga ku kalon në Trieste. Një pushim i shkurtër në qytetin”gjysëm sllav” të Italisë dhe vazhdon udhëtimi diagonalisht deri në Gjirin e Gjenovës, një natë në një fshat pranë San Remos, më pas kalohet në Rivierën Franceze nga Nica deri në Sant Trope.

Një tjetër udhëtim diagonal nëpër Francë, duke shëtitur të gjithë fushat piktoreske deri në Nantë, ku bëhet pushimi i parafundit. Aty personi strehohet në një banesë konforte ku qëndron disa ditë deri sa bëhen tratativat dhe oficerët e policisë japin “dritën jeshile”.

Në Nantë vjen pastaj një furgon i një Organizate Jo Qeveritare që merr njerëzit e grumbulluar dhe i çon në Portin e Brest-it. Prej andej, ata i hipin anijes, përgjithësisht vapor mallrash dhe udhëtojnë në Plymouth të Anglisë.

Të gjjithë pajisen me dokumente false si ekuipazh i anijes. Nga Franca në Angli, vapori që drejtohet nga superprofesionistë ka një staf fare të vogël. Klandestinët bëhen në mënyrë të improvizuar, teknikë, motoristë, kuzhinierë, elektriçistë e radistë, që zbresin me leje provizore në portin anglez.

Aty jepet një drekë për “ekuipazhin” në një restorant të njohur që administrohet nga shqiptarë. Bashkëbiseduesi, duke qeshur na thotë se aty gatuhet aq mirë sa thuajse githmonë në atë restorant buajnë oficerë të policisë kufitare britanike, që “çmenden” pas specialisteteve mesdhetare.

Më pas, një autobus gati turistik e merr të gjithë “ekuipazhin në liri-dalje” dhe e shëtit nëpër Angli. Sipas dëshirës. Kur secili takon personin e kontaktit nëpër qytetet e përcaktuara, telefonon babain, vëllain, apo kushëririn që është person kontakti me M dhe i thotë: “Mberrita, jam mirë”.

Aty bëhet pagesa në dorë cash e 12 mijë eurove, të cilat shpërndahen më pas nëpër të gjithë mekanizmin e “agjencisë turistike”.

“E shikon që bëhët fjalë për udhëtimin e jetës që nuk do ta shijosh kurrë nëse paguan çdo agjenci turistike. Madje mund të bësh edhe ndonjë plazh të shkurtër në “Cote d’Azur”, por mua më pëlqen që tani në verë t’i çoj në lumenjtë e kristaltë të zonës së Nantës”, thotë bashkëbiseduesi ynë, i cili i pyetur për lidhje e tij në policinë shqiptare përgjigjet; “S’ka nevojë, ne veprojmë sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave të udhëtimit në Shengen, por kam miq kudo. Kam bërë ndere edhe pa para”…

Tesheshi.com

8 komente në ““Ne të dy pijmë dhallë të ftohtë dhe kur vëllai të mbërrijë në Londër ti më jep 12 mijë eurot”- Rrëfimi i një trafikanti “humanist” klandestinësh”

  1. Tema says:

    Kështu han kokat me njëri tjetrin

  2. saimir says:

    Bravo shpetoje kete popull nga katovicaret

  3. vezhgusi says:

    Andej nga anet tona i thone te ecesh me koke ne torbet more njerez te uruare,hiqni dore nga keto se jeta nje here te jepet nga Zoti dhe ate ke te drejte ta shijoshe vetem ti dhe as njeri tjeter,darkat dhe drekat haje me njezit e tu dhe jo me boten se ajo eshte e huaja.

  4. Dritëroi says:

    Perfekt, thjesht, humanërisht, ndershmërisht dhe biznesmenshmërisht!

    Mbi të gjitha, me shume vlerë dhe me shumë përfitime për shqiptarët!

    Mbi 90% e shqiptarëve në emigracion në Europë, por edhe më gjërë, kanë shkuar “ilegalisht” dhe kështu, pasi i janë përveshur punës apo shkollës, janë stabilizuar ekonomikisht dhe u kanë kanë mundësuar familjeve të tyre, pra edhe vetë Shqipërisë, egzistencën dhe mbijetesë në tranzicionin e stërzgjatur, korruptiv dhe abuziv postkomunist, drejt parajsës së Perëndimit.

    Eshtë fakt i njohur tashmë se Perëndimi nuk investoi në Shqipëri, që vëndi të ngrinte ekonominë e vet kapitaliste, të përparonte dhe të punësonte përe të mbante njerzit me bukë.

    Edhe ato çika fonde e borxhe të buta që u dhanë, ishin “për reforma që përsërisin vetveten sa herë ndrrohen qeveritë, për kualifikime fantazmë dhe për administratën e politizuar deri në palcë” dhe shumica e parave u kthyen tek donatorët, për rrogat e specialistëve të huaj apo në formën e fajdeve të borxhit.

    Kusuri, u përla nga pehlivanët dhe politikanët vëndas të OJQ-ve, “instituteve” për të huajt dhe seminareve dhe pa bukë

    Për Shqipërinë nuk u pa asnjë gjurmë a vepër ku të prodhohej, punësohej apo të eksportohej diçka.

    Rruga e Kombit, e vetmja vepër me peshë në 25 vjet tranzicion, 1 miliard euro, u vodh nga vëndasi Basha dhe banda mafioze që e kishte punësuar ministër për rreth 200 milion euro dhe, akoma më shumë u vodh nga kompania ndërtuese e miqve tanë, ‘Bechtel’, që e nxorri me kosto dyfish më të lartë se ç’është norma e zakonshme për rrugët, ‘motorways’, kudo në botën e biznesit të monitorizuar.

    Kështu, për popullin fukara nuk ka mbetur ndonjë kacidhe nga donacionet dhe borxhet e buta te miqve.

    I vetmi shteg që Perëndimi u la shqiptarëve për të mbijetuar, ishte emigrimi “ilegal”, për t’i dalë zot vehtes dhe familjes.

    Ky ishte dhe “Tanzimati” i kohëve të reja për shqiptarët.

    Kryengritja dhe reaksioni i shqiptarëve ndaj këtij ‘Tanzimati’ modern, tashme jo i Portës së Lartë të Stambollit, por i Selive Euro-Atllantike që shkruanin fatin e trojeve të shpërbëra të ish Kampit Socialist, ishte emigrimi total, kryesisht ilegal, i mbi 50% të popullsisë së vendit, nëpër kufinjtë tokësorë, nëpër male e dete, me vaporra e me skafe, me viza fallco e me pasaporta fallco, nëpër maune dhe taksi, ku dhe kur dhe si të mundnin.

    Asnjë luftë totale e vëndit, me armiqtë tradicionalë sllavo-sërbo-grekë apo qoftë edhe me superfuqitë më të egra të kohës madje, edhe sikur të kishin hedhur bombën atomike mbi ne, nuk do të kishin asgjësuar dhe çbërë gjysmën e popullsisë së vëndit, nuk do të kishin shkaktuar këtë gjakshprishje të kombit, mga e cila, Shqipërisë i merren këmbët dhe i është errësuar llogjika dhe e ardhmja.

    Ky emigrim total,ka qënë në përmasat dhe në dramaticitetin e tij, një eksod biblik për shqiptarët, i krahasueshëm vetëm me ikjen e tyre somnambule dhe braktisjen e vëndit, pas vdekjes së Skenderbeut dhe pushtimit nga Osmanët.

    “Vëndi ynë dot s’na mba’ Nizam e xhelepe s’ka
    Duhet ikur, s’ka shaka. Eshtë vëndi fukara
    Po leje e viza s’ka, Mbahemi me lakëra
    S’bën Europi sadaka. Katër shtëpi me një ka’

    Kështu që, ata djemtë që çojnë shqiptarët jashtë, që të stabilizohen e punojnë, apo të shkollohen a të bashkohen me familjet, janë Ministria e Jashtme, e Punës dhe e Emigracionit, e Asistencës Sociale dhe e Akomodimit prej vërteti e kombit.

    Unë uroj që, informacioni i detajuar i rrugës dhe mënyrës se si ky dhallaxhiu çon shqiptarët në Europë, informacion që gazetari pa tru e ka përcjellë një për një për publikun, po aq sa edhe për organet që duan të pengojnë këtë emigracion, të mos marrë në qafë ata qe e përdorin këtë shteg drejt një jete tjetër, duke lënë pas një Shqipëri që nuk dihet se si do ti vejë halli, edhe 25 vjet pas përmbysjes së një halli edhe më të madh, që nga distanca e kohës dhe nga realiteti që po përjetohet, po fillon të marrë ngjyra rozë.

  5. filani says:

    Nuk rrezikon asgje. Shume mire ben, nese ua mban xhepi. Bravo s’mund t’i them, ama dhe mos e bej jo. Te luash me ligjet eshte diçka qe e bejne jo vetem keta, por te gjithe politikanet. Nese ka mundesi (dhe ka), pse jo?

  6. perkthyesi says:

    Shume e sakte Dritero! Nga keto pak investime te huaja qe ezistojne ne Shqiperi, asnje nuk eshte serioz, por operojne me metoda mafioze! Mendoj qe nje investim i madh kinez, do ishte shume i mirepritur! Ndryshe do qendrojme ne vend, e nuk do bejme kurre perpara, pasi qeveritaret tane te cdo krahu, asnjehere nuk e kane vrare mendjen te bejne punen per te cilen paguhen, por si te mbushin xhepat! Burgjet therrasin me te madhe: “Jemi gati te hapim dyert”, por per keta eshte gjetur dryni i madh, qe me gjase asnjehere nuk do cbllokohet!

  7. zaho says:

    un e di se llap me raki por ti llapke dhe me dhall o trap

  8. Nio says:

    Ky nuk eshte nje humanist … humanizem do te thote kur dikush ben nje pune pa para per dike tjeter … ky eshte nje plere qe trafikon plerat … Shpresoj qe te bardhet e Anglise tua lirojne ato nenushkat , tju ndjekin te gjitheve nga Anglia … Me Shqipetare , Serb , arab , sirian apo afrikane … gjithe kjo prurje masive ne Angli eshte nje barre e rende , nje kercenim per buken e gojes te cdo femije anglez qe do te rritet dhe do te kerkoj pune ne treg …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje