Mëngjesin e së enjtes, kompania GFI Albania ndaloi markimin e karburanteve, por mbrëmë vonë e ka rifilluar punën.
Në bazë të një vendimi qeverie, përpara nafta të hyjë në tregun vendas, duhet të markohet për cilësinë nga një kompani, që në këtë rast koncesionari është GFI.
Mësohet se zhbllokimi ka ardhur pas një takimi të përfaqësuesve të GFI me Ministrinë e Financave, por nuk bëhet e ditur se cila palë ka lëshuar pe, teksa VKM e Këshillit te Ministrave që përcakton procedurat e shenjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës, i datës 30.5.2013 i jep shumë të drejta GFI Albania.
Transaksioni, si i lëshoi aksionet GFI për një hua të pashlyer prej 711 mijë euro
Pas grevës së djeshme së kompanisë koncesionare të markimit të karburanteve GFI Albania, që çoi në ndërprerjen e furnizimit me naftë në vend janë ngritur dhe shumë pikëpyetje për shitjen e aksioneve nga aksioneri i shumicës tek ai i pakicës. Në 4 shtator të këtij viti, (“Global Fluids International S.A. (GFI)”) ka transferuar pothuajse të gjitha kuotat që kishte te GFI Albania (fillimisht kishte 75%), duke mbajtur vetëm 0.7% (Përqindja në kapital ishte “75,00” u be “,07″) te aksioneri i dytë “Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP)”, i cili kishte fillimisht 25% të kuotave. Si rrjedhojë përqindja në kapital e PCP nga “25,00” u be “99,93”.
Transferimi i kuotave nga GFI ka ngjallur debate për faktin se koncesioni i markimit të karburanteve u miratua nga qeveria e djathtë në vitin 2011 me një ofertë të pakërkuar nga kompania ndërkombëtare Global Fluid International, me justifikimin se GFI ishte e specializuar në prodhimin e kimikateve dhe ka filluar të zbatohet në vitin 2013. Nuk ka pasur asnjë lloj transparence lidhur me këtë lëvizje të aksioneve, nga një kompani e specializuar tek një e panjohur.
Si ka ndodhur transaksioni
Sipas marrëveshjes së transferimit të fondeve mes Global Fluids International S.A. (GFI) dhe Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP) rezulton se GFI është detyruar të kalojë kuotat e saj te PCP, pasi PCP kishte kontribuar e vetme në zmadhimin e kapitalit të regjistruar të shoqërisë, duke dhënë fondet për të dy ortakët.
GFI kishte nënshkruar për këtë qëllim një marrëveshje huaje me PCP, sipas të cilës, në rast se huaja me një shumë principale prej 277 mijë euro dhe 477.75 mijë dollarë (rreth 435 mijë euro me kursin aktual) përdorur për të zmadhuar kapitalin e pjesës së GFI nuk shlyhet, atëhere PCP do të bëhet zotëruese e kapitalit respektiv të zmadhuar sipas kësaj shume. (në euro shuma totale është rreth 711 mijë)
Në bazë të termave të kësaj marrëveshjeje, GFI ka transferuar te PCP 99.912% të pjesës së kapitalit të shoqërisë të regjistruar prej saj.
Kush është Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP)
Petroleum Consulting Partners A.G. (PCP), është një kompani e themeluar në Baar, Zug Zvicër, përfaqësuar rregullisht nga z. Francois Morax. Kompania nuk ka faqe interneti dhe nga një kërkim në google del vetëm adresa e zyrave të saj në Baar, Zvicër.
Në të kundërt për Global Fluid International, informacionet janë të shumta në faqen e saj zyrtare në internet. (http://www.gfi-petromark.com/)
Konflikti
GFI Albania ndërpreu dje procesin e markimit të karburanteve, duke bllokuar furnizimin me naftë në vend, pasi në bazë të një VKM të Këshillit të Ministrave të vitit 2013, autoritetet doganore, para se të bëjnë arkëtimin e akcizës, kërkojnë që kompania importuese e karburanteve të paraqesë faturën e markimit të karburanteve, që jepet nga koncesionari.
Konflikti ka nisur, pasi kompania ka kërkuar markimin e naftës bruto, siç parashikohej dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave, që përcakton procedurat e shenjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës, i datës 30.5.2013./ Monitor