Mark Frroku dhe Tom Doshi nuk do të përfitojnë nga amnistia e fundvitit që kaloi pak ditë më parë në Kuvend.
Ndryshimet e fundit në Komisionin e Ligjeve kanë përjashtuar nga përfitimi prej amnistisë të gjithë ata persona të akuzuar apo të dënuar, në hetim dhe në gjykim për çfarëdo vepre penale.
Përjashtimi në fjalë është bërë me formulimin e nenit nr.2 të Amnistisë, në të cilin thuhet shprehimisht se “I dënuar në kuptim të këtij ligji, konsiderohet personi i dënuar nga gjykata me vendim të formës së prerë deri në datën 30 nëntor 2015”. Pak më lart, në nenin nr.1, thuhet se “qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga vuajtja e dënimit tërësisht ose pjesërisht personat që plotë sojnë kriteret sipas amnistisë”, shkruan Panorama.
Ky formulim i amnistisë, i modifikuar pjesërisht në Komisionin e Ligjeve, ndalon përfitimin prej saj të disa deputetëve dhe zyrtarëve, që janë aktualisht në hetim dhe në gjykim për vepra penale që dënohen deri në dy vjet burg. Në asnjë nen të amnistisë, nuk përmendet ndonjë falje e plotë apo e pjesshme e dënimit për personat që janë në hetim apo në gjykim.
Tradita e amnistive të miratuara ndër vite nga Kuvendi i Shqipërisë, ka qenë e tillë që efektet e faljes shtriheshin edhe te çështjet në gjykim dhe në hetim. Në këtë mënyrë, në ligjet e amnistisë vitet e shkuara përshkruhej se prokuroria dhe gjykata do të pushonin hetimet dhe gjykimet për një kategori dosjesh, që kishin të bënin me veprat penale që prekeshin nga amnistia.
Ndërkohë, ligji i këtij viti e ka bërë përjashtim, duke mos shtrirë efekt në çështjet në hetim e gjykim. Nga amnistia e fundvitit 2015, përjashtohen edhe shtetasit që i janë shmangur dënimit të dhënë ndaj tyre në mungesë.