Reforma në drejtësi duhet dorëzuar në dorë të shqiptarëve

16 Tetor 2015, 18:44Blog TEMA
Reforma në drejtësi duhet dorëzuar në dorë të

Nga Mimoza Cika – Kelmendi*

 

Shqipëria është një vend që hyri në rrugën e demokracisë pas një sundimi të gjatë diktatorial. Eshtë e kuptueshme që liria ishte pika e referimit të revoltës së përmbysjes së sistemit për të. Por sikunder thotë Alekxis Tokëvill me pasionin e tij për të studiuar demokracinë: ” Barazia krejt natyrshëm u jep njerëzve shijen e institucioneve të lira”. Eshtë pikërisht kjo ndjenjë që pas fitimit të lirisë shndërrohet në motoriin lëvizës të shoqërisë. Barazia e konceptuar si Drejtësi( jurdidike e sociale) shndërrohet në kryefjalën e popujve.

Në Shqipëri perceptimi popullor për këtë barazi është sa mosbesues aq edhe revoltues. Për 24 vjet, Drejtësia shqiptare u shndërrua në legjitimuese e veseve më të këqija të trashëguara por edhe të fituara gjatë tranzicionit. Drejtësia shqiptare u “kap” nga njerëz që të lidhur me politikën e konsideruan veten “baronë” të fatit të shoqërisë në përgjithësi dhe individit në veçanti. Individi u detyrua të “blente” drejtësinë duke i lënë kështu pushtet të pakufizuar një kaste sa arrogante aq edhe të pasur, sa politike aq edhe korruptive. Ndaj në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 shqiptarët reaguan fuqishëm duke patur po të njëtën kërkesë ”Drejtësinë “. Kjo do të thoshte në mënyrë të natyrshme që shteti duhej të funksiononte me tri pushtetet e veta në mënyrë harmonike. Zoti Rama që erdhi në pushtet në krye të “Aleances për Shqipëri Europiane” premtoi në çdo fjalim të fushatës së tij elektorale se “Drejtësia shqiptare do të jepte më në fund Drejtësi” për të gjithë. Madje në ditën e marrjes së statusit kandidat për në BE, kryeminsitri Rama u shpreh :

“Do të mbetet e paharrueshme për mua, ndër të tjera në takimin me kancelaren Merkel, ajo pjesë e takimit në Berlin kur më tha: ”Dakord, Shqipëria mund të jetë si thua ti, mundet ta meritojë statusin e vendit kandidat, por dua të më shikosh në sy dhe të më thuash a beson se me Drejtësinë që ka Shqipëria sot mund të bëhet anëtare e BE-së?. Sigurisht ne e dimë që përgjigjja është “Jo”. Me këtë gjendje të Drejtësisë nuk mund të bëhet anëtare e BE-së. Sfida për të kaluar nga një sistem drejtësie primitive, në drejtësinë evropiane është një sfidë e përbashkët që duhet adresuar si një refomë e shoqërisë”.

Besimi se më në fund shteti do të funksiononte me Drejtësi, bëri që populli ta votonte këtë koalicion me një votë gati plebishitare. Dhe deklarta të tilla të bënin të besoje se Shqipëria tash e mbrapa do e kishte kryefjalën e saj politike reformën në Drejtësi. Sot kushdo do e shihte të udhës t’ja rikujtonte zotit Rama deklaratat e bëra në kancelaritë e botës, në intervista në kanale të ndryshme mediatike në lidhje me domosdoshmërinë e reformimit të sistemit të Drejtësisë. Por fjalët mbeten fjalë dhe realiteti na shfaqet krejtësisht tjetër.

Pas mbi dy vjet pushtet e qeverisje dëgjohet sërish kryeministri i vendit të thotë se : “Vendi nuk mund të ecë përpara me një sistem drejtësie të korruptuar””! Nuk besoj se ka kryeministër në botë që të bëjë deklarata të tilla. Në një këndvështrim kjo deklaratë ngjan me përpjekjet infantile të një kryeminsitri jo politikan, që “topin” e përgjegjësive kërkon ta pasojë diku jashtë vetes. Më konkretisht: Shqipëria, sipas mendimit tim, sot paraqet një tabllo mjaft paradoksale: nga njëra anë ky vend konsiderohet si vendi me korrupsionin më të lartë ne Europë ( Transparency International publikoi para disa ditësh raportin mbi indeksin e perceptimit të korrupsionit ku Shqipëria renditet e 95-ta, me një koeficient vlerësimi prej 3.1 në mesin e 183 shteteve të botës. Në krahasim me një vit më parë Shqipëria renditet 8 vende më poshtë. Në 2010 vendi ynë renditej i 87-ti me koeficient vlerësimi 3. 3.) – nga ana tjetër ka një mbipopullim ne masën 28% në institucionet e denimit me heqje lirie. Dënimet janë kryesisht për lidhje të parregullta të energjisë elektrike, apo për mospasje të kasave fiskale. Pra dënohen qytetarët dhe jo përgjegjësit apo zyrtarët e korruptuar të cilët i sjellin vendit miliona euro të humbura. Këta zyrtarë, herë të akuzuar publikisht e herë të çuar para bankës së të akuzuarve, dalin gjithnjë “të pafajshëm” ! Dhe sikundër thuhet në të tilla raste “ajo që nuk të vret të bën më të fortë” kjo vlen për zyrtarët e lartë shqiptarë të cilët vazhdojnë të veprojnë here haptazi dhe herë nën rrogoz mbushin llogaritë e tyre bankare. Drejtësia shqiptare funksionon kështu vetëm për njërin krah : në dënimin e të pambrojturit!

Pse ndodh kjo? A nuk kishte mundësi Parlamenti shqiptar të merrej prej kohësh me drejtësinë? Jo vetëm që kishte mundësinë por e kishte premtuar si maxhorancë reformimin e këtij sistemi. Por ky Parlament nuk mund të realizojë dot reformë! Sikur specialistët shqiptarë por edhe ata të huaj të propozojnë drafte të mrekullueshme, sërish Reforma në Dretësi NUK DO TË BEHET. Arsyet janë të dukshme:

-Parlamenti shqiptar ka aq pak juristë që mund të japin mendim të specializuar sa rrezikojnë të mos dëgjohen fare.

– Në parlamentin shqiptar kanë depërtuar ish të dënuar, individë me të kaluar por edhe me të tashme dyshuese, biznesmenë që asnjehërë nuk kanë dhënë llogari për pasuritë e tyre, ish ministra që kanë mbushur llogari bankare brënda dhe jashtë vendit me korrupsionin e njohur publikisht (por edhe të panjohur) me pasurinë publike.

-Klasa politike shqiptare e ka konsideruar dhe vazhdon ta konsiderojë pushtetin si instrument të pasurimit të saj.

Të gjitha këto e bëjnë të pamundur një reformim të sistemit të drejtësisë në vend. Eshtë një marrëveshje e heshtur mes pozitës dhe opozitës në politikë e cila ka vite që funksionon: “mos më ngacmo që mos të të ngacmojë”! Kjo e shpreh më së qarti faktin e mungesës së vullnetit politik për të reformuar Drejtësinë.

Pra pretendimi i zotit Rama se “kur nuk funksionon drejtësia unë i kam duart e lidhura” është një shashkë që mund të genjejë me kërcitjen e saj vetëm militantët radikalë të Rilindjes.

Nga ana tjetër Kryeministri Rama ka deklaruar disa herë se : “Prisni prisni se nuk keni parë gjë akoma” . Kjo batutë e kthyer tashmë në “motiv barcaletash” i drejtohet opozitës me synimin mbajtjen e saj publikisht nën “fre”. Në fakt duket sikur kjo batutë shpreh një llojë filozofie dhe mentaliteti që shfaq kryeminsitri për ta shëndrruar drejtësinë në një llojë “kërcënimi” për individin kundërshtar dhe jo për të vendosur një sistem me rregulla të qëndrueshme.

Vetëm disa javë më parë në Shqipëri plasi skandali i implikimit në aferën korruptive të Cezit dhe një kompanie DIA (e cila ndërmjetësonte për mbledhjen e të ardhurave nga pagesat e energjisë,) të një ish kryeminsitri. Në media dolën shkresa e u lakuan emra mes të cilëve dhe kryeparlamentari aktual. Për dhjetë ditë rresht populli u njoh me “bëma” që shkonin miliona euro dëme në kurriz të taksapaguesit shqiptar. Dhjetë ditë denoncim aferash korruptive ndërkohë që kryeminsitri shqiptar vazhdonte vizitën në SHBA, i pashqetësuar nga ngjarja. Kohë e mjaftueshme për të matur forcat brënda një kualicioni që duket se mbështetet thjeshtë në afera personale. Me reagimin e zotit Rama pas kthimit nga SHBA çdo gjë u mbulua dhe askush nuk merret më me këtë çështje. Pra sërish lind pyetja : A mund të justifikohet kjo sjellje politike e një kryeministri? Cila do ishte përgjigja e rradhës ndaj kancelares Merkel, ndaj BE-së në lidhje me dy vitet e humbura në reformimin e një një sistemi, i cili garanton ecjen përpara dhe jep provën e besueshmërisë për të hapur negociatat për antarësim?

Opozita nga ana e saj, është bashkëfajtore në afera korruptive me vite të tëra, ndaj dhe kur flet për Drejtësinë, nuk ka as moralin dhe as gjuhën e duhur.

Duket sikur situata është e pashpresë. Në fakt në Shqipëri një grup ekspertësh vendas dhe të huaj janë angazhuar për një reformë të vërtetë. Sipas mendimit tim, kjo reformë nëse dërgohet në Parlament do pësojë ndryshime thelbësore që sërish garantojnë ato çka thamë më sipër. Por edhe nëse ndodh ky miratim( me ndryshimet që u thanë)) sërish do duhen vite që të realizohen në vend. Deri atëherë zoti Rama dhe aleanca e tij do kenë humbur imazh dhe besueshmëri që ndoshta do rrezikojnë pushtetin, por mbi të gjitha, do e bëjnë edhe më të varfër vendin. Zgjidhja ekziston! Nje referendum popullor do të ishte mundësia e artë që ky sistem të vihej në rrugën e drejtë. Drejtësinë ashtu si lirinë nuk ta dhuron dot ai që ta ka marrë!

*Gazetare, Bon

5 komente në “Reforma në drejtësi duhet dorëzuar në dorë të shqiptarëve”

  1. altin says:

    Komplimente per shkrimin,zonje e mencur!

  2. ardi says:

    pas kaq kohesh mberiti nje shkrim tamam o Mero,,,,klasa politike qe sindon ne shqiperi eshte pergjegjese per cdo gje,,,jane te gjithe rrobqira nga i pari tek i fundit,,,ti ruajne k… ENVER HOXHES se e mori nga mesjeta vendin,,,,,,,,,,

    1. korçari says:

      Komplimente per shkrimin por mendoj se e vetmja rrugezgjidhje eshte dalja ne rruge e popullit dhe protesta masive paqesore kur populli te ndregjegjesohet per fuqine e tij dhe te protestoje atehere do te vihen para drejtesise kjo bande e paskrupullt banditesh me kollare dhe ky vend i bekuar nga ZOTI me te gjitha pasurite e tij do te shohe nje te ardhme te begate ,DITA PO AFRON

  3. ne emer te Migjenit te Math says:

    Ne popull i nxirrte edhe Enver Hoxha te gjykoheshin pucistet sot bijte e tije do qesin ligjet per drejtesine.
    Mirpo populli nuk ka mundesine te votoje nen per nen por pakon ne teresi.
    Bota nuk nxjerr ligje te tilla me nje dynja nenesh ne referendum.
    Referendumet thirren per nje ceshtje te caktuar dhe jo te behen ligje me referendume.Provoni te nxirrni nje ligj per rritje taksash ne referendum e te shifni qafen e Pates

  4. Lili says:

    juristat i kemi taxista, taxistat body guard,body guardet biznessmena,e biznessmenat politikane!
    Mbrapsht!
    Mbrapshti qeverise ne cdo halke te jetés tek albanistanezet!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje