Etrit Berisha mund të debutojë në UEFA Champions League me fanellën e Lazios. Gardiani kuqezi që konsiderohet zgjedhje e dytë nga Strefano Pioli, ka shanse që të veshë dorezat që nga minuta e parë të martën për 90 minutëshin e parë të sfidës play off kundër Bayer Leverkusen në “Olimpico”, pasi titullari Marchetti ka pësuar një dëmtim në brinjë. Sipas burimeve zyrtare nga klubi italian, Marchetti është dëmtuar në krahun e djathtë dhe analizat e detajuara evidentuan një frakturë në dy brinjët e fundit. Nuk bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë, por aktivizimi i tij në portë për ndeshjen kundër “aspirinave” është vënë seriozisht në dyshim dhe në këtë mënyrë, portieri i lindur në Prishtinë mund të ketë një shans për të treguar vlerat e tij me ekipin bardhkaltër në Europë.
“Nuk mund të flasim përpara kohe nëse do të jetë i disponueshëm ose jo Marchetti për ndeshjen e së martës”, thekson mjeku i Lazios. Berisha është konsideruar si portieri i Kupës në radhët e Lazios pasi gjatë sezonit të shkuar ai u aktivizua titullar deri në finale ku Lazio u mund 2-1 nga Juventusi, ndërsa në Serie A, trajneri Stefano Pioli preferon zgjedhje të parë italianin Marchetti.