Tabela e taksave krahasuese në rajon: Shqipëria kryeson në TVSH, tatim fitim, kontribute

23 Nëntor 2015, 10:09Ekonomia TEMA

Shqipëria, së bashku me Serbinë kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon, në TVSH, kontributet e sigurimeve, që paguhen nga punëdhënësi dhe tatimin mbi korporatat. Jo më kot, të dy këto shtete kanë nivelin më të lartë të taksave në përqindje ndaj fitimit, përkatësisht 36.5% Shqipëria dhe 39.7% Serbia.

Sipas një tabele të nxjerrë nga të dhënat e Bankës Botërore, Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të TVSH-së, në 20%.

Në Maqedoni, niveli më i lartë i TVSH-së është 18%, ndërkohë që vendi ka dhë një TVSH të reduktuar prej 5% për produkte ushqimore, produkte mjekësore, makineri bujqësore, publikime, shitja e parë e ndërtesave dhe apartamenteve si dhe transporti dhe akomodimi.

Mali i Zi e ka TVSH-në 19%, Bosnja 17% dhe Kosova në nivelin më të ulët prej 16%.

Taksa mbi korporatat

Ndërsa përpara vitit 2008, i gjithë rajoni u fut në një garë të ethshme se kush i ulte sa më shumë taksat dhe zbatonte taksë të sheshtë në nivelin e afër 10%, me përshkallëzimin e krizës ekonomike, rezulton se vetëm Serbia dhe Shqipëria e rritën taksën mbi korporatat në 15%. Shtetet e tjera vazhduan të ruajnë norma të ulëta të tatimit që paguajnë sipërmarrjet.

Mali i Zi ka aktualisht nivelin më të ulët të kësaj takse në rajon, në 9%, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë atë në 10%.

Kontributet e paguara nga punëdhënësi

Shqipëria, së bashku me Serbinë renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Megjithatë, Serbia po tregohet më agresive se Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja, duke i “joshur” të huajt me subvencione direkte për punonjësit.

Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.

Megjithëse Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të kontributeve të sigurimeve shoqërore në rajon, ajo ka dhë të ardhurat më të ulëta në buxhet, çka nënkupton që te kjo taksë kryhet dhe evazioni më i lartë. Taksa e punës sjell sot në buxhetin shqiptar të ardhura në nivelin e rreth 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërkohë që mesatarja rajonale është 8-10% e PBB-së.

Monitor

4 komente në “Tabela e taksave krahasuese në rajon: Shqipëria kryeson në TVSH, tatim fitim, kontribute”

  1. genti says:

    Cudi pra se ne mburremi botes qe jemi shume konkurues. Ah po, ne konkurojme sipas kryeministrit se nuk kemi sindikata dhe se cdo punedhenes i huaj mund te vije te shtype me kembe cdo punonjes shqiptar sipas deshires. kjo po qe eshte nje arritje e madhe e qeverise per tu mburrur ne europe. Palo rilindje, palo kryeminister.

  2. ILIRIA says:

    Ja pra sa me te larta taksat apo sigurimet aq me pak te ardhura ka shteti sepse ka manovrime dhe evazion dhe nuk mblidhen as gjysma e parave qe duhet mbledhur prandaj duhet nje reforme per nivelin e taksave sigurimeve taksave lokale taksave te ndertesave cmimeve te produkteve qe varen nga shteti ne masen deri ne 50% dhe te paguhen ne masen 100% dhe te paguajne te gjithe pjesen qe ju takon sepse kjo gje erdhi nga sistemi rrumpalle qe paguante me i dobeti ose me i ndershmi edhe taksat me te larta edhe cmimet me te larta ndersa ata te partise meme nuk paguanin fare sic doli edhe ne momentin e energjise qe na dilnin drejtoret me nga 200 milion lek borxhe ne OSHEE ndersa ne burg shkuan fukarenjte qe spaguanin dot 20 mij lek ne muaj.

  3. Gjeto BM says:

    Kosova e ka rrit TVSH ne 18% nga korrik 2015.

  4. Fotaqi says:

    Pse dreqin krahasoni Alvaninse me shtete si Malizi apo Serbia ? Ato jan 20 vjet perpara. Vetem me Kosoven mund te krahasoheni e pak me FYROMIN.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje