Pas mbylljes së dyqaneve, tani bizneset heqin tabelën e reklamimit

23 Tetor 2015, 10:35Ekonomia TEMA

Në rast se, me nisjen e aksionit antiinformalitet, rrugët kryesore të kryeqytetit panë një mbyllje masive të dyqaneve, një fenomen i cili duket se po zëvendëson këtë të parin, është heqja e reklamave të dyqaneve.

Disa nga dyqanet në rrugë të ndryshme të Tiranës kanë hequr nga “koka” e tyre reklamat me emrin e markës apo emërtimin përkatës. Të kontaktuar nga Monitor, ata kanë shpjeguar se heqja e reklamës së tyre bëhet pasi mundësia për të përballuar taksën për të, është më e ulët tashmë që janë pajisur me kasa fiskale.

“U pajisëm me një kasë e cila kushtonte sa qimet e kokës, xhiroja ditore e blerjeve na ka rënë, me tepër na kushton letra e kasës që lëshojmë në ditë, se sa fitimi në shitjet që bëjmë, ndaj dhe hoqëm reklamën lart. Në vit paguanim mbi 2 mln lekë”- pohon pronari i një dyqani këpucësh pranë stadiumit “Dinamo”.

Në disa raste, dyqanet kanë hequr tërësisht tabelën e reklamimit të tyre, të raste të tjera e kanë ngjyrosur, sikurse tregojnë fotot më poshtë.

Bazuar në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, ndryshuar me ligj nr. 10354 datë 18.11.2010, taksa e reklamës ka një çati tarifimi deri në 18 metra katrore. Vlera e tarifimit për reklamën nën 18 metra katrorë, në Bashkinë e Tiranës, është 45000 lekë/m2, ndërsa mbi këtë madhësi, tarifimi do të ketë vlerë fikse të barabartë me 81000 lekë. Pagesa e kësaj takse, sipas rregullave bëhet një herë në vit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje